Profesori amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës rrit mundësinë për formimin e Asociacionit - NACIONALE

Profesori amerikan: Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës rrit mundësinë për formimin e Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova e ka kaluar një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, Serbia ka shprehur pakënaqësi në lidhje me një gjë të tillë. Profesori amerikan Edward P. Joseph ka treguar pse në fakt përfituesit më të mëdhenj janë bash serbët e Kosovës.

Pas gjashtë muajsh Kosova mund të jetë shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Në vendin tonë gëzim të madh shprehën nga pushteti dhe opozita, por në Serbi u shfaqën të hidhëruar me komunitetin ndërkombëtar.

Megjithatë, analisti i politikës së jashtme Edward P. Joseph ka argumentuar se në fakt ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm edhe/sidomos për serbët e Kosovës.

Me anë të një serie postimesh në Twitter, z. Joseph ka argumentuar përmes këtyre fjalëve:

“Për shkak se mirëqenia e serbëve të Kosovës është qartësisht “top-prioritet” për Aleksandër Vuçiqin, Beogradi duhej ta festonte këtë votim në Këshill të Evropës dhe liberalizimin e vizave – në vend se të sabotonte zgjedhjet në veri të Kosovës. Në fund të fundit, serbët e Kosovës janë përfituesit më të mëdhenj.”

Ai ka vazhduar tutje duke thënë që votimi në Këshill të Evropës do të rris mundësitë edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Votimi në Këshill të Evropës e rrit mundësinë (prospektin) për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Implementimi do ta bënte anëtarësimin e Kosovës në KiE të pashmangshëm, duke i dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.”

Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut

Çka është Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut?

Kjo Gjykatë, e njohur më gjerësisht si Gjykata e Strasburgut, është një gjykatë ndërkombëtare e Këshillit të Evropës (ku po synon anëtarësimin Kosova) që intepreton Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Pikërisht Këshilli i Evropës përmendet në Nenin 7 të Marrëveshjes (aty ku është vetë-menaxhimi) së Rrugës për Normalizimin e Marrëdhënieve që u arrit mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel.

“Të dyja palët zotohen të bëjnë marrëveshjet dhe garancitë specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe përmes eksperiencave ekzisuese evropiane, që të sigurojnë nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë...” -

Përtej Asociacionit, anëtarësimi i Kosovës në KiE mundëson që serbët e Kosovës të kenë mundësinë që rastet e tyre me pretendime kundër shtetit tonë t’i paraqisnin para Gjykatës Evropiane në fjalë.

Se ky është një lajm i mirë edhe për serbët e vendit tonë e ka potencuar dje edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kujtojmë që serbët e Kosovës me anë të përfaqësuesve të tyre politikë vazhdimisht kanë ngritur pretendime të ndryshme kundër autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që së fundi po kërkojnë me ngulm krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e të cilën e përdorën edhe si arsye për të bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit.

Lajme të ngjashme