Qysh e bëri rrëmujë Bislimi me 'shpjegimet' e tij pasi doli nga takimi në Bruksel - NACIONALE

Qysh e bëri rrëmujë Bislimi me 'shpjegimet' e tij pasi doli nga takimi në Bruksel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte dje në Bruksel. Ai pati takim me emisarin e BE-së për dialog Mirosllav Llajçakun por nuk u lejua takimi i përbashkët me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq. E për gjithë atë çka ndodhi pati shpjegime mjaft të çuditshme?

“Procesi (i dialogut) asnjëherë nuk është shpallë i vdekur për me pasë nevojë me ringjallë...” iu tha ai gazetarëve që në hyrje të intervistës në mënyrë triumfale. Por, gjithçka tjetër ishte... e rëndë.

"Bashkë me palën serbe"

Bislimi është vazhdimisht i përçudshëm në deklarimet e tij – të paktën në gjuhën shqipe – për shkak të mënyrës së çuditshme se si lidh fjalët, ose se si i lidhen fjalët.

Nga formulimi i fjalive të tij, z. Bislimi lë të kupthet se ka provuar që të ketë një takim trilateral bashkë me palën serbe por kjo nuk është lejuar nga ana e emisarit Llajçak.

“Në këtë drejtim (për zbatim të plotë të marrëveshjes) ne kemi tentuar që sot bashkë me palën serbe në një marrëveshje, në një takim trilateral, të vendosim të gjitha obligimet që palët ndërmarrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajizuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision. Por kemi përmirësim apo ecje tutje.” – u shpreh ai (min. 1:08 në videon e mëposhtme)

Pra, Besnik Bislimi po na thotë që bashkë me palën serbe kanë kërkuar që të takohen me Llajçakun. Takimi ndodhi veç mes Llajçakut dhe Bislimit ndaras dhe pastaj veç mes Llajçakut dhe Petkoviqit po ndaras. Ai që nuk e ka lejuar këtë takim ishte Llajçaku. Pse?

Sipas fjalëve të z. Bislimi, kjo nuk është lejuar sepse është menduar nga Llajçaku që plani i sekuencimit të diskutohej nga Kurti dhe Vuçiqi.

“...Madje edhe ka ide që plani i sekuencimit kërkon takim të nivelit të lartë, sepse qartazi kryenegociatorët nuk mund të përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme... Mendoj që ka të bëjë edhe me atë se deri në ç’masë kryenegociatorët kanë autoritet për të negociu diçka deri në fazën finale...” – u shpreh ai.

E qysh atëherë kishte përmirësim apo ecje tutje sa i përket planit të sekuencimit në atë takim kur – sipas vetë fjalëve të Bislimit – 1) niveli i tij nuk mund ta përfundonte procesin suksesshëm dhe 2) nuk u zhvillua takimi trilateral (Bislimi-Petkoviq-Llajçak) bash për shkak të kësaj çështjeje.

Por përtej kësaj, në këtë pikë duket një konfuzion mjaft i habitshëm marrë parasysh takimet e shpeshta përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë.

Bislimit duhet t’i besojmë. Kaq!

Mungesa e transparencës për dialogun ishte dhe mbetet shumë e rëndë. Flitet për fatin e popullit të Kosovës, por populli i Kosovës nuk ka të drejtë të dijë se çka po flitet.

Kjo u ilustrua sërish nga Besnik Bislimi, që nuk ia doli të sqaronte saktësisht se çka ishte diskutuar.

Bislimi njoftoi – siç tashmë e morët vesh – për “planin e sekuencimit”. Tregoi se kishin marrë disa drafte nga Llajçaku e të cilët i kishin lënë të brengosur.

“Ai plan fillimisht është selektiv. Lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike. Në mënyrë të njëanëshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë...” – tha Bislimi.

Por, çfarë provizionesh janë lënë anash nuk tregoi.

Ai nuk tregoi edhe se çka ishte diskutuar për temën e dytë për Deklaratën për Persona të Pagjetur. Nuk tregoi as se çka ishte diskutuar për Komitetin e Përbashkët Monitorues që ishte themeluar tashmë më 18 prill. Shprehu një brengë tjetër se ky Komitet nuk mund të kishte karakter vendim-marrës. Ndërkohë, në fund një tjetër ilustrim mostransparence u pa edhe sa i përket energjisë.

“Si duket... ka pasur një keqinterpretim nga ana e Brukselit për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratisllavë është eleminuar ky keqkuptim dhe mendoj që jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit...”

Pra, takimi i Bratisllavës qysh po e pranon edhe vetë Bislimi – ndoshta krejt pa dashje – u bë edhe për çështjen e energjisë. Udhërrëfyesi për zbatim të marrëveshjeve të energjisë ishte nënshkruar në qershorin e vitit 2022, por fatkeqësisht nuk është zbatuar asnjëherë.

Bislimi siç mund ta kuptoni nga citati i mësipërm përdor dy terme duke i lënë faj BE-së: keqinterpretim dhe keqkuptim. Por, nuk ka treguar se çka ka keqinterpretuar e çka ka keqkuptuar BE-ja?

Masat e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh para disa ditësh nga Greqia se Kosova “tashmë po implementonte në mirëbesim aranzimet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për de-eskalimin që u arrit në Bratisllavë.”

Bislimi e formuloi pak më ndryshe implementimin.

“... nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat për arsye se një nga masat është mbajtja e zgjedhjeve. Ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës. E mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksi i Bashkimit Evropian për masat ndëshkuese... – tha z. Bislimi.

Ai u shpreh i habitur se si Borrelli nuk kishte dërguar letër “spjeguese” që kërkonte heqjen e masave nga ana e Komisionit të BE-së edhe “tetë ditë pas dakordimit në Bratisllavë.”

Video e plotë nga z. Bislimi:

Lajme të ngjashme