LDK-ja heq dorë nga përfshirja në pushtet: Qëndrojmë në opozitë, president konsensual
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në Qeveri dhe se do të vazhdojë rolin e saj opozitar, ndërsa ka propozuar që çështja e presidentit të zgjidhet përmes një kandidati të përbashkët që do të siguronte stabilitet institucional.
Abdixhiku tha se LDK-ja kishte hyrë në bisedime ndërpartiake me synimin, sipas tij, për të shmangur një krizë të re politike dhe zgjedhore.
“LDK ka hyrë në dialog ndërpartiak për ta shmangur një proces të dëmshëm zgjedhor. Ne kemi qenë subjekti që kemi marrë pjesë saherë jemi ftuar për takime, jo për pushtet por për t’i dhënë vendit zgjidhje” – vazhdoi ai.
Ai tha se LDK-ja ia kishte njohur Vetëvendosjes të drejtën për të udhëhequr me Qeverinë dhe Kuvendin, ndërsa kishte kërkuar përgjegjësinë për institucionin e presidentit dhe një rol në ekzekutiv.
“Ne ua kemi njohur të drejtën VV-së, që ta kenë edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e Kuvendit. Për LDK-në, kemi propozuar përgjegjësinë e institucionit të presidentit së bashku me një rol në ekzekutiv. Kështu në pikëpamjen tonë, do të kishim stabilitet institucional edhe qeverisje të qëndrueshme me shumë vota, por edhe balancë institucionale me më të mirët e partive, ndërmjet partnerëve. Fatkeqsisht përgjigja e VV-së ishte për prani dekorative, që do të kontrollohej tërësisht nga vetëm një subjekt. Na u ofruan vetëm tri ministri. Ne refuzuam nënshtrimin e tillë.”
Pas këtij refuzimi, Abdixhiku njoftoi tërheqjen e LDK-së nga kërkesat për poste qeveritare dhe nga pretendimi për ta udhëhequr institucionin e presidentit.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë perfitim politik në zhamgnjen e krizës aktuale. LDK heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. Heqim dorë edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e Presidentit”, ka thënë ai.
Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja është e gatshme të përfshihet në bisedime për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, por pa kërkuar poste apo përfitime politike në këmbim.
‘’LDK është e gatshme të bisedoj me bindje të plota për zgjedhjen e një presidenti që e mbron interesat e Republikës dhe Kushtetutën e saj, që përfaqëson unitetetin e popullit. Për këtë kontribut, LDK nuk kërkon asnjë pozitë dhe asnjë kompromis politik, por ka kritere të qarta për presidentin e ardhshëm. Stabiliteti i shtetit nuk do të më mall për shkëmbim, le ta zgjedhim të gjithë bashkë, presidentin që e mbron republikën dhe Kushtetutën. Nga ky moment zgjedhja tashmë është e qartë, VV mund ta zgjedh stabilitetin institucional, përmes një presidenti të cilin e zgjedhim të gjithë bashkarisht, ne dhe ata, dhe të qeverisë me shumicën e vetë, ose mund ta qojë vendin drejt një krize të re, përplasje shumë më të rëndë, vetëm sepse nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromist demokratik’’, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së e lidhi këtë qëndrim me situatën politike dhe institucionale në vend, të cilën e përshkroi si një prej periudhave më të rënda të pasigurisë juridike dhe politike.
“Republika e Kosovës, po kalon nëpër një prej periudhave më të rënda të pasigurisë juridike dhe politike e instiucionale. Tensione të vazhdueshme politike, gjuha që nxit urrejtje, po thellon ndarjet politike. Në këtë vi ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, shfaqin më së rëndi gjendjen nëpër të cilën është Republika e Kosovës. Zvarritja për konstituimin e Kuvendit dhe tejkalimi i të gjitha afateve, e kanë future vendin në një terren të rrezikshëm.” – tha fillimisht Abdixhiku.
Me tërheqjen nga kërkesat për poste në ekzekutive dhe nga pretendimi për presidentin, LDK-ja mbetet jashtë Qeverisë, ndërsa kërkon që zgjedhja e kreut të shtetit të bëhet përmes marrëveshjes më të gjerë politike.