Kush është Eshref Osmani? Axha i Presidentes që punon në spital privat, që duket se ishte marrë edhe me Bajram Rexhepin - NACIONALE

Kush është Eshref Osmani? Axha i Presidentes që punon në spital privat, që duket se ishte marrë edhe me Bajram Rexhepin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Eshref Osmani, axha i presidentes Vjosa Osmani, po thuhet nga presidenca se ka qenë arsyeja pse ajo vendosi që të operohet në spitalin privat “Aloka’ dhe jo në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës. Ky i fundit, thuhet se ka asistuar gjatë ndërhyrjes dhe e ka përcjellë gjendjen e saj.

Presidentja Osmani të martën iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale (heqjes së tëmthit). Kjo procedurë u krye në spitalin “Aloka”, ku axha i saj, Eshref Osmani, del të jetë i angazhuar si doktor.

Kush është Eshref Osmani?

Doktor Eshref Osmani sipas të dhënave që gjenden në rrjete sociale rreth tij, është kirurg i përgjithshëm dhe vaskular.

Osmani, thuhet se ka përvojë mbi 40 vjeçare në institucione shëndetësore dhe ka eksperiencë në trajtimin kirurgjikal të patologjive kirurgjikale të tiroides, stomakut, zorrës së hollë dhe të trashë, pankreasit e patologjive.

Ky i fundit, shpesh ka qenë i pranishëm edhe nëpër emisione të ndryshme nëpër media, ku ka folur për fushën në të cilën ai është i angazhuar.

I njëjti, sipas informacioneve që u dhanë sot nga këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, për Kallxo.com, është pensionuar në QKUK.

Operimi i ish-kryeministrit Rexhepi dhe rasti me QKUK-në

Në vitin 2017, ish-kryeministri Bajram Rexhepi tashmë i ndjerë, i ishte nënshtruar një operacioni neurokirurgjik pas dy sulmeve në tru.

Operacioni ishte kryer në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.

Në vitin 2017, sipas raportimeve të asaj kohe, doktor Osmani kishte dalë në konferencë për media krahas mjekut Arsim Morina që ishte kryesori në operacionin neurokirurgjik, të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili kishte pësuar dy sulme në tru.

Ndërkaq para dy vitesh, përfundoi një çështje civile ku Osmani kishte kërkuar nga Klinika e Kirurgjisë e QKUK-së që t’i kompensohet shuma prej rreth 4 mijë euro në emër të tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare.

Për këto, siç raportonte Betimi për Drejtësi, Osmani kishte pretenduar se i takojnë pasi u pensionua, në bazë të Kontratës Kolektive Sektoriale të Kosovës.

QKUK-ja kishte kundërshtuar këtë padi, duke thënë se sipas Ligjit të Punës, nuk është paraparë kompensimi i këtyre pagave dhe kërkonin që padia, t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë.

Osmani në padinë e tij, kishte treguar se ka punuar deri më 22 nëntor 2018 në QKUK, kur edhe i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të daljes në pension. Atë kohë, ai kishte kërkuar nga gjykata që ta obligojë QKUK-në për kompensimin e pagave pas pensionimit.

Çfarë thanë nga presidenca për operimin e Osmanit?

Nacionale të mërkurën raportoi ekskluzivisht se presidentja i është nënshtruar një operimi, ndërkaq të enjten burime të gazetës kanë bërë të ditur se ajo lirohet nga spitali sonte ose nesër në mëngjes.

Gjendja shëndetësore e presidentes është e mirë dhe sipas të njëjtave burime, ajo ka marrë sot disa vendime.

Ndërkohë, z.Kupina, këshilltari i Osmanit, tregoi pse presidentja u operua në spital privat, duke thënë se aty punon axha i saj.

“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë të gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor”, ka thënë Kupina për Kallxo.com.

Lajme të ngjashme