I punësuari i Vitit 2022 nga VV: Faruk Mujka
Kurti përmendte e përmendte 25 mijë vende pune gjatë vitit 2022. Por, meqë është e zorshme t’i gjejmë 25 mijë të punësuar, po i përmendim disa punësime të të afërmve të partisë dhe bashkëpunëtorëve të Kurtit. Familjarët e këtyre të fundit vazhduan të punësoheshin nëpër institucione shtetërore edhe gjatë 2022-shit, ashtu si më 2021. Por, cili ishte ‘i punësuari’ i vitit?
Edhe këtë vit po e përmbyllim me shumë emërime e punësime politike e familjare. Viti 2022 për disa ka qenë vit që kanë humbur vendin e punës, e disa të tjerë që janë rahatuar në një vend të mirë të punës. Disa e kanë pasur më të lehtë punësimin e disa janë eliminuar që në fillim të garës. Afërsia me pushtetin, me partinë, më një familjar që të punon në ndonjë institucion, ka kryer ndihmë të madhe për t’u punësuar.
Në këtë shkrim mund të lexoni për të punësuarit më të “njofshëm” si nga ana e partisë e si nga ana e ndikimi të lidhjeve familjare të ndryshme. Këtë shkrim siç e keni lexuar në titull kemi vendosur ta quajmë si i “punësuari i vitit”.
Nëse do të kishte në Kosovë meritokraci, garë korrekte, rekrutim nga ekspertë të fushës, do të ishte më e lehtë të gjeje dikë që është punësuar, por fatkeqësisht është e pamundur edhe për këtë vit.
Ndoshta keni dëgjuar në televizione apo lexuar në gazeta në internet për punësimin e Arbër Shehut. Ndoshta për të s’keni dëgjuar por për vaksinën AstraZeneca, sigurisht që po.
E, Arbër Shehu nga 28 nëntori 2022 është emëruar Drejtor i Asociuar Mjekësor në AstraZeneca. Urime, i priftë e mbara!
Të kthemi në Kosovë.
Kë do ta urojmë që është punësuar?
Nipi, daja, tezja që dikur u thanë se ishin vetëm për “ahengje familjrare”, tashmë po del që janë edhe për institucione të Kosovës. Hise në punësimin e tyre kanë politikanët që janë në pushtet. Kësisoj edhe arsyet e Qeverisë Kurti për punësimet e familjarëve të tyre, kanë ndërruar formë.
Besoj që fraza se të afërmit janë “për ahengje familjare” nuk është tashmë e preferushme të përdoret nga pushtetarët pasi pengon në punësim të të afërmve. Ashtu siç do të më linte edhe mua pa shkrimin “i punësuari i vitit”, do të linte edhe dhjetëra të punësuar gjatë vitit.
Këto punësime kanë qenë edhe një mundësi e mirë për t’i takuar të afërmit pasi edhe pse e vitit 2021 kujtojmë deklaratën e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislmi për punësimin e vitit “nuk e kam parë që 50 vjet” kur arsyetohej për nipin e tij.
Një nga avancimet më të freskëta është mbesa e deputetit të Vetëvendosjes, Jahja Kokajt, Fadile Dyla.
Dyla është emëruar në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Arsimit me një mandat 4 vjeçar. Urime, i priftë e mbara!
Tjetër punësim është Besnik Buzhala, që është zgjedhur drejtor i Zyrës për Çertifikimin e Subjekteve politike në KQZ.
Buzhala raportohet se ka lidhje me deputetin e VV-së, Adnan Rrustemin, që dikur para se të bëhej deputet ishte pjesë e KQZ-së. Edhe këtij urime, i priftë e mbara në vitin 2023!
Ditë me parë, partia në pushtet ka “kapur” edhe Ndërmarrjen Hidroekonomike "Ibër – Lepenc”.
Drejtor i ndërmarrjes publike është zgjedhur Faruk Mujka, i cili ka qenë kryetar i degës së LV-së në Mitrovicë dhe ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Mujka nuk ka pranuar se partia e tij ka pasur ndikim në punësimin e tij, por ai e ka parë si vend ideal, e që në fakt të tjerëve që nuk janë përkrahës të partisë në pushtet, u është mohuar një vend ideal për të kontribuar.
“Vend ideal për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve. Falemnderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata që më kanë besuar, përkrahur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve nga sfida në sfidë”, ka shkruar Mujka.
Megjithatë, për shkak të personalitetit të z. Mujka, humbjes së relevancës në Vetëvendosjen e Mitrovicës dhe rëndësisë së madhe të ndërmarrjes Ibër-Lepenci, po e shpallim atë “Të punësuarin e Vitit”.
Punësim i radhës është Admir Rama, vëllai i sekrearit Organizatit të Vetëvendosjes, Alim Rama.
Kallxo.com ka raportuar se kandidat për zëvendës të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë ishte Admir Rama.
Si zakonisht edhe në këtë rast është mohuar se ka pasur ndonjë ndikim.
Hiç keq nuk ia ka lënë as ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Magbule Hyseni, motra e Sveçlës, prej muajit shkurt është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Edhe për këtë punësim është thënë nga qeveritarët se nuk kanë pasur ndikim, megjithatë të lartëcekurit vazhdojnë të marrin pagë nga buxheti i Kosovës.
Rast tjetër është edhe ai i bashkëshortes së anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje Baton Kelmendi, që është punësuar në QKUK në Klinikën e Pediatrisë.
Vazhdojmë...
Yllka Syla-Uka, gruaja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, është angazhuar si asistente në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, Departamentin e Antropologjisë.
Për këtë punësim reaguan kandidatët që ishin në garë, një prej të cilave kishte të përfunduar studimet në Universitetin e Oxfordit në Britani të Madhe. E trishtë!
Po ashtu, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka emëruar në pozitën anëtarës se Këshillit drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Valbona Puka-Gola, e cila është nëna e këshilltarës politike të Nagavcit Arrita Pukës.
“Mund të ketë edhe votues të VV-së dhe ata kanë të drejtë të punësohen,” – kishte thënë ajo.
I fundit që do ta përmendim këtu është vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani, për të cilin u raportua se do të merrte pozitë shumë shumë të lartë në Bankën Qendrore të Kosovës.
Duhet kujtojmë se këtu nuk janë përfshirë punësimet apo avancimet e familjarëve të pushtetit në vitin 2021.




