Dialogu Kosovë-Serbi, temë e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanin Perëndimor. Në këtë mbledhje do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të shteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Një ndër temat që do të diskutohet do të jetë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Por, çka pritet të diskutohet tjetër?
Ministrja e Punëve të Jashtme, ka njoftuar se Gërvalla merr pjesë në këtë takim, ku pritet të flitet për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Takimi i nivelit të lartë mbahet në margjinat e mbledhjes së Këshillit për Politikë të Jashtme të BE-së, që kryesohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, ndërsa pritet të diskutohet bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në fushat e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, posaçërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë.” – thuhet në njoftim.
Sipas MPJD-së, në takim do të diskutohet edhe për zhvillimet e fundit në rajon, por nuk është përmendur që do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.
“Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe homologëve nga vendet e Ballkanit Perëndimorë, pritet të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në rajon.” – thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Çka do të diskutohet?
Në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve të BE-së me ministrat e jashtëm të Ballkanin Perëndimor pritet të diskutohen edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, në këtë takim do të diskutohet edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe për bashkëpunimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimin e saj në rajon.
Po ashtu, në njoftimin e BE-së, përmendet edhe ndihma e tyre dhënë vendeve të Ballkanit Perendimor për të “për t'u përballur me kërcënimet hibride, në veçanti sulmet kibernetike”.
Tutjet, thuhet se BE-ja ka përfshirë vendet e Ballkanin Perëndimor në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.
Serbia
Në këtë takim, Serbia do të përfaqësohet nga ministri i Jashtë, Ivica Daçiq.
Sipas raportimeve të mediave serbe, Daçiq veçse ka mbërritur në Bruksel.
Ai është takuar me me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, ndërsa pasdite pritet që të takohet edhe me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ndërkohë, para fillimit të takimit, kryediplomati kroat, Goran Grliq Radman, ka thënë se Kroacia mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Kur bëhet fjalë për Kroacinë, Kroacia mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Por në të njëjtën kohë, ne bëjmë thirrje për bashkëpunim më të madh dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, d.m.th., për të mbështetur vlerat evropiane, duke përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë dhe parimet, dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila është ende e një rëndësie kyçe. Ne kemi fusha në të cilat duhet të fokusohemi dhe të punojmë me Ballkanin Perëndimor për përparimin e të gjithë rajonit dhe zgjidhjen e problemeve të migrimit të paligjshëm, energjinë dhe sigurinë, si dhe të punojmë për ndërlidhje të mëtejshme më të mirë të rajonit.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se Kosova vitin e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


