Shtohen dyshimet për shkelje: Ky është vlerësimi i Komisionit për guvernator të BQK-së - NACIONALE

Shtohen dyshimet për shkelje: Ky është vlerësimi i Komisionit për guvernator të BQK-së

1 vit më parë

nga Besian Beha

Fehmeti Mehmeti e Shkëndije Himaj në vlerësimin e Komisionit për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishin me tërësisht pikë të barabarta. Të dy u vlerësuan me nga 26 pikë të Komisionit. Por, pavarësisht kësaj, vetëm njëri nga ta shkoi për votim në Kuvendin e Kosovës.

Shkëndije Himaj është në listë me 4 emrat që mund të zgjedhen për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës. Përderisa, emri i Fehmi Mehmetit nuk është dërguar në Kuvend për votim nga deputetët.

Gazeta Nacionale e ka parë vlerësimin e kandidatëve për guvernator të BQK-së. Ahmet Ismajli është vlerësuar me 35.3 pikë, Nexhat Kryeziu me 34.0 pikë, Lulzim Ismajli me 33 pikë dhe Shkëndije Himaj me 26 pikë.

26 pikë i kishte edhe guvernatori aktual Fehmi Mehmeti, por që emri i tij nuk është dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës. Arsyet për këtë nuk dihen.

Për këtë arsye, kryetari i Komisionit vlerësues, Flamur Mrasori, i është drejtuar me letër Kuvendit të Kosovës për të cilën ka raportuar gazeta Nacionale. Ai ka vlerësuar se duke mos u dërguar edhe emri i Fehmi Mehmetit, është cenuar barazia para ligjit për punësim.

“Mbështetur në këtë rrethanë dhe duke pasur parasysh rangimin e kandidatëve (poentimin), kam propozuar që në Kuvend të përcillet lista me pesë (5) kandidatë pasiqë kandidatët e ranguar sipas poentimit përfundimtarë me renditjen në listën ranguese 4 dhe 5 janë absolutisht me pikë të barabarta dhe arsyeja e votës sime kundër është fakti që të respektohet "Parimi i barazisë para ligjit” si njëri ndër parimet fundamentale kushtetuese për të evituar pabarazinë në trajtim mbi çfarëdo bazë dhe për të penguar diskriminimin eventual. Për të evituar cenimin e parimit në fjalë, është përgjegjësi e të gjitha institucioneve që ndërlidhën më këtë proces, të ndërmarrin veprimet e duhura që të sigurohet barazia dhe mosdiskriminimi i kandidatëve që janë pjesë e këtij procesi”, bëhet e ditur në letrën e Flamur Mrasorit.

Përveç Flamur Mrasorit, anëtarë të komisionit vlerësues ishin Bashkim Nurboja dhe Nora Latifi-Jashari. Bashkim Nurboja ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës dhe gjithashtu kandidat për deputet. Edhe Nurboja edhe Latifi-Jashari janë votuar në Kuvend nga shumica parlamentare e Vetëvendosjes.

Ky vlerësim që është bërë nga komisioni vlerësues, dallon paksa edhe nga vlerësimi i britanikëve. Aty është theksuar se janë gjashtë kandidatë të cilët mund të emërohen. Në mesin e tyre janë edhe Fehmi Mehmeti e Genc Rraci, të cilët nuk janë dërguar për votim nga Komisioni.

Në vlerësimin e britanikëve më e vlerësuara ka dalur Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili e pastaj Nexhat Kryeziu.

Lajme të ngjashme