ShBA pret nga Qeveria Kurti që deri më 2 maj të ketë një propozim për Asociacionin - NACIONALE

ShBA pret nga Qeveria Kurti që deri më 2 maj të ketë një propozim për Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka bërë të ditur se pret nga Qeveria e Kosovës që deri më 2 maj, të ketë një propozim për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Këto deklarata ai i ka bërë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, dhe vlen të përmendet, se dy maji është edhe dita kur do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.– ka deklaruar ai.

Po ashtu, Escobar citohet të ketë deklaruar se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje e evoluim të jashtëzakonshëm, sidomos të kryeministrit për ta pranuar këtë çështje.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.” – ka thënë Escobar.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Kurti dhe Vuçiq më 2 maj takohen në Bruskel.

Sipas asaj që është bërë e ditur deri më tani, dy liderët do të miratojnë deklaratën për të pagjeturit, për të cilën u vendos në takimin e 4 prillit mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Komiteti Monitorues

Tashmë është themeluar edhe Komiteti i Përbashkët Monitorues që pritet të kryesohet nga ana e Bashkimit Evropian.

BE-ja do të përfaqësohet nga emisari Miroslav Lajçak në këtë komitet, Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq, ndërsa Kosova, çuditërisht jo nga kryenegociatori Besnik Bislimi, por nga ambasadori Agron Bajrami.

Pika e gjashtë e Aneksit të Zbatimit specifikonte që Komiteti i Përbashkët Monitorues duhej të themelohej brenda 30-ditësh.

Ky komitet pritet të ketë rëndësinë vendimtare në përcaktimin se cila palë – Kosova a Serbia – po zbatonte apo nuk po zbatonte atë për të cilën palët ishin marrë vesh në Ohër më 18 mars e në Bruksel më 27 shkurt.

“Zbatimi i të gjitha dispozitave duhet të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.” – shkruhej në atë pikë.

Menjëherë pas 2 majit, siç ka njoftuar edhe Bashkimi Evropian, fjalën pritet ta ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues.

“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.” – kishte thënë BE-ja.

Lajme të ngjashme