KEK-u me militantë të VV-së: Opozita formon komision për t’i hetuar punësimet - NACIONALE

KEK-u me militantë të VV-së: Opozita formon komision për t’i hetuar punësimet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Subjektet politike opozitare kanë arritur t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar shpenzimet e parasë publike për blerjen e rrymës gjatë krizës energjetike.

Shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se ky komision do t’i hetojë edhe punësimet që së fundi janë bërë në këtë ndërmarrje publike.

“Ne i kemi mbledhur 40 nënshkrime për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar në raport me abuzimet që kanë ndodhur me paranë publike, qoftë me blerjen edhe me prodhimin e energjisë. Dhe në kuadër të tij do të trajtohen edhe abuzimet e keqpërdorimet që kanë ndodhur së fundmi në KEK. Këtu do të zbardhen shumë parregullsi e shumë abuzime që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe. Çfarëdo abuzimi që mund të ketë ndodhë gjatë zgjedhjes së kryeprokurorit, ne normalisht e dënojmë dhe nuk e përkrahim”, ka thënë Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas tij, ky komision hetimor do të zbardhë shumë parregullsi.

“Kërkesa jonë do të dërgohet sot tek administrata dhe besoj që të enjten do të themelohet komisioni sepse tashmë i kemi 40 nënshkrime. Ky komision hetimor parlamentar do të zbardhë shumë parregullsi dhe shumë të meta e abuzime që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se për këtë komision është shumë e rëndësishme që ta hetojë edhe konkursin e fundit në KEK.

“Një çështje tjetër që është diskutuar në kryesi lidhet me kërkesën tonë për votim parlamentar dhe i kemi mbledhur të gjitha nënshkrimet. Është me rëndësi që trajtimi i energjisë dhe punësimet në KEK të trajtohen në komision dhe të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Tahiri.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se partia e tij nuk është kundër themelimit të këtij komisioni.

“Sot kryesia vendosi që të enjten të mbahen dy seanca edhe për ligjin për këshillin prokurorial. Pastaj kemi dy kërkesa nga partitë opozitare gjendjen e sigurisë në vend dhe njëvjetorin e qeverisë. Kur kërkohet nga 40 deputetë votohet vetëm përbërja. Në rastin konkret do të diskutojmë për përbërjen. Ne nuk kemi asgjë kundër komisionit”, ka thënë Rrustemi.

Në muajin e kaluar subjektet opozitare nuk kishin arritur ta themelojnë një komisioni të tillë, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përkrahën propozimin e opozitës.

Lajme të ngjashme