Vëllai i presidentes Osmani, Ramadani, drejt pozitës së rëndësishme në BQK - NACIONALE

Vëllai i presidentes Osmani, Ramadani, drejt pozitës së rëndësishme në BQK

1 vit më parë

nga NACIONALE

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) duket se do të jetë institucioni më i ri ku do të punojë familjari i një pushtetari. Bëhet fjalë për vëllain e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, Ramadanin.

Gazeta Nacionale ka marrë vesh me anë të burimeve se vëllai i shefes së shtetit, Ramadan Osmani, ia ka mësyrë një pozitës së rëndësishme në Bankën Qendrore të Kosovës.

Bëhet fjalë për pozitën Mbikëqyrës i Lartë Bankar.

Një burim i gazetës Nacionale ka thënë se Osmani pritet ta marrë këtë postë pasi që tashmë i ka kryer të gjitha procedurat.

Nga konkursi që e ka parë gazeta Nacionale, kjo pozitë ka gradën 5.

Gazeta i është drejtuar BQK-së për këtë çështje, por ky institucion nuk e ka parë të arsyeshme t`i përgjigjet interesimit të gazetës.

Në anën tjetër, Nacionale ka provuar ta kontaktojë të vëllain e presidentes përmes emailit por qasja ka qenë e pamundur. Ramadan Osmani mësohet se punon në një bankë komerciale të quajtur Banka për Biznes (BPB).

Ndërkohë, paraprakisht, portali Kallxo ka publikuar një lajm në të cilin e thotë të njëjtën gjë: “Vëllai i presidentes Vjosa Osmani drejt punësimit në BQK”.

Sipas konkursit, z. Osmani ka marrë më së shumti pikë nga katër kandidatët për këtë pozitë.

Kjo pozitë është mjaft e rëndësishme pasi do të ketë për detyrë të kryejë ekzaminimet në vend dhe të shqyrtojë raportet e bankave.

Familje e fortë

Presidentja Vjosa Osmani del të ketë një familje mjaft të fortë, bazuar në pozitat që ushtrojnë disa familjarë të saj.

Para dy jave, edhe një familjare tjetër e presidentes Osmani ka marrë në drejtim një institucion të lartë publik.

Pas shkarkimit të Naser Sahiti, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e ka emëruar ushtruese të detyrës së rektorit Luljeta Plakolli-Kasumi, e cila është kushërirë e presidentes.

Ajo e ka pranuar edhe vetë këtë fakt.

“Familjare nuk jemi, jemi kushërira shumë të largëta që nuk mund ta zhbëjë historinë familjare dhe absolutisht kjo nuk ka ndonjë relevancë se a jam unë familjare apo jo, qoftë e afërt apo e largët e presidentes. Kështu që kjo pyetje, mos u kapni në këtë kahje. Presidentja e ka profesionin e vet, jetën e vet, zhvillimin e karrierës së vet, unë e kam timen dhe absolut nuk na lidh kurrgjë tjetër përveç një lidhjeje gjaku e largët”, ka thënë ajo, pasi është emëruar ushtruese e detyrës rektorit të UP-së.

Gjithashtu, Venera Çerkini, një familjare tjetër e Osmanit, ka marrë pozitën e zëvendësuese e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Çerkini është vajzës e tezës së Presidentes.

Ndërkohë, edhe i burri i znj. Osmani, Zotëriu i Parë, është një diplomat tashmë me përvojë me shërbim në Maqedoni të Veriut. Në anën tjetër, presidentja është edhe mbesa e Eshref Osmanit, një mjekut të njohur që tashmë punon në sektorin privat.

Presidentja Osmani para se të zgjidhej në postin e shefes se shteti ka qenë shumë kritike ndaj qeverive të kaluara për familjarizëm, ani pse arsyetimet edhe të pushtetarëve të kaluar zakonisht ishin që avancimet apo emërimet ishin bërë në mënyrë meritore.

Lajme të ngjashme