“Barazia gjinore është themeli”, thoshte Kurti – ZKA: Gratë vetëm 32% e pozitave drejtuese - NACIONALE

“Barazia gjinore është themeli”, thoshte Kurti – ZKA: Gratë vetëm 32% e pozitave drejtuese

4 javë më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti e ka vendosur barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në mesin e premtimeve dhe deklarimeve të tij politike, fillimisht si lider i Vetëvendosjes në opozitë e më pas si kryeministër. Megjithatë, një raport i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) nxjerr në pah se përfaqësimi i grave në pozitat udhëheqëse dhe vendimmarrëse në institucionet publike mbetet larg një niveli të kënaqshëm.

Në tetor të vitit 2019, para ardhjes së parë të plotë të LVV-së në pushtet, Kurti deklaronte se në kuadër të përpjekjeve për barazi gjinore ishte arritur dakordimi që 30 për qind e ministrave dhe zëvendësministrave të ishin gra.

Premtimet për përfaqësimin e grave vazhduan edhe pasi Kurti mori drejtimin e Qeverisë. Në mars të vitit 2021, ai deklaronte se Qeveria e re do të kishte të paktën pesë gra në krye të ministrive.

Një vit më pas, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kurti e ngriti deklarativisht edhe më lart objektivin, duke thënë se “barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore”.

Ndërsa në vitin 2024, Kurti deklaronte se “nuk mund të ketë barazi sociale nëse nuk ka barazi gjinore”, duke thënë se Qeveria po punonte për përmirësimin e mundësive për gratë dhe vajzat në sektorin publik dhe privat.

Por të dhënat e ZKA-së për periudhën 2020–2024 japin një pamje tjetër për përfaqësimin e grave në nivelet drejtuese të institucioneve publike.

Sipas auditimit, gratë përbënin 42 për qind të të punësuarve në shërbimin civil, por kjo përqindje nuk është reflektuar në pozitat udhëheqëse. Nga 1,459 pozita drejtuese, 988 mbaheshin nga burra dhe vetëm 471 nga gra ose thënë dryshe rreth 32.3 për qind.

Pra, ndërsa gratë përbënin 42 për qind të shërbimit civil, ato zinin vetëm rreth një të tretën e pozitave drejtuese.

ZKA konstaton gjithashtu se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative, sipas auditorit, janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoren në raste të veçanta, dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nënpërfaqësimit të grave.

Mangësi janë evidentuar edhe në zhvillimin profesional të grave, i cili, sipas ZKA-së, nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së tyre për avancim në karrierë. Po ashtu, auditimi ka gjetur probleme me regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë, si dhe me koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Gjetjet e ZKA-së tregojnë se, pavarësisht deklarimeve dhe masave për barazi gjinore gjatë kësaj periudhe, objektivi i përfaqësimit të kënaqshëm të grave në pozita drejtuese nuk është arritur.

Lajme të ngjashme