Debat i ashpër për Thaçin në mes të Richard Grenell dhe gazetares së New York Times - NACIONALE

Debat i ashpër për Thaçin në mes të Richard Grenell dhe gazetares së New York Times

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Një debat i ashpër është parë mes ish-emisarit të posaçëm të Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi dhe gazetares së New York Times, Valerie Hopkins.

Kjo e fundit kritikoi Grenellin përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter” duke etiketuar atë si një ish-ambasador në Gjermani që mbështet një të paditur nga Prokurori Special për 100 vrasje, duke aluduar kështu te Richard Grenell.

“Në të cilin ambasadori Trump i beson një vend si Gjermaninë, kurse ky mbështetë një njeri që akuzohet nga Tribunali Special”, si replikë ndaj njoftimit që Grenell bisedoi me Thaçin në telefon.

Para pak çastesh ndërkaq, ky i fundit në platformën identike iu kundëpërgjigj gazetares Hopkins, duke thënë se është më mirë të lexojë.

“Hej Valerie. Merre lexo ndonjë libër. Ata po e hetojnë tash e 20 vite. Qe dy vite janë duke e mbajtur në burg. Ata e morën pikërisht kur ishte duke shkuar për të nënshkruar marrëveshjen me Trump. BE le t’i ndalë fondet për këtë gjykatë”, shkroi Grenell.

Tutje ai pyeti se pse nuk e arrestuan Thaçin një dekadë më herët.

“Pse nuk e kanë arrestuar dekada më parë. Gjykata e BE-së është një dështim. Turp edhe për ju që nuk keni mësime bazë të gazetarisë”, i tha me një ton të ashpër gazetares një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit Trump, për të mos thënë më i afërmi.

Grenell nuk e ka mohuar asnjëherë faktin se gëzon simpati politike për Hashim Thaçin.

Kohët e fundit ai vazhdimisht ka bërë thirrje për ta liruar atë dhe për ta kthyer në tavolinën e negociatave, pasi sipas tij, vetëm me të Kosova mund të shënojë rritje ekonomike e punësim për të rinjtë e të rejat.

“Sapo bisedova me Hashim Thaçin nga burgu në Hagë. Jam i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre – dhe më shumë punë për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, shkroi dje njeriu që vraponte vazhdimisht për një marrëveshje finales mes palëve dhe ishte katalizator i asaj të 4 shtatorit 2020, kur Kosova fitoi njohjen nga Izraeli.

“Bring back Thaçi” ka qenë parulla kryesore në të cilën e kishte vënë theksin Grenell 31 korrikun e këtij viti, kur në pjesën veriore serbët kishin vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit.

Madje, për këtë u mundua t’ia lë fajin Blinkenit. Sipas Richard-it, edhe shqiptarët e dinë se Kurti është problemi.

“Një katastrofë tjetër e Blinkenit. Edhe shqiptarët e dinë se Kurti është problemi. Riktheni Thaçin! Nuk ka të bëjë me të kaluarën – asnjëra palë nuk është kurrë e drejtë apo kurrë gjithmonë e gabuar. Ka të bëjë me Albin Kurtin duke bërë lëvizje të njëanshme për të refuzuar letërnjoftimet serbe dhe targat brenda Kosovës. Është e panevojshme. Njerëzit në Kosovë meritojnë vende pune dhe liderë që duan zhvillim ekonomik. Vetëm një kujtim, presidenti Trump me sukses negocioi 4 marrëveshje të normalizimit mes kosovës dhe Serbisë. Po ndihmonim rritjen e ekonomive. Bideni ka injoruar Ballkanin”, ishte një tjetër cicërimë e fundmuajit të kaluar.

Kujtojmë faktin se Grenell është një nga politikanët më aktivë në rrjetin social “Twitter”, aty ku realisht është edhe numri më i madh i pasionantëve të këtij drejtimi.

Lajme të ngjashme