Edhe BQK-ja drejt kapjes nga pushteti: Detaje nga emrat e zgjedhur në listën e ngushtë për guvernator - NACIONALE

Edhe BQK-ja drejt kapjes nga pushteti: Detaje nga emrat e zgjedhur në listën e ngushtë për guvernator

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katër kandidatë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për votim. Në mesin e kandidatëve po del se janë të afërt me pushtetin, ish-kandidat për deputet nga Vetëvendosje, e persona të përfshirë në procedura disiplinore disa herë. Nacionale ka mësuar detaje nga gjithë procesi dhe sjell detaje.

Nexhat Kryeziu, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj. Këta janë katër kandidatët që kanë hyrë në listën e ngushtë për pozitën e guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës.

Nacionale ka mësuar se pjesa më e madhe e këtyre kandidatëve kanë qenë të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo pasi edhe në Komisionin Vlerësues të caktuar nga Banka Qendrore e Kosovës ishin pikërisht anëtarët e Bordit që i kishte dërguar Vetëvendosja në BQK.

Nacionale ka mësuar se në komisionin vlerësues për kandidatët për guvernator, ka qenë Bashkim Nurboja. Ky i fundit ishte përzgjedhur anëtar për bordin e BQK-së me shumicë votash nga pushteti. Nurboja kishte qenë kandidat për kryetar të Pejës dhe gjithashtu kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes.

Tjetër anëtare në Komisonin Vlerësues për kandidatët për guvernator, ishte edhe Nora Latifi-Jashari. Edhe kjo e fundit ishte emëruar anëtare e Bordit në BQK me shumicë votash nga pushteti i Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, në vlerësimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë, gjashtë kandidatë kanë kaluar procesin e intervistave. Nga ta, vetëm katër BQK-ja i ka dërguar për votim në Kuvend.

Në vlerësimin e britanikëve më e suksesshmja ka dalur Shkëndije Himaj me 32 pikë. Ahmet Ismaili është i dyti me 28 pikë, Nexhat Kryeziu me 27.5 kurse Genc Rraci me 24.5. Rraci në anën tjetër, nuk është dërguar fare për votim në Kuvendin e Kosovës.

Lulzim Ismajli ka 24 pikë, kurse guvernatori aktual Fehmi Mehmeti 23.5 pikë. Mehmeti gjithashtu nuk është dërguar për votim nga deputetët.

Nexhat Kryeziu

Në mesin e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës është Nexhat Kryeziu. Ky i fundit aktualisht është anëtar joekzekutiv i bordit në BQK. Ishte votuar me shumicë votash nga partia e Vetëvendosjes, me të cilën dikur garonte në zgjedhje.

Kryeziu në vitin 2017 kishte qenë kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes. Megjithatë, ai nuk kishte arritur të zgjedhet në postin e deputetit.

Nexhat Kryeziu me vendim të nënshkruar nga Kurti ishte zgjedhur edhe kryesues i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.

Kryeziu kishte qenë i përfshirë në një aferë edhe sa ishte kryeshef në Ndërmarrjen Publike Banesore. Ai së bashku me Liridon Latifin, ish-kryesuesin e Bordit të kësaj ndërmarrjeje kishin anuluar konkursin për dhënien me qira të lokaleve afër Katedrales në Prishtinë.

Këtë vendim, Kryeziu dhe Latifi raportohej se e kishin marrë për shkak se dy të preferuarit e tyre nuk kishin arritur të përfitojnë nga ky konkurs.

Në një incizim të publikuar në atë kohë dëgjohet sesi Liridon Latifi i bënë kërkesa dhe i jep sugjerime Kryeziut si duhet të veprohej. Madje, ai i thotë se duhej t’i bëhej e qartë edhe Shpend Ahmetit.

Shkëndije Himaj

Gazeta Nacionale dje ka raportuar se në mesin e kandidatëve që po i përkrah Vetëvendosja, është edhe Shkëndije Himaj. Kjo e fundit është në listën e ngushtë për guvernatore, pavarësisht se ka qenë e përfshirë në disa afera përgjatë kohës që punonte në Bankën Qendrore të Kosovës.

Në një raport të Komisionit Disiplinor që e kishte siguruar Nacionale, thuhej se Himaj kishte pasur vonesa në punë, i kishte shkaktuar humbje BQK-së, mosrespektim të rregulloreve etj.

