Njeriu i VV-së guvernator në BQK: Dyshime të forta për shkelje të ligjit
Ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet dhe për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja, është zgjedhur përkohësisht guvernator në Bankën Qendrore të Kosovës. Krejt kjo pasi guvernatorit Fehmi Mehmeti i kishte skuadar mandati dhe konkursi ishte kthyer në pikën zero. Megjithatë, ka dyshime të forta se përzgjedhja e Nurbojës guvernator, të jetë shoqëruar me dilema ligjore.
Emërimi i përkohshëm i tij në këtë pozitë është bërë për me arsyetimin se nuk ka pasur zv/guvernator me mandat të plotë. Këtë fakt, Banka Qendrore e Kosovës e ka arsyetuar me nenin 46 të Ligjit për BQK-në.
“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhej në arsyetimin e BQK-së dje.
Por, në nenin 46 të Ligjit për BQK-në, nuk specifikohet “mandati i plotë” si terminologji lidhur me faktin që guvernator mund të bëhet kryetari i Bordit të BQK-së, siç ka ndodhur me Bashkim Nurbojën. Ligji flet vetëm për situatë të jashtëzakonshme dhe kur zv/guvernatorët mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë.
“Në rast rrethanash të jashtëzakonshme dhe nëse të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë, posti i Guvernatorit do të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore. Dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore që janë më së gjati në post të tillë si dhe në dispozicion do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhet në Ligjin për BQK-në.
Megjithatë, fakti është se deri para emërimit të Nurbojës si guvernator, në pozitën e U.D të zëvendës guvernatores ka qenë Shkëndije Nahi. Nacionale ka siguruar vendimin kur Nahi ishte emëruar në këtë pozitë në shtatorin e vitit 2022. Ajo kishte qenë ushtruese e detyrës së zv/guvernatores për mbikëqyrje financiare.
Pra, sipas ligjit, pasi nuk specifikohet mandati por vetëm gatishmëria e veprimit, në rastin konkret Shkëndije Nahi do të duhej ta merrte pozitën e guvernatores në BQK. Kjo pasi ligji e thotë qartë: “vetëm në rrethana të jashtëzakonshme nëse anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë”.
Shkëndije Nahi ka qenë pjesë e Bordit Ekzekutiv si ushtruese e detyrës së zv/guvernatores. Emri i saj figuronte edhe në faqen zyrtare të BQK-së. Megjithatë, emri i saj është larguar menjëherë pas emërimit të Nurbojës dhe është zëvendësuar nga anëtarët e Bordit Joezekutiv: Nexhat Kryeziu dhe Nora Latifi-Jashari.
Sipas Ligjit të BQK-së, zv/guvernatorët shkarkohen me propozm të guvernatorit. Sa ishte Fehmi Mehmeti në pozitë, nuk ka pasur asnjë vendim lidhur me shkarkimin e Nahit.
Lidhur me këtë situatë, Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje për Nacionalen sërish e ka vënë theksin te “mandati i plotë”.
“Siç jeni në dijeni, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka kohë që ka mbetur pa dy Zëvendësguvernator me mandat të plotë. Ndërkohë, duke marrë për bazë rrethanat e krijuara edhe pas përfundimit të mandatit të Guvernatorit më 28.03.2023, Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve. Ky vendim është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Pra, Banka Qendrore e Kosovës është kapur në tërësi nga partia në pushtet. Bashkim Nurboja si guvernator ka qenë kandidat për deputet dhe për kryetar të Pejës nga Vetëvendosja. Zv/guvernator është emëruar si U.D kandidati tjetër për deputet, Nexhat Kryeziu. Gjithashtu në këtë pozitë është emëruar edhe Nora Latifi-Jashari, gjithashtu e votuar nga VV-ja me shumicë në Kuvend.
Konkursi me shumë dyshime
Që nga shpallja e konkursit për guvernator kishte pasur dilema të shumta. Nexhat Kryeziu nga pozita e anëtarit të Bordit Joekzekutiv ishte përzgjedhur si kandidat në listë të ngushtë për guvernator. Në anën tjetër, emri i guvernatorit Fehmi Mehmeti nuk ishte dërguar në Kuvend, edhe pse kishte pikë të barabarta me Shkëndije Himajn.
Kjo kishte bërë që kryetari i Bordit aso kohe, Flamur Mrasori t’i drejtohet me një letër Komisionit për Buxhet dhe Financa.
“Për fund, përfshirja e kandidatit/es të pestë (i/e pa përfshirë në listën e të propozuarve në Kuvend) me pikë absolutisht të barabarta me kandidatin/en e katërt (i/e përfshirë në listën e të propozuarve në Kuvend), do të përbënte listën e kandidatëve të cilësuar si të emërueshëm edhe nga Paneli edhe nga projekti i mbështetur nga Ambasada Britanike, për më tepër dhe në veçanti do të evitonte cenimin e "Parimit të barazisë para ligjit" duke bërë procesin juridikisht të sigurt dhe të pa rrëzueshëm në çfarëdo rrethanash”, thuhej në letrën e Mrasorit.
Në mesin e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës është Nexhat Kryeziu. Ky i fundit aktualisht është anëtar joekzekutiv i bordit në BQK. Ishte votuar me shumicë votash nga partia e Vetëvendosjes, me të cilën dikur garonte në zgjedhje.
Kryeziu në vitin 2017 kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes. Megjithatë, ai nuk kishte arritur të zgjedhet në postin e deputetit.
Kandidate në listën e ngushtë ishte edhe Shkëndije Himaj, e hetuar dhe e suspenduar disa herë nga Banka Qendrore e Kosovës.
Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar këtë proces, kishin reagur lidhur me mungesën e transparencës në gjithë këtë proces.
Dje reagoi edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Nga sot, Kryetari i Bordit të BQK-së merr detyrën e Guvernatorit. Ky marifet nuk është parë në 20 vjet. Këta mashtrues e të paaftë, me tendencë për të kapur gjithçka, gjatë tërë vitit 2022 e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit. Ndërkaq, tani e kanë dëmtuar edhe procesin e zgjedhjes së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes. Kjo ka krijuar situatë të jashtëzakonshme, në të cilën vetë Kryetari i Bordit të BQK-së të marrë detyrën e Guvernatorit. Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, shkruante Hoti.
Vlerësimi i komisionit kishte qenë në disa pika i dalluar nga vlerësimi i ambasadës britanike.