Kurti e Vuçiqi “jashtë loje”: Nacionale merr vesh se statuti i Asociacionit po bëhet nga ShBA-ja dhe BE-ja - NACIONALE

Kurti e Vuçiqi “jashtë loje”: Nacionale merr vesh se statuti i Asociacionit po bëhet nga ShBA-ja dhe BE-ja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i 2 majit është vetëm gjashtë ditë larg ndërkohë që ka konfuzion të madh në lidhje me draft-statutin e Asociacionit që mund të prezantohet në atë takim. Nacionale merr vesh se një gjë e tillë mund të jetë “veç lojë” dhe se krejt tjetërçka po ndodh në prapaskenë.

Emisari i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte deklaruar se “shpresonte që deri më 2 maj të kishte një propozim konkret (për Asociacionin)”.

Por, kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë ditës së djeshme nënkuptoi se në takimin e 2 majit nuk do ta kishte asnjë propozim duke thënë që BE-ja kishte refuzuar që ai ta shkruante një propozim më 18 mars.

“Një gjë e tillë (që ta shkruante ai) u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues...” – u shpreh z. Kurti.

Kurti jashtë loje

Por, duket se edhe draft-statuti që pritet të prezantohet nga ekipi menaxhues i udhëhequr nga Danijela Vujiçiq (deputete e Kuvendit të Serbisë) nuk do të ketë ndonjë rëndësi.

Në anën tjetër, edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq në mënyrë eksplicite ka kërkuar që Asociacioni të mos jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, përkundër zotimeve që ishin dhënë nga BE-ja e ShBA-ja.

“Të mos luajnë përralla me Serbinë rreth Kushtetutës së Kosovës,”kishte thënë ai.

Nacionale ka marrë vesh nga burime se në fakt ShBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar në përgatitjen statutit duke e lënë jashtë loje efektivisht si Kurtin ashtu edhe Vuçiqin.

“Kurtit i janë dhënë 16 modele të autonomisë që ekzistojnë në praktikë në BE. Ai kishte afat deri më 18 mars për të zgjedhur njërin nga modelet. Ai nuk e zgjodhi asnjërin. Tash, BE-ja dhe ShBA-do të zgjedhin se cilin model ata e shohin si të duhurin dhe do ta rishkruajnë për Asociacionin...” – tha burimi.

Sipas burimit, nuk do të lejoheshin lojëra tjera mes Beogradit dhe Prishtinës sa i përket statutit të Asociacionit.

Çka tha tjetër Kurti?

Kurti doli se kishte shumë pak informacione në lidhje me çështjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e ekipit menaxhues.

“...ka një vendim të fundit të ish-zv.kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020 për një ndërrim të përbërjes (të ekipit menaxhues). Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet...” – tha kryeministri.

Ai tregoi se kishte pasur përpjekje për takim nga ana e qeverisë, por ekipi menaxhues kishte refuzuar.

“Draft-statute në të kaluarën kanë konsideruar që e ka për detyrë (që t’i shkruajë) ekipi menaxhues.” – shtoi tutje kryeministri i Kosovës, duke e pranuar që nuk do të shkruante draft-statut për takimin e 2 majit.

Lajme të ngjashme