"Asociacioni mund të konsiderohet, por me 6 kushte", analistët: Tjetër lëshim i radhës i Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në mënyrë më eksplicite se asnjëherë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë praktikisht se mund ta pranonte Asociacionin nëse do të përmbusheshin gjashtë kushte të tij.
Ndër kushtet që Kurti e ka përmendur ka qenë ndërrimi i emrit si dhe shpërbërjen e strukturave ilegale dhe dorëzimin e armëve ilegale.
"Asociacionim i komunave i dalur në parim nga marrëveshja Thaçi-Daçiq, si një mekanizëm i tillë nga Kosova mund të konsiderohet me këto kushte:
Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës; Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik; Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave çfarëdo të drejta për serbët në Kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi; Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen; Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç'rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së; Dhe e fundit, Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohëse që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian." – ka thënë Kurti.
Por, si u vlerësua kjo deklaratë?
Analistja Zana Avdiu ka thënë për Gazetën Nacionale se Kurti ashtu siç ka hequr dorë nga targat dhe zgjedhjet në veri, sipas saj është ditur se do të ‘dorëzohej’ edhe në këtë rast.
“Deklarata e Kurtit, e pritur por unë e konsideroj të vonuar. Ashtu siç ka hequr dorë nga targat, zgjedhjet në Veri dhe të gjitha lëshimet tjera që i ka bë, edhe në këtë rast është ditur se do “dorëzohej”. Por, e gjithë kjo ka qenë për ta arsyetuar vetën para qytetarëve, por që kjo e dëmtoi goxha shumë vendin, duke e dërguar në përplasje me shtetet aleate ndër ta edhe Amerikën. Mëkati VV-së nuk është themelimi i Asociacionit, por shtrembërimi i së vërtetës, vetëm për të ardhur në pushtet. Pra, kjo kauze asnjëherë nuk ka qenë e vërtetë, sikur edhe tjerat, prandaj edhe do të hiqte dore nga kjo.” – ka thënë Avdiu.
Analisti dhe politologu, Shkodran Ramadani, deklaratën e Kurtit e ka parë si një kthesë të madhe në rrugëtimin e tij politik.
Ramadani për Gazetën Nacionale se e rëndësishme në deklaratën e Kurtit është pjesa e parë ‘do ta themeloj Asociacionin’, pasi sipas tij, Kurti përherë të parë e ka thënë publikisht.
“Kjo nuk ka qenë thjesht një deklaratë zbutëse, por një kthesë e madhe në rrugëtimin e tij politik. Sot Albin Kurti deklaroi se “do ta themeloj Asociacionin, në këmbim të 6 kushteve”. Nga kjo fjali e tij e rëndësishme është pjesa e parë e fjalisë sepse kjo ishte hera e parë që publikisht e tha një gjë të tillë. Kjo pjesa e kushteve nuk është shumë e rëndësishme për tri arsye. E para, kushtet që ai i përmendi janë vendosur edhe nga Marrëveshja e vitit 2015, edhe nga Gjykata Kushtetuese. E dyta, kushti i lidhur me emrin shumë qesharak sepse ai mendon që duke e ndryshuar emrin e Zajednicës, e ndryshon edhe përmbajtjen e saj. E treta, Albin Kurti dhe kushtet, parimet e zotimet e tij nuk kanë një histori të këndshme.” – ka thënë Ramadani.
Ai tutje ka thënë se të gjitha kushtet e tij në të kaluarën për dialogun me Serbinë i ka shkelmuar.
“Karriera e tij politike është plot premtime të parealizuara, parime të shkelura e zotime të braktisura. Të gjitha kushtet e tij në të kaluarën për dialog me Serbinë i ka shkelmuar. Vetë emri i partisë së tij “JO NEGOCIATA! VETËVENDOSJE!” tregon që nuk duhet marrë seriozisht në këtë aspekt. Asnjëri nga kushtet që ai i kishte proklamuar si opozitar nuk e ka realizuar Serbia dhe prapë Albin Kurti ka negocuar me ta.” – ka thënë Ramadani.
Analisti politik, Halil Matoshi ka thënë se Kurti dëshiron ta ndërroj emërimin e Asociacionit, që ta shes si sukses tek votuesit.
“Kurti po mësynë me negociu ndërrimin e emërtimit të Asociacionit që votuesit t’ia shes si sukses rinegocimin. Nuk ka Kurti problem me përmbajtjen e këtij entiteti, por është në siklet si ta shesë në publik. Duhet ta pyesni Kurtin pse nuk po e inicion në Kuvend shpalljen ‘nul’ të Marrëveshjes Ndërkombëtare (të ratifikuar më 84 vota për), sipas të njëjtës procedurë siç është arritur.” – ka thënë Matoshi për Gazetën Nacionale.