Një ditë nga zbatimi i vendimit për targat e letërnjoftimet – serbët refuzojnë, Kurti thotë se s’ka zgjidhje tjetër
Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 29 të muajit të kaluar, gjegjësisht në mbledhjen e 85 me radhë mori vendimin për reciprocitet ndaj letërnjoftimeve të qytetarëve serbë që do të hyjnë në Kosovë si dhe atë për konvertimin e targave “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në RKS.
“Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhej ndër të tjerash në atë njoftim.
Ky vendim, pra riregjistrimi me targa kosovare fillon pasnesër, të hënën e 1 Gushtit. Në të njëjtën datë, fillon edhe zbatimi i letërnjoftimeve të përkohshme, atë që e zbaton Serbia karshi nesh tash e 11 vjet.
Vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim për medie pas rikthimit nga ShBA-ja tha se ky vendim është i imponuar nga Serbia dhe se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Ne nuk do të kishim preferuar dokumentet e tilla. Mirëpo, nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb. Siç nuk kemi qenë për targat e përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur hynë në Serbi, ka nevojë që të ketë edhe për qytetarin serb që hynë në Kosovë", ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, serbët e veriut nuk po pajtohen assesi me këtë vendim të ekzekutivit kosovar.
Gjatë ditës së sotme janë shfaqur mesazhe si kundër vendimit për targat ashtu edhe ndaj atij për letërnjoftimet e përkohshme.
Në pamjet e siguruar nga REL shihet se parulla kryesore e këtij mini-aktiviteti ishte “Nuk ka dorëzim, letërnjoftimet serbe do të mbeten”.
Pak më i zëshëm ka qenë drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai, poashtu në një paraqitje para mediave, tha se më 30 korrik përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë konferencës, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.
“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.
Megjithatë, autoritetet kosovare, gjegjësisht Policia e Kosovës ka vazhduar me angazhimet e saj për t’i informuar qytetarët serbë. Në pamjet e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, ata shihen të buzëqeshur teksa pranojnë fletushkat informuese nga zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës.
Gjithsesi, mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat pas dy ditësh.