Në këtë raport, vërtetohet se Shkëndije Himaj në disa vitet e fundit është vlerësuar me nota të dobëta të vlerësimit. Madje, Komisioni kishte gjetur se Himaj nuk ka ofruar pothuajse asnjë këshillë për Bordin Ekzekutiv të BQK-së.

“Më datë 25.01.2022, znj. Himaj Zekaj i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për vitin 2021 (01 janar 2021 - 31 dhjetor 2021), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0- 1.4), që nënkupton vlerësim i dobët. Po ashtu edhe më datë 04.04.2022, znj. Himaj Zekaj, i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për tre (3) mujorin e parë të vitit 2022 (01 janar - 31 mars 2022), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0-1.4), që nënkupton vlerësim i dobët”, thuhet në këtë raport të siguruar nga Nacionale.

“Po ashtu edhe më datë 05.05.022, znj. Himaj Zekaj, i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për muajin prill të vitit 2022 (01 prill - 30 prill 2022), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0-1.4), që nënkupton vlerësim i dobët”, thuhet më tutje.

“Ndërsa, sipas Vendimit Nr. 44/2021 të datës 11 tetor 2021 të Guvernatorit, znj. Himaj Zekaj i është a disiplinore "Vërejtje më shkrim" për shkak se kur ka munguar nga puna (daljet gjatë orarit të punës, më datat 29 korrik 2021, 27 dhe 31 gusht 2021, 02 shtator 2021 dhe 06 tetor 202) ka njoftuar vetëm DBNJ-në duke mos njoftuar mbikëqyrësin e saj të drejtpërdrejtë (siç kërkohet me PMP dhe Vendimin Nr. 02/2020 të datës 21 janar 2020 për caktimin dhe respektimin e orarit të punës) edhe përkundër faktit se DBNJ përmes e-mail-ve (të datës 10 gusht 2021 dhe 03 shtator 2021) ka kërkuar znj. Himaj Zekaj, që në raste të tilla duhet të njoftohet mbikëqyrësi i juaj i drejtpërdrejtë. Më këto veprime znj. Himaj Zekaj ka bërë shkelje disiplinore të përcaktuar në nenin 58 paragrafin 1 nënparagrafin 1.9 të Politikës për Marrëdhënie Pune në BQK, i cili përcakton: 1. Shkelje të lehta disiplinore konsiderohen: 1.9. Dalja nga puna pa e njoftuar udhëheqësin e drejtpërdrejtë, si dhe mos respektim të Vendimit Nr. 02/2020 të datës 21 janar 2020 për caktimin dhe respektimin e orarit të punës”, thuhet në raportin e Komisionit.

Madje, sipas këtij dokumenti të siguruar nga Nacionale, Himaj kishte qenë nën hetim nga Prokuroria për kepqërdorim të detyrës dhe ryshfet. Megjithatë, më pas kishin pushuar hetimet.

Ahmet Ismajli e Lulzim Ismajli

Dy kandidatët e tjerë për guvernator janë Ahmet Ismaili e Lulzim ismajli.

Ahmet Ismaili kishte qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në kohën kur kishte ndodhur vjedhja e më shumë se 2 milionë eurove. Ai aso kohe, e kishte pranuar se ka menduar të jap dorëheqje.

“Veprimi qe ka ndodhur eshte krejtesisht individual, duke tejkaluar autorizimet ligjore, duke ndermarre veprime te palejuara, duke krijuar perdorues false në sistem dhe duke thyer/resetuar fjalekalime te zyrtave pergjegjes te ministrise nga e cila jane marre mjetet. Ju njoftoj se ne cilësinë e Drejtorit nuk kam nënshkruar asnjë dokument dhe as s’kam dhënë asnjë aprovim për këtë rast. Për më tepër, gjatë gjithë asaj jave ne kemi qenë me grupin punues ndërqeveritar për përfundim të pakos se rimekembjes, e cila vetëm dy ditë më pas u lancua dhe ekzekutua me sukses të plotë (u ekzektuan njëherësh mbi 15 mijë pagesa, në vlerë 37.3 mil për një ditë, nga pako 60 milionë)”, thuhej në një sqarim të Ismailit pas rastit që kishte ndodhur në Thesarin e Shtetit.

Ismajli aktualisht është udhëheqës i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Kurse, Lulzim Ismajli gjithashtu është një nga emrat që garon për guvernator me një përvojë brenda këtij institucioni. Ismajli ka pasur pozicionin e zv/guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Tashmë për kandidatin fitues do të votojë Kuvendi i Kosovës.

Lajme të ngjashme