Mjekët e QKUK-së kryejnë një operacion të rrallë - NACIONALE

Mjekët e QKUK-së kryejnë një operacion të rrallë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një operacion i rrallë është kryer në QKUK gjatë ditës së enjte. Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale një pacient kishte shkuar për kontroll rreth një defekti të lindur në murin e përparmë të gjoksit.

Për një problem të tillë, kosovarët gjithmonë mjekim kishin kërkuar jashtë vendit.

Por mjekët e Torakales, siç duket tash janë të vendosur që anomalitë e tilla t’i trajtojnë në QKUK.

Të paktën kështu është bërë e ditur përmes SHSKUK-së në një njoftim për media.

“Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare është kryer një intervenim, i cili më herët nuk është bërë në Kosovë. Bëhet fjalë për heqjen e Pectus Bar (pjesë metalike që vendoset për korrigjimin e defektit të lindur të murit të përparmë të gjoksit). Kjo ndërhyrje kirurgjike është realizuar më parë vetëm jashtë vendit”, thuhet në njofimin e SHSKUK-së.

Megjithëkëtë, kosovarët ende po kërkojnë shërim jashtë vendit. Institucionet publike shëndetësore në Kosovë po vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime. E numri i atyre që po kërkojnë shërim jashtë vendit, po del të jetë mjaft i madh.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, 203 kosovarë kanë kërkuar ndihmë financiare për shërim jashtë Kosovës.

Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në dy muajt e parë të këtij viti, pra në muajt janar dhe shkurt, ndihmë financiare në këtë fond, kanë kërkuar 203 kosovarë. Prej tyre 49 persona janë nën moshën 18 vjeçare si dhe 154 të tjerë janë mbi 18 vjeç.

Shtetet ku më së shumti po kërkohet shërim sipas këtij Fondi janë Turqia, Shqipëria e Maqedonia.

Për cilat sëmundje po kërkohet më së shumti shërim?

Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.

“Klinikat te cilat referojnë me se shumti janë: Pediatria (rastet kardiokirurgjie, leukemi dhe sëmundje te tjera malinje), Ortopedia, Radiologjia (sëmundje malinje), Oftalmologjia, Kardiologjia”, thuhet në përgjigjen e Fondit dhënë gazetës Nacionale.

Ndërkaq në programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore, janë 30 mijë euro të ndara për një pacient, si shumë maksimale që pacienti mund të përfitojë nga Ministria e Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme