Shtëpia e Bardhë thotë se po humb 19 – 26 miliardë dollarë në vit: Shtetet po u ikin taksave
Shtëpia e Bardhë ka thënë në një raport të ri se shtetet po i dërgojnë eksportet e tyre përmes vendeve të treta për t’i shmangur taksat amerikane, duke vlerësuar se ka humbje nga taksat në vlerë të 19 deri 26 miliardë dollarë në vit.
Në raport theksohet në mënyrë specifike se Kina reagoi ndaj taksave të reja në vitin 2018 duke i dërguar mallrat e veta në shtete të tjera, nga Meksika në Malajzi për paketim dhe montim të kufizuar. Ky model bëri që të dukej sikur importet e ShBA-së nga Kina kishin rënë, por i mundësoi Pekinit që ta vazhdonte rritjen e sektorit prodhues në mënyra që do të mund t’i sfidonin fabrikat dhe punësimin në ShBA, raporton gazeta “The Guardian”.
Peter Navarro, këshilltar për tregti i Shtëpisë së Bardhë, u tha gazetarëve në një konferencë se Kina po i pastron eksportet e saj përmes më shumë se 40 shteteve, edhe pse pretendoi se çështjen e ngritura në raport janë më shumë për vendet e tjera që po e mundësojnë shmangien e taksave.
Raporti vjen para një vizite të planifikuar muajin e ardhshëm nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Navarro tha se edhe vende të tjera si India mund të bëjnë transportime të tërthorta për t’i shmangur taksat e reja dhe tha se kornizat e reja tregtare që po ndiqen nga administrata e presidentit Donald Trump do të përmbajnë dispozita që garantojnë se partnerët tregtarë që përfshihen në këtë taktikë do të penalizohen.
Për ta adresuar këtë sfidë, Navarro tha se autoritetet doganore amerikane kanë filluar që ta përdorin inteligjencën artificiale në një program prototip për t’i ndalur dërgesat e tërthorta.