Tri ministri dhe asgjë më shumë: Abdixhiku zbulon ofertën përçmuese të Kurtit për LDK-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar detaje nga bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje eventuale politike. Sipas tij, përkundër gatishmërisë së LDK-së që VV-ja t’i mbante edhe postin e kryeministrit edhe atë të kryetarit të Kuvendit, oferta që mori partia e tij ishte vetëm për tri ministri.
Abdixhiku e ka përshkruar ofertën e VV-së si një tentim për ta vendosur LDK-në në një rol pa peshë reale në qeverisje. Ai tha se LDK-ja kishte propozuar që Vetëvendosja ta udhëhiqte Qeverinë dhe Kuvendin, ndërsa LDK-ja të merrte përgjegjësinë për institucionin e presidentit dhe një rol në ekzekutiv.
“Ne ua kemi njohur të drejtën VV-së, që ta kenë edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e Kuvendit. Për LDK-në, kemi propozuar përgjegjësinë e institucionit të presidentit së bashku me një rol në ekzekutiv. Kështu në pikëpamjen tonë, do të kishim stabilitet institucional edhe qeverisje të qëndrueshme me shumë vota, por edhe balancë institucionale me më të mirët e partive, ndërmjet partnerëve. Fatkeqësisht përgjigja e VV-së ishte për prani dekorative, që do të kontrollohej tërësisht nga vetëm një subjekt. Na u ofruan vetëm tri ministri. Ne refuzuam nënshtrimin e tillë.”
Pra, sipas versionit të paraqitur nga Abdixhiku, LDK-ja ishte e gatshme që dy prej pozitave kryesore institucionale, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit t’i takonin VV-së.
Por, propozimi i saj për ta marrë përgjegjësinë për presidentin nuk gjeti mirëkuptim, ndërsa në ekzekutiv iu ofruan vetëm tri ministri.
Pas dështimit të bisedimeve, Abdixhiku ka njoftuar se LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në Qeveri dhe nga kërkesa për ta udhëhequr institucionin e presidentit. Kësisoj, partia e tij do të mbetet jashtë ekzekutivit.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë perfitim politik në shmangnjen e krizës aktuale. LDK heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. Heqim dorë edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e Presidentit”, ka thënë ai.
Megjithatë, tërheqja nga pretendimi për postin e presidentit nuk nënkupton se LDK-ja do të qëndrojë jashtë procesit të zgjedhjes së kreut të ardhshëm të shtetit. Abdixhiku tha se partia e tij është e gatshme të bisedojë për një president që do të zgjidhej bashkërisht, pa kërkuar në këmbim pozita në Qeveri.
‘’LDK është e gatshme të bisedoj me bindje të plota për zgjedhjen e një presidenti që e mbron interesat e Republikës dhe Kushtetutën e saj, që përfaqëson unitetetin e popullit. Për këtë kontribut, LDK nuk kërkon asnjë pozitë dhe asnjë kompromis politik, por ka kritere të qarta për presidentin e ardhshëm. Stabiliteti i shtetit nuk do të më mall për shkëmbim, le ta zgjedhim të gjithë bashkë, presidentin që e mbron republikën dhe Kushtetutën. Nga ky moment zgjedhja tashmë është e qartë, VV mund ta zgjedh stabilitetin institucional, përmes një presidenti të cilin e zgjedhim të gjithë bashkarisht, ne dhe ata, dhe të qeverisë me shumicën e vetë, ose mund ta qojë vendin drejt një krize të re, përplasje shumë më të rëndë, vetëm sepse nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromist demokratik’’, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij kishte hyrë në dialogun ndërpartiak jo për të siguruar pushtet, por për të gjetur një rrugëdalje nga situata politike.
“LDK ka hyrë në dialog ndërpartiak për ta shmangur një proces të dëmshëm zgjedhor. Ne kemi qenë subjekti që kemi marrë pjesë saherë jemi ftuar për takime, jo për pushtet por për t’i dhënë vendit zgjidhje” – vazhdoi ai.
Abdixhiku e ka lidhur këtë vendim edhe me situatën aktuale institucionale, duke thënë se vendi po kalon nëpër një periudhë të rëndë të pasigurisë politike dhe juridike.
“Republika e Kosovës, po kalon nëpër një prej periudhave më të rënda të pasigurisë juridike dhe politike e instiucionale. Tensione të vazhdueshme politike, gjuha që nxit urrejtje, po thellon ndarjet politike. Në këtë vi ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, shfaqin më së rëndi gjendjen nëpër të cilën është Republika e Kosovës. Zvarritja për konstituimin e Kuvendit dhe tejkalimi i të gjitha afateve, e kanë future vendin në një terren të rrezikshëm.” – tha fillimisht Abdixhiku.
Me këtë qëndrim, LDK-ja heq dorë nga hyrja në Qeveri dhe nga pretendimi që posti i presidentit t’i takojë asaj.
Por partia e Abdixhikut kërkon që për presidentin e ardhshëm të arrihet një marrëveshje e përbashkët politike, ndërsa VV-ja ta udhëheqë Qeverinë e vetme.