BQK, KPM, Infrakos, Ibër-Lepenc etj, etj: Institucionet kryesore që i kapi pushteti i VV-së - NACIONALE

BQK, KPM, Infrakos, Ibër-Lepenc etj, etj: Institucionet kryesore që i kapi pushteti i VV-së

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Emërimi i Luljeta Aliut në bordin e Komisionit të Pavarur të Mediave ka rikthyer në vëmendje deklaratat e Kurtit se “miqtë e familjarët” janë për dasma. Aliu nuk është familjare (për mikeshë nuk dihet) e ndonjë pushtetari.

Megjithatë, ajo që dihet me siguri është se Aliu është një nga analistet që e ka mbështetur publikisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Votimi i saj me gati 50 vota nga deputetët e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës ka nxitur shumë reagime. Si nga partitë politike e shoqëria civile në Kosovë, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Megjithatë, Komisioni i Pavarur për Media është vetëm një nga institucionet tejet të rëndësishme që është “kapur” nga pushteti i Vetëvendosjes. Qoftë me anëtar nëpër borde, qoftë me emërimin nëpër pozita të tjera udhëheqëse.

Nacionale sjell listën e institucioneve kryesore që i kapi pushteti:

Banka Qendrore e Kosovës

Rasti më eklatant i kapjes së një institucioni është BQK-ja. Aty, pushteti i Vetëvendosjes i emëroi në bordin e Bankës Qendrore dy ish-zyrtarë të partisë. Bashkim Nurboja që dikur ishte kandidat për deputet e kandidat për kryetar të Pejës nga Vetëvendosja, si dhe Nexhat Kryeziu gjithashtu kandidat për deputet.

Pasi guvernatorit Fehmi Mehmeti i përfundoi mandati, konkursi u bllokua. Tash, Nurboja sikur të mos mjaftonte e ka marrë edhe detyrën e guvernatorit. Kjo nën dyshime për shkelje ligjore, pasi ai është thirrur në disa rrethana të jashtëzakonshme sipas ligjit për BQK-në.

Nexhat Kryeziu, ish-kandidati i VV-së për deputet kishte qenë në listën e ngushtë të konkursit për guvernator.

Në Bankën Qendrore të Kosovës gjithashtu ishte rehatuar edhe vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani.

Radiotelevizioni i Kosovës – RTK

Lufta e VV-së për një medium publik të lirë e profesional, mbase ka përfunduar. Por kjo, jo me krijimin e pavarësisë së RTK-së, por me një kapje tjetër. Drejtor i televizionit në RTK është përzgjedhur Rilind Gërvalla, ish-anëtar i Vetëvendosjes gjithashtu anëtar në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie.

Zgjedhja e Gërvallës në krye të televizionit në RTK, ishte kritikuar nga parti opozitare në Kosovë, shoqëri civile por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AzhB

Venera Çerkini është vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani. E Çerkini është rehatuar në një pozitë tejet të rëndësishme. Ajo është përzgjedhur Drejtoreshë e Agjensionit për Zhvillim të Bujqësisë.

Për emërimin në këtë pozitë, Çerkini në vlerësimin e britanikëve nuk ishte as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë. Asnjë fjalë nga pushteti edhe për këtë kapje.

Korporata Energjetike e Kosovës – KEK

Një tjetër rast eklatant i kapjes së ndërmarrjeve publike është Korporata Energjetike e Kosovës. Kryeshef i KEK-ut ishte emëruar Nagip Krasniqi, ish-drejtues i komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Krasniqi është ende në paraburgim pas arrestimit të tij lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dallavere me disa tenderë në KEK.

Ibër-Lepenci

Jeni lodhur? Kapja vazhdon. Ish-nënkryetari i Mitrovicës dhe anëtari i devotshëm i VV-së, Faruk Mujka, është emëruar kryeshef në ndërmarrjen Ibër-Lepenci.

Vendimi ishte marrë në dhjetorin e vitit 2022, dhe Mujka do të jetë kryeshef për tri vjet.

Infrakos

Një tjetër ndërmarrje ku Vetëvendosja vuri anëtarët e afërt me të, është edhe Infrakosi. Së fundmi anëtar bordi në këtë ndërmarrje ishte emëruar Genc Hundozi. Ky i fundit një aktivist i moçëm i partisë në pushtet.

Kryesuese e bordit në Infrakos ishte emëruar Edona Nahi. Në rrjete sociale ajo nuk ka hezituar ta tregojë përkrahjen për kryeministrin Kurti e presidenten Osmani.

Trainkos

E edhe në Trainkos ka pasur dyshime për emërimin e një familjari të një deputeteje të pushteti. Fjala është për deputeten e Listës Guxo, Jeta Statovci.

Agron Statovci është emëruar kryeshef në Trainkos me vendim unanim të bordit. Vetë Agron Statovci, e kishte konfirmuar se ka “njëfar lidhje” me deputeten Jeta Statovci.

ShSKUK

Pak kapje edhe në shëndetësi. Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, ishte emëruar si U.D drejtoreshë, Narqize Arenliu-Hoxhaj. Kjo e fundit dikur drejtoreshë në komunën e Prizrenit, sa kjo komunë udhëheqej nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia,kishte thënë se Arenliu-Hoxhaj kishte qenë drejtoreshë si eksperte.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë

Pak lëvizje pushteti pati edhe në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Aty ishte përzgjedhur nipi i zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Çuditërisht Bislimi kishte thënë se në 50 vitet e fundit, ndoshta e ka takuar një herë nipin e tij.

Universiteti i Prizrenit

Së fundmi, Nacionale ka raportuar se rektor i Universitetit të Prizrenit është përzgjedhur Mentor Alishani. Ky i fundit vëllai i asamblistes së VV-së në Prizren, Dafina Alishani.

Komisioni i Pavarur për Media

Tashmë po dihet. Qershia mbi tortë. Përkrahsja e ashpër e publike e VV-së, Luljeta Aliu dje u votua si anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.

Lajme të ngjashme