Kalimi i fazës së parë në KiE: 33 shtete pro, 5 shtete mosnjohëse s'votuan kundër - çka ndodhi?
Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Me këtë hap, tashmë edhe zyrtarisht është hapur rruga e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me miratimin e aplikimit për anëtarësim nga Komitetit i Ministrave, Kosovës i është hapur rruga drejtë anëtarësimit final në këtë organizatë.
Cilat vende votuan pro dhe cilat kundër?
33 vende anëtare të Këshillit të Evropës votuan pro vendimit të sotëm, 7 kundër dhe 5 nuk morën pjesë në votim apo abstenuan.
Vendet që votuan kundër aplikimit të Kosovës ishin: Serbia, Azerbajxhani, Qiproja, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania dhe Spanja.
Shtetet abstenuese ishin: Sllovakia, Greqia, Bosnje-Hercegovina, Armenia dhe Ukraina
Hungaria iu bashkua Spanjës dhe Rumanisë në kubin e vendeve të NATO-s me qëndrimin kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Një fakt tjetër interesant është se pesë shtete që nuk e njohin Kosovën nuk votuan kundër Kosovës, por abstenuan. Abstenimi i Ukrainës dhe Moldavisë përbën po ashtu një hap në drejtimin e duhur për Kosovën drejt lehtësimit të qëndrimit të shteteve të që nuk e njohin Kosovën.
Ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, përmes një cicërime në Twitter tha se vetëm 15 për qind e anëtarëve të kësaj organizate votuan kundër anëtarësimi të shtetit të Kosovës.
“Vetëm 15% e anëtarëve të Këshillit të Evropës votuan kundër anëtarësimit të Kosovës. Lajm i keq: Hungaria votoi kundër. Kjo është për të ardhur keq. Lajm i mirë, 5 mosnjohje abstenuan.” – ka shkruar Selimi në Twitter.
Only 15% of Council of Europe members voted against Kosovo’s membership. Bad news: Hungary voted against. That’s regrettable. Good news, 5 non-recognizes abstained. pic.twitter.com/BTUCjcEOP3
— Petrit Selimi (@Petrit) April 24, 2023
Nervozohet Daçiq
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot për "Tanjug", se vendimi për fillimin e procedurës për shqyrtimin e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nga 46 anëtarë, 33 mbështetën, shtatë ishin kundër, pesë abstenuan dhe një vend nuk mori pjesë në votim.
Daçiq vlerësoi se vendimi ishte i pritshëm, e se do të dëmtojë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se kjo është një ditë që Këshilli i Evropës do të turpërohet.
Ai ka deklaruar se delegacioni i Serbisë, i cili votoi kundër, pas votimit është larguar nga salla, sepse nuk kanë dashur të vazhdojnë të marrin pjesë, por ka theksuar se Serbia nuk është larguar nga organizata.
“Kjo ditë me rastin e atij vendimi sigurisht që përfaqëson muzgun e statutit të Këshillit të Evropës, sepse për herë të parë kërkesa e diçkaje që nuk është shtet dhe që nuk njihet nga OKB-ja dhe për një territor që është, nuk po konsiderohet një anëtar i OKB-së,” - tha Daçiq.
Ai falënderoi të gjithë ata që ishin kundër dhe tregoi se janë miqtë tanë tradicionalë dhe deklaroi se në radhë të parë e kishte në mendje Qipron, Spanjën, Rumaninë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, dhe në veçanti falënderoi Hungarinë, e cila njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa sot ajo votoi kundër.
“Në anën tjetër, jemi vërtet të zhgënjyer me qëndrimin dhe qasjen e Greqisë dhe Sllovakisë si anëtarë të BE-së që u mbajtën, në radhë të parë për këtë kemi dëgjuar prej tyre se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu dua t'ju kujtoj se Bosnja dhe Hercegovina abstenoi. Imagjinoni ironitë. Imagjinoni sikur Republika Srpska të aplikonte për anëtarësim tani. Çfarë ironie dhe paturpësie është dhe po na japin leksione se po ndikojmë në shkatërrimin e tërësisë territoriale të Bosnje-Hercegovinës. Ata po marrin pjesë drejtpërdrejt në shkatërrimin e integritetit territorial të Serbisë,” - tha Daçiq.
Reagimet e krerëve shtetërorë
Mënjëherë pas pranimit të aplikimit, udhëheqësit e vendit, presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, kryediplomatja Donika Gërvalla e zyrtarë të tjerë, reaguan duke shprehur gëzimin për kalimin e këtij hapi.
Presidentja Osmani në Facebook reagoi duke thënë se flamuri i Kosovës shumë shpejt do të valvitet në Këshillin e Evropës.
“Së shpejti, flamuri i Republikës së Kosovës do të valëvitet edhe në Këshillin e Evropës. Faleminderit aleatëve tanë që sot votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.” – ka shkruar ajo.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka thënë se anëtarësimi i Kosovës do të jetë vlerë e shtuar në KiE.
“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë.” – ka shkruar Kurti.
Edhe kryediplomatja Gërvalla iu gëzua këtij lajmi. Ajo e quajti hap historik.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë.” – ka shkruar ajo.
