"Veç televizor s'ka pasë": Mjekët në QKUK ndihen të fyer, thonë se Vjosa Osmani s'duhej të operohej në spital privat
Të zhgënjyer e të ofenduar ndjehen Kirurgët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani që një intervenim shëndetësor ta kryente në spitalin privat ‘Aloka’. Mjekët po theksojnë se presidentja Osmani me këtë veprim ka shkelur rëndë punën e mjekëve të sektorit publik e i ka bërë reklamë sektorit privat dhe u ka dhënë pasqyrë të gabuar qytetarëve. Nga QKUK theksojnë se presidentes do t’ia plotësonin të gjitha kushtet, pos njërës: pajisjes me një televizor.
Intervenimi kirurgjik i heqjes së tëmthit ose idhëzes, mund të kryhet lehtësisht në QKUK pa paguar as edhe një cent. Kështu po deklaron Ferat Sallahu, drejtor i klinikës së Kirurgjisë Abdominale.
“Në QKUK intervenimin çdokush e ka pa asnjë cent. Të gjitha i ka gratis. Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale kemi qenë mirë të furnizumë. Në kuptimin e përgjithshëm, sikur presidenca të ishte konsultu me ne, të gjitha kushtet iu kishin kriju, ndoshta edhe më mirë se sa ku u trajtu. Ajo i ka dhënë një vulë shëndetësisë publike që të mos operohet askush”, thotë doktori Ferat Sallahu për Nacionalen.
Sallahu në një deklaratë për Gazetën Nacionale ka bërë të ditur se intervenimi i heqjes së tëmthit hyn në rangun e intervenimeve që 99.9 për qind kalohen me sukses.
“Qasja operative që e ka kry Presidentja hyn në rangun e operacioneve të lehta kirurgjike. Ni operacion që në rutinën kirurgjike e kryen çdo specialist që e përfundon specializimin”, i tha Sallahu Nacionales.
Duke folur për veprimin e presidentes së vendit Vjosa Osmanit që e cila të mërkurën iu nënshtrua një operacioni për heqjen e idhëzes në spitalin privat ‘Aloka’, doktori i QKUK-së tha se ndjehen të fyer e të ofenduar nga një veprim i tillë i presidentes Osmani. Sipas tij QKUK-ja do t’i ofronte komoditetin e duhur presidentes që ta kryente një intervenim të tillë.
“Brenda natës nëse kish qenë urgjent, ish kry tek ne, me të gjitha kushtet që i ka pasë atje. Ndoshta edhe më mirë, veç televizorin nuk kishim mujte me ia siguru”, thotë Sllahu.
Mjeku i QKUK-së ka deklaruar se komandantja supreme, Vjosa Osmani i ka dhënë pasqyrë shumë të keqe QKUK-së.
“Për keqardhje është ky anashkalim që i është bërë institucionit tonë shëndetësor e shtetëror. Të vetmin që e kemi në krye të shëndetësisë në nivel vendi. Në të gjithë Kolegjiumi i Kirurgëve profesional kemi qenë të zhgënjyer dhe them të drejtën të ofenduar sepse është mosmirënjohje në anën profesionale. Kirurgët e mi e bëjnë një punë të palodhshme me një pagë që është mizerje dhe prapë krerët e shtetit nga të cilët ne kërkojmë përkrahje si në aspektin financiar, investime e marketing që qytetari ta ketë besimin në institucionet shtetërore, ajo neve na ka anashkalu”, ka theksuar doktor Sllahu për Nacionalen.
Ai ka deklaruar se doktorët kosovarë kanë nevojë për përkrahjen e shtetit.
“Kjo formë e injorimit nga ajo është e rëndë. Ne në këto kushte punojmë në këto paga. Kjo është pa koment. Ne duam përkrahjen e shteti. Qytetari duhet ta krijojë besimin, kur një persidente nuk guxon të operohet në Qendrën Klinike, atëherë çka po presin qytetarët. Asnjë qytetarë nuk e ka guximin të operohet te unë”, thotë tutje drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale të QKUK-së Ferat Sallahu.
Ai ka përmendur edhe një fakt tjetër interesant. Atë se si mjekët e Alokas, ata që e operuan zonjën Osmani, kanë qenë nxënës të tij në QKUK.
“Kur tek unë të gjithë ata që punojnë në privat, trajnimin për laparskopi e kanë kry te unë. Politikanët janë vet ata që po i shkelin rregullat që vet po i shkrujnë. Akti moral i saj për këtë çështje le të jetë në ndërgjegjen e saj. Kishte qenë mirë me i pa ne regjion politikanet se si kane vepru kur e kanë shkelë një rregull. Ka bukur shumë vende që kur një institucion bën këso shkelje, dhe e shkelë shpinë e vet, dihet se çka i pret.”, tha ai.
E presidentja Osmani, vazhdon që të qëndrojë e hospitalizuar në spitalin privat ‘Aloka’. Nuk dihet se kur ajo do të dalë prej at.
E në klinikat private një operim i ngjashëm si i presidentes Osmani, ka çmime të ndryshme.
Në spitalin “Aloka” ku është operuar presidentja Osmani operimi më i thjeshtë i tëmthit fillon nga 500 euro. Kjo është marrë vesh nga gazetarët e Nacionales që po qëndrojnë në afërsi të spitalit.
Kurse, analizat të cilat bëhen para operacionit kushtojnë 200 deri në 300 euro, në spitalin Aloka.
Çmime më të larta ka Spitali Amerikan. Nga ky spital, i kanë thënë Nacionales se heqja e tëmthit (idhëzës) kushton nga 1 mijë e 100 deri në 1 mijë e 900 euro nëse bëhet me laparoskopi.
"Heqja e idhzës në mënyrë elektive kushton 1100 euro kurse në rastet akute kushton 1900 me laparoskopi", ka thënë nga Spitali Amerikan.
Nacionale dje ka raportuar ekskluzivisht për operimin e presidentes Osmani. Tek pas raportimit, kjo u konfirmua edhe nga Presidenca.



