Dy kandidatët për kryeministër të Britanisë përplasen në debat për taksat
Dy kandidatët për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, përkatësisht për kryeministër të vendit, Rishi Sunak e Liz Truss, janë përplasur ashpër në një debat televiziv për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për të ardhmen e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Sunak i tha zonjës Truss se plani i saj për uljen e taksave do të dërgonte miliona njerëz drejt mjerimit dhe do t’i kushtonte Partisë Konservatore me humbjen e zgjedhjeve të ardhshme, shkruan "BBC".
Në anën tjetër, kryediplomatja britanike tha se rritja e taksave, e sjellë nga rivali i saj, që ka qenë ministër i Financave, do ta çojë vendin në recesion.
Pavarësisht toneve të ashpra gjatë debatit, atmosfera u qetësua në pjesën e fundit. Zonja Truss tha se asaj do t’i pëlqente shumë që ta kishte rivalin e saj pjesë të ekipit, nëse do të bëhej kryeministri. Ndërkohë Sunak-u e çmoi qëndrimin e saj ndaj Rusisë.
Sidoqoftë, në fillim të debatit mbizotëroi tema e taksave. Zonja Truss dëshiron që ta largojë rritjen e taksës së Sigurimit Kombëtar. Sunak-u thotë se nuk do t’i ulë taksat derisa inflacioni të vendoset nën kontroll.
Truss tha se, sipas planeve të saj, Britania do ta fillonte pagimin e borxhit brenda tre vjetëve dhe pretendoi se plani i rivalit të saj e çon vendin në recesion.
Kandidatët gjithashtu e akuzuan njëri-tjetrin se në të kaluarën nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpër ndaj Kinës.
Dorëheqja e Sunak-ut nga kabineti qeveritar e ndihmoi rënien e qeverisë së kryeministrit Boris Johnson. Ai e çmoi menaxhimin e Brexit-it nga ish-shefi i tij, por tha se ai ka dhënë dorëheqje si çështje parimi për shkak të sjelljes së kryeministrit dhe për shkak të faktit se ata kishin “pikëpamje shumë të ndryshme për drejtimin e lëvizjes në ekonomi”.
Zonja Truss pranoi se kryeministri ka bërë gabime, por tha se ato nuk ishin të mjaftueshme që Partia Konservatore ta refuzonte atë.
Asnjëri nga kandidatët nuk tha se do ta pranonte ish-kryeministrin në kabinetin e tyre të ardhshëm./Nacionale