Formohet Komiteti Monitorues për zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Kosova përfaqësohet nga ambasador Bajrami - NACIONALE

Formohet Komiteti Monitorues për zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Kosova përfaqësohet nga ambasador Bajrami

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot del të jetë formuar Komiteti i Përbashkët Monitorues për Zbatimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një prononcim për N1.

Ashtu siç e parashihte pika 6 e Aneksit të Zbatimit, ky Komitet pritej që të themelohej brenda 30 ditësh, dhe i cili do të kryeohej nga ana e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e Ohrit për Zbatim ishte arritur më datë 18 mars.

Ky Komitet Monitorues i Përbashkët do të sigurohet që të gjitha dispozitat e marrëveshjes do të zbatohen.

Kryesues i këtij Komiteti do të jetë i dërguari special i BE-së për dialog, Mirosllav Llajçak. Serbia në këtë komitet do të përfaqësohet nga Petar Petkoviqi ndërsa Kosova nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami.

“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel,” – shkruhet më tej.

Ndërkohë, po ky medium ka mësuar që më datën 2 maj është paraparë të mbahet një takim i nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para disa ditësh kishte kërkuar zbatim "të plotë dhe të menjëhershëm" të marrëveshjes së arritur në Ohër, në një deklaratë që u pa si replikë ndaj presidentit serb Vuçiq që kishte lënë të nënkuptohej se nuk do t'i respektonte të gjitha pikat.

Deri më tash, nuk ka një konfirmim zyrtar nga ana e Qeverisë së Kosovës për formimin e Komitetit apo për datën e takimit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Pala serbe vazhdon të insistojë që zbatimi të nis prej pikës ku përmendet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ndërkohë që pala kosovare vazhdon të insistojë se kjo është vetëm një nga marrëveshjet.

Qeveria e Kosovës nuk kishte qenë vazhdimisht e qartë në deklarimet për media menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së Ohrit, duke mos e quajtur fillimisht marrëveshje pasi insistonte që kërkohej nënshkrimi i presidentit Vuçiq. Madje, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz në një intervistë për një medium portugez ishte shprehur në mënyrë eksplicite se nuk ka marrëveshje.

Zv. Kryeministri Besnik Bislimi kishte thënë në një intervistë se në fund të prillit pritej të prezantohej edhe drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga grupi menaxhues i themeluar nga Qeveria e Kosovës. Besohet se edhe ky draft mund të prezantohet në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

Lajme të ngjashme