Guvernatori i BQK-së: U shkel ligji, emri im nuk u procedua në Kuvend - NACIONALE

Guvernatori i BQK-së: U shkel ligji, emri im nuk u procedua në Kuvend

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, ka reaguar pas dyshimeve për dallavere në përzgjedhjen e guvernatorit të BQK-së.

Përveç që pjesa më e madhe e emrave që janë dërguar në Kuvend janë të afërt me Vetëvendosjen, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, po dyshon se është shkelur një nga parimet bazë të Kushtetutës: Barazia para ligjit. Nacionale pati raportuar në lidhje me këtë rast.


Çka tha Guvernatori?

Sipas Guvernatorit Mehmetit edhe pse dy kandidatë kanë pasur vlerësim identik, emri i njërit është dërguar për votim në Kuvend, e tjetri jo.

Sa i përket procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Guvernator, paneli intervistues ka renditur në pozitën e katërt, dy persona që kanë pikë të barabarta vlerësuese.

“Gjatë renditjes së listës së kandidatëve, për 3 vendet e para, renditja është bërë në mënyrë alfabetike (Kumtesë për Shtyp | Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (bqk-kos.org), përderisa për pozitën e katërt në vend se të përdoret parimi i njëjtë i renditjes alfabetike ku unë do të isha i renditur i pari në pozitën e katërt dhe kandidatja tjetër si e dytë në pozitën e katërt, në mënyrë arbitrare është vendosur që e para në pozitën e katërt të vendoset kandidatja tjetër dhe mua të mos më procedoj në Kuvend. Duke pasur parasysh faktin se kemi pasur pikë të barabarta vlerësuese për pozitën e 4, atëherë do të duhej që të dy kandidatët me pikë të barabarta vlerësuese të dërgoheshin në Kuvend. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L-020 për Barazi Gjinore, sipas të cilit është i ndaluar diskriminimi gjinor dhe do të duhej të sigurohej barazi gjinore ku do të mundësohej ushtrim i plotë dhe i barabartë i drejtave të njeriut të meshkujve dhe femrave. Gjithashtu, kjo praktikë e përjashtimit është në kundërshtim me Nenet 21, 24 dhe 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” - ka shkruar Mehmeti.

Madje, kandidati i renditur si e katërta nga paneli intervistues, nuk ka qenë dashur të ftohet fare në intervistë për shkak të kufizimeve ligjore të parapara me Ligjin për BQK-në. Neni 40 paragrafi 2 nënparagrafi 3 i Ligjit të BQK-së përcakton se: “2. Asnjë person nuk do të kualifikohet për t’u zgjedhur që të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore nëse ai/ajo: 2.3. për arsye të sjelljes personale jo të mirë, ka qenë diskualifikuar apo suspenduar nga një autoritet kompetent për ushtrimin e profesionit ose nuk ka qenë lejuar të jetë drejtor apo zyrtar i një institucioni financiar”.

‘Bazuar në kërkesat e ligjit të sipër cekura, vlerësoj se ftesa për intervistë dhe dërgimi në Kuvendin e Kosovës për kandidaten numër 4 paraqet shkelje ligjore, ku paneli intervistues ka vepruar në kundërshtim me nenin 40 paragrafi 2 nënparagrafi 3 të Ligjit për BQK-në e cila dispozitë përjashton nga gara personat që për arsye të sjelljes personale jo të mirë, kanë qenë të diskualifikuar apo suspenduar nga një autoritet kompetent për ushtrimin e profesionit ose nuk kanë qenë lejuar të jenë drejtor apo zyrtarë të ndonjë institucioni financiar, e lere më të ushtrojnë funksionin e Guvernatorit.

Veprimet e panelit në raport me procesin e përzgjedhjes janë tendencioze dhe konflikt të hapur të interesit, ngase njëri nga kandidatët është i afërm në baza shoqërore me njërin nga anëtarët e panelit.

Në të njëjtën kohë, paneli përzgjedhës duke qenë në dijeni të dispozitave të Ligjit për BQK-në, lidhur me funksionet e organeve drejtuese dhe mungesave eventuale apo të vakumit në këto organe, respektivisht kompetencave të Guvernatorit dhe Bordit Ekzekutiv, përkatësisht neni 46 të Ligjit për BQK-në ka përcaktuar se: “Në rast rrethanash të jashtëzakonshme dhe nëse të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë, posti i Guvernatorit do të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore. Dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore që janë më së gjati në post të tillë si dhe në dispozicion do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”.

Rrjedhimisht, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, paneli hapur është duke tentuar që të shfrytëzojë pozitën zyrtare dhe kompetencat ligjore për t’i krijuar hapësirë vetvetes marrjen e kompetencave ekzekutive të Guvernatorit, përkatësisht Bordit Ekzekutiv të BQK-së. Në këtë mënyrë, ekziston dyshim i bazuar se paneli është në konflikt të hapur të interesit dhe në shkelje të dispozitave të ligjit për parandalimin e interesit duke vepruar në dobi të anëtarëve të panelit (të cilët janë edhe anëtarë të Bordit të BQK-së).

Institucionet poashtu janë njoftuar nga edhe kryetari i panelit përzgjedhës z. Flamur Mrasori rreth dyshimeve se me veprimet e panelit, është shkelur një nga parimet bazë të Kushtetutës “Barazia para Ligjit” që është një nga parakushtet për funksionim të rendit dhe ligjit në çdo vend.

Dy anëtarët nga paneli gjatë procesit për përzgjedhjen e Guvernatorit, kanë bërë shkelje si në vijim: Nenin 23 (Dinjiteti i Njeriut) dhe 24 (Barazia para Ligjit) të Kushtetutës se Republikës së Kosovës; nenin 38 paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; nenin 6 të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Gjithashtu, përveç, shkeljeve të cekura më lartë, ekziston dyshimi i bazuar se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e Guvernatorit kanë bërë edhe shkelje të Nenit 219 Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Ky nen përcakton se “Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.

Përderisa, njëri nga anëtarët e panelit bëri shpifje kundër meje duke më cenuar integritetin, atëherë si është integriteti i këtij anëtari me gjithë këto shkelje të cekura më lartë.

Unë si Guvernator i Bankës Qendrore kam kryer me integritet të lartë dhe me përgjegjësi punën time gjatë mandatit tim. Integritetin tim të lartë e dëshmon edhe Arbitrazhi ndërkombëtar, i cili i dha të drejtë Vendimit të BQK-së, kryesuar nga unë (rasti JuteCredit). Po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës i dha të drejtë Vendimit të BQK-së (rasti Monego) duke konstatuar të drejtë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili është në favor të BQK-së.

Lajme të ngjashme