Kurti s'e futi në Komitet: A po e paguan më në fund Zv. Kryeministri çmimin për gabimet e tij?
Tashmë është themeluar Komiteti i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga ana e Bashkimit Evropian. Por, aty vërehet një mungesë e madhe e e rëndë... ajo e Besnik Bislimit. Pse nuk u fut Bislimi në këtë komitet?
Pika e gjashtë e Aneksit të Zbatimit specifikonte që Komiteti i Përbashkët Monitorues duhej të themelohej brenda 30-ditësh.
Ky komitet pritet të ketë rëndësinë vendimtare në përcaktimin se cila palë – Kosova a Serbia – po zbatonte apo nuk po zbatonte atë për të cilën palët ishin marrë vesh në Ohër më 18 mars e në Bruksel më 27 shkurt.
“Zbatimi i të gjitha dispozitave duhet të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.” – shkruhej në atë pikë.
Pra, tash e tutje të gjithë sytë tanë do të jenë të drejtuar kah Komiteti, ashtu si sytë e Komitetit do të jenë të drejtuar kah... të gjithë ne.
Ku është Bislimi?
Komiteti në fjalë do të kryesohet nga BE-ja, ashtu siç shkruante në marrëveshjen e Ohrit. Dje u mor vesh se BE-ja do të përfaqësohej nga kryenegociatori i saj, i dërguari i posaçëm për dialog, z. Mirosllav Llajçak.
Në anën tjetër, Serbia do të përfaqësohej nga kryenegociatori i saj që mban emrin Petar Petkoviq.
Por, Kosova nuk do të përfaqësohet nga kryenegociatori Besnik Bislimi. Ajo siç u njoftua dje do të përfaqësohet nga ambasadori në Bruksel, z. Agron Bajrami.
Bislimi ende nuk ka folur as në lidhje me mungesën e tij në Komitet, por as në lidhje me themelimin e Komitetit në fjalë.
Gjatë ditës së djeshme u mor vesh edhe se do të kishte një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në Bruksel. Ky takim pritet të mbahet të martën, më 2 maj.
Çka pas 2 majit?
Menjëherë pas 2 majit, siç ka njoftuar edhe Bashkimi Evropian, fjalën pritet ta ketë Komiteti i Përbashkët Monitorues.
“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.” – kishte thënë BE—ja.
Çka mund ta ketë penalizuar Bislimin?
Besnik Bislimi në agjendën e tij nuk e ka vetëm dialogun. Për më keq, kur ka folur në lidhje me dialogun ai ka dëshmuar në disa raste se ka qenë i papërgatitur duke mos i kuptuar madje as marrëveshjet që i kishte nënshkruar në Bruksel.
Për më tepër, z. Bislimi kishte pasur qëndrim krejtësisht të kundërt me atë të kryeministrit Kurti edhe për propozimin evropian të cilin e kishte quajtur “më afër interesave të Serbisë” për shkak se nuk përmbante njohjen dhe nuk ishte marrëveshje përfundimtare.
A po i kushtojnë më në fund mospajtimet dhe gabimet atij? Të shpresojmë!
Doni të dini më shumë për gabimet e z. Bislimi? Ju ftojmë të lexoni më poshtë:


