Escobar flet për zgjedhjet në veri e masat ndëshkuese që mund të pasojnë: Nuk kam marrë zotim nga Kurti
Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka folur në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se pret që palët t’i marrin seriozisht detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve. Escobar për Zërin e Amerikës ka folur edhe zgjedhjet në veri të vendit dhe për masat ndëshkuese që mund të pasojnë nëse nuk ka përparim.
I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esoabar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që palët t’i marrin me seriozitet detyrimet nga marrëveshja.
“Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga marrëveshja dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit.” – ka thënë ai.
“Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet, dhe çështje të tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash.” – ka thënë ai.
Më tej, Esobar ka folur edhe për bisedën që pati ditë më parë me Kurti, duke thënë se nuk ka pranuar ndonjë zotim nga Kurti.
“Nuk kam marrë zotim nga Kurti.” – ka thënë fillimisht Esobar, kur u pyet se ka marrë një lloj zotimi nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes dhe për pjesëmarrje në “negociata aktive.”
“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj.” – ka thënë Escobar tutje.
Gjithashtu ai ka folur edhe për masat që mund të pasojnë nëse palët nuk sillen me përgjegjësi.
“Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën - mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se “dorëheqja e kryetarëve në komunat veriore të Kosovës do të ishte rruga më e shpejtë dhe më e lehtë.”
Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq do të takohen të enjtën më 14 shtator në Bruksel. Ky takim vjen pas tensioneve që patëm në veri të vendit.
Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.




