Ndëshkimet e BE-së s’u hoqën: Pse takimi i Kurtit me Vuçiqin është gabim sipas Kurtit të para një muaji? - NACIONALE

Ndëshkimet e BE-së s’u hoqën: Pse takimi i Kurtit me Vuçiqin është gabim sipas Kurtit të para një muaji?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të enjten, më 14 shtator, kryeministri Albin Kurti e takon presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësuesit evropianë. Por, këtu ka një problem! E problemi janë bash fjalët e Kurtit të thëna për dialogun pas sanksioneve. Qe pse ky është një takim problematik.

Kosova vazhdon të jetë nën sanksione – masa ndëshkuese – të Bashkimit Evropian. E meqë Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, kjo e bën situatën të rëndë.

Pra, ndërmjetësuesi e ka ndëshkuar njërën palë. Ndërmjetësuesi ka qëndrim më të keq ndaj njërës palë – Kosovës në këtë rast – dhe qëndrim më të mirë ndaj tjetrës palë, Serbisë.

Në bazë të kësaj logjike, kryeministri Kurti me gojën e tij i kishte quajtur të padrejta këto masa ndëshkuese. Përveç që ishin të padrejta, ato e prishnin edhe barazinë mes palëve në dialog.

“Të dyja palët (Kosova dhe Serbia) duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian (BE),” – kishte thënë kryeministri Kurti.

Më 10 korrik në Bratisllavë ishte arritur një dakordim për shtensionim mes zv. kryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së Mirosllav Llajçak. Sidoqoftë, masat ndëshkuese nuk ishin hequr.

Kjo mos-heqje e ndëshkimeve e kishte nervozuar fort Kurtin, por edhe zëvendësin e tij Bislimin. Këtij të fundit – si gjeni që është - i ra ndërmend një ide: ta shantazhonte BE-në.

Në fund të korrikut, ai tha: “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.”

Këtë ‘shantazh’ e mbështeti edhe Albin Kurti një ditë më vonë, që ishte shprehur me këto fjalë:

“...nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave...” Pra, ishte logjike sipas tij që fillimisht të hiqeshin sanksionet e më pas të shpalleshin zgjedhjet.

Korriku përfundoi dhe edhe ky shantazhim apo kushtëzim i Kosovës disi u harrua. Por, të enjten Kurti – edhe sipas vetë fjalëve të tij – takohet me Vuçiqin duke qenë i pabarabartë. Pra, nga një pozicion i pabarabartë. Kosova është e ndëshkuar, Serbia jo. Pra, s’ka balanc.

Pse kryeministri i Kosovës pranon të takohet me presidentin serb nga një pozicion i pabarabartë – sipas vetë fjalëve të tij? Për momentin, nuk e dimë.

Por, ajo që e dimë është se ky takim tashmë është konfirmuar. Agjenda e tij ende jo. Mirëpo – bazuar në takimin në nivel kryenegociatorësh Bislimi-Petkoviq – Kurti me Vuçiqin do të flas edhe për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve. Pra, qysh do të zbatohen pikat e marrëveshjet. Serbia me BE-në po insistojnë që të fillohet prej Asociacionit. Kosova me Kurtin po insiston që të mos niset me Asociacionin. Pra, këtu është problemi.

E tash, si e pabarabartë, fjala e Kosovës (pra, fjala e Kurtit) edhe sipas vetë Kurtit do të jetë me më pak peshë se sa fjala e Serbisë.

Lajme të ngjashme