A u ngulën në Bratisllavë? Pas Bislimit, edhe Kurti 'e kushtëzon' paguximshëm Bashkimin Evropian për zgjedhjet në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mëshoi “pauzë” shtrirjes së sovranitetit në veri. Folur figurshëm. Në fakt, ai vendosi të bënte një zmbrapsje të vogël nga veriu... por e bëri pakëz vonë. E ndëshkuan. E tash s’po ia heqin ato ndëshkime. Dhe, tash nga Qeveria - numri 1 dhe numri 2 i saj - janë lëshuar në deklarata të çuditshme.
“Ju jeni politikan kokënxehtë, impulsiv e nacionalist,” – i kishte thënë gazetari i BBC-së, Stephen Sackur kryeministrit Kurti në një intervistë.
Sackur ia përmendi edhe një fakt, anash interpretimeve të vazhdueshme të Kurtit: “Po e paguani çmimin. Ky është fakt. Sanksionet do t’i kushtojnë vendit tuaj tuaj deri në 500 milionë euro deri në fund të këtij viti... me ekonominë tuaj të dobët nuk mund ta përballoni që të humbni këtë mbështetje...”
Doli se edhe Kurti – përkundër që i cilësonte masat e padrejta dhe nuk merrej fort me to – ishte në fakt i preokupuar.
Ai e dërgoi në Bratisllavë, kryeqytetin e Sllovakisë, Besnik Bislimin. Ky i fundit e bëri një marrëveshje surprizë me emisarin e BE-së Llajçak për hapat e parë drejt deeskalimit të situatës në veri të vendit.
Kurti shpresonte që kjo marrëveshje do të çonte drejt heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Në argumentimin e tij, Kurti deklaronte që masat ndëshkuese bënin që Kosova të mos ishte më në pozicion të barabartë me Serbinë. Dhe se barazia në pozicion ishte kusht që marrëveshja bazike të kishte sukses.
'Kushtëzimi'
Në një mënyrë të çuditshme u raportua një deklaratë e z. Besnik Bislimi. Radio Evropa e Lirë raportoi se Bislimi kishte thënë që “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.”
Pra, Besnik Bislimi po fliste në mënyrë normative. Ai po tregonte se çka duhej e çka nuk duhej, përkundër që ishte numri 2 i Ekzekutivit. Dhe pikërisht për shkak të pozicionit të tij, kjo deklaratë e çuditshme e tij u konceptua si kushtëzim ndaj BE-së. Nuk ka heqje sanksionesh nga BE-ja, nuk ka as shpallje të zgjedhjeve të reja në veri nga Kosova.
Për dy ditë, nuk dihej nëse deklarata në fjalë pasqyronte qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës.
Fatmirësisht, sot foli vetë kryeministri Albin Kurti në një konferencë për medie.
“... për këto masa që janë marrë ndaj neve, e që janë quajtur të përkohshme dhe të kthyeshme, natyrisht që të presim të hiqen sa më parë,” – e nisi fjalën e tij sot Kurti.
“...dhe është e logjikshme që të ndodhë paraprakisht...” – vazhdoi ai për ta përmendur më pas edhe fjalën kushtëzim.
“...nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet të ketë hap të parë zbatimin e dakordimin mes Bislimit dhe Llajçakut që e krijon atë normalitet minimal.”
E çka nëse BE-ja nuk e kupton njësoj rendin logjik të gjërave njësoj si Kurti?
Bashkimi Evropian dje i tha Nacionales se BE-ja pret që të zbatohen kërkesat e saj të theksuara në deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-së më 3 qershor.
“Kjo qartazi përcakton se zgjedhjet e reja do të duhej të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë krejtësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat veriore me shumicë serbe. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje,” – tha një zëdhënëse e BE-së për gazetën.
Por, çka të themi për ‘deklaratën’ e pacituar të Bislimit dhe fjalët e sotme të Kurtit? Kemi një kushtëzim të qartë por që Qeveria nuk po guxon ta quajë kushtëzim.

