BE-ja pas komentit të çuditshëm të Bislimit: Zgjedhjet e reja në veri sa më shpejt që është e mundur - NACIONALE

BE-ja pas komentit të çuditshëm të Bislimit: Zgjedhjet e reja në veri sa më shpejt që është e mundur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme u raportua një fjali e çuditshme e thënë nga zv. kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e për të cilën nga Bashkimi Evropian (BE) i kanë thënë disa fjalë për Naconalen.

Bislimi u raportua nga REL se kishte thënë në një takim me gazetarë që Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhjet në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Deri tash nuk dihet nëse ky kushtëzim është edhe qëndrim zyrtar i Qeverisë së Kosovës.

Nacionale ka dërguar pyetje në Bashkimin Evropian në lidhje me këtë çështje dhe ka marrë përgjigjen si vijon:

Megjithëse thanë se nuk komentojmë mbi komente, ata përsëritën që “BE-ja pret nga palët që të zbatojnë kërkesat e saj të theksuara në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor 2023.”

Një gjë e tillë ishte përmendur edhe në takimin Bislimi-Llajçak në Bratisllavë ku u njoftua se ishte arritur marrëveshja për hapat e parë të deeskalimit të situatës në veri e ku përfshihej edhe tërheqja e 25% të pranisë së njësisë speciale në dhe rreth ndërtesave komunale por edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

“Kjo qartazi përcakton se zgjedhjet e reja do të duhet të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë krejtësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat veriore me shumicë serbe. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje,” – tha një zëdhënëse e BE-së për gazetën.

Bislimi, pishman?

Ishte pikërisht Besnik Bislimi që e kishte bërë marrëveshjen e hapave të parë të 10 korrikut në Bratisllavë por një kushtëzim i tillë nuk ishte përmendur askund në fjalitë e tij për takimin me Llajçakun.

Kryeminsitri Kurti e kishte dhënë një qëndrim të tillë edhe pak ditë më parë duke u shprehur në një intervistë për një gazetë kroate.

“Jam i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përkohshme.” – shprehej Kurti.

Më poshtë, ai megjithatë kishte deklaruar se drejt zgjedhjeve të parakohshme duhej ecur përpara vetëm ligjërisht dhe se nuk ishte e mundur të kërkohej dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur.

“Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.” – shprehej aty z. Kurti.

Sa i përket masave ndërkohë, në një vend tjetër, ai i thoshte këto fjalë:

“...Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim.” – vlerësonte kryeministri që edhe herëve tjera i kishte quajtur të padrejta masat ndëshkuese.

Lajme të ngjashme