Presidentja Osmani ende në spital: Nacionale mëson për shëndetin e saj dhe se çka bëri sot
Presidentja Osmani qëndroi në spital gjatë gjithë ditës së sotme (ku vazhdon të qëndrojë, ora 19:57), por duket se ajo është mirë me shëndet dhe e ka rinisur menjëherë punën pas intervenimit kirurgjik që pati mbrëmjen e së martës.
Burime të gazetës Nacionale brenda kanë konfirmuar se presidentja lirohet nga spitali “Aloka” sonte më vonë, apo në mëngjesin e së premtes.
“Aty është ende. Besoj që ose sonte në mbrëmje, ose nesër në mëngjes lirohet. Presidentja veçse është duke punuar, 3-4 vendime i ka marrë vetëm sot”, ka bërë të ditur ky burim.

Sipas burimeve te Nacionales, presidentja ka arritur në spitalin privat Aloka prej mëngjesit të ditës së djeshme, 2 nëntor 2022.
Kjo nënkupton se presidentja e vendit është në spital tash e rreth 36 orë
Po ashtu, disa prej veturave mësohet se janë në ‘podrum’ të spitalit.
Nacionale të martën mbrëma raportoi ekskluzivisht se presidentja e vendit është shtrirë në spital pas një intervenimi kirurgjik (heqja e tëmthit).
Nga Presidenca në një komunikatë veçse kishin lajmëruar se presidentja e vendit e kishte kaluar me sukses operimin. Po ashtu ata kishin thënë se ajo do ta niste punën gradualisht.
Pas raportimit, reagoi Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media konfirmuan se ajo ia ka bartur kompetencat dhe përgjegjësitë e presidentit, kryekuvendarit, Glauk Konjufca.
"Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Sipas komunikatës gjithnjë, nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’u kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

