Alarmante: Rilind Gërvalla, aktivisti i devotshëm dhe donatori i VV-së, i pari në listë për drejtor të televizionit në RTK
Partia në pushtet del se ka arritur të fus dorën e saj të rëndë edhe në transmetuesin publik, RTK. Nacionale ka mësuar se në konkursin e fundit i pari me pikë ka dalë aktivisti i partisë në pushtet, Rilind Gërvalla.
As historia e gjatë e ndikimit të partive politike në pushtet te transmetuesi publik duket se nuk ka mjaftuar që të shtohet kujdesi që një gjë e tillë të mos ndodh tash e tutje.
Përkundër që bordi i ri i RTK-së së bashku me drejtorin e përgjithshëm në mbledhjet e komisionit parlamentar që merret me çështjen flasin vazhdimisht për heqjen e ndikimit politik dhe pavarësinë e tyre – del se, një nga pozitat më të rëndësishme, ajo e drejtorit të televizionit, do të bie në mënyrë direkte e flagrante nën ndikimin politik.
Sipas burimeve të Nacionales, në vend të parë në konkursin për drejtor të televizionit doli Rilind Gërvalla. Komisioni vlerësues për këtë konkurs ishte krijuar nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekajt.
Por, këtij komisioni duket se nuk i ka bërë përshtypje fare lidhja direkte politike e Rilind Gërvallës me Vetëvendosjen. Ky i fundit nuk është thjesht aktivist i kësaj partie, por edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë së cilës i prin kryeministri Albin Kurti.
Rregullorja e RTK-së për kandidatët që konkurojnë për pozita menaxheriale – siç është ajo e drejtorit të televizionit – e thonë qartë se kriter kryesor për të qenë pjesë e menaxhmentit të RTK-së është që kandidati të mos jetë pjesë e partive apo forumeve të partive politike të paktën në tri vitet e fundit.
Në vegëzat që kemi futur në këtë artikull, por edhe në shumë materiale të tjera që janë të qasshme për të gjithë, mund ta vëreni se një gjë e tillë është shpërfillur krejtësisht nga ana e komisionit të krijuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ahmetxhekaj.
Por, siç tashmë e dimë aktivisti i Vetëvendosjes në vend se të diskualifikohej doli i pari.
Atë mund ta shohim në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, bile edhe derisa merr pjesë në mbledhjet e këtij organi partiak.
Përveç kësaj, Rilindi që mund të zyrtarizohet prej javës tjetër si i pari i televizionit publik, ishte edhe mes donatorëve të Vetëvendosjes.
Në disa fotografi, Rilind Gërvalla madje shihet nën shoqërimin e dy prej anëtarëve të grupit të Vetëvendosjes nga Tirana, Boiken Abazit e Arbër Zaimit. Ky grup konsiderohet të jetë prej më radikalëve në partinë e kryeministrit Albin Kurti.
Nacionale ka kontaktuar me Drejtorin e Bordit të RTK-së, z. Besnik Boletini, por i cili i tha gazetës Nacionales se ende po zhvillohen procedurat për këtë çështje.
“Ne deri më tani ende nuk kemi marrë propozimin për këtë pozitë, pasi që procedurat janë duke u zhvilluar në menaxhment,” – ka thënë ai.
Po ashtu, Nacionale kontaktoi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, z. Shkumbin Ahmetxhekaj, për ta pyetur nëse ishin në dijeni për lidhjet direkte të z. Gërvalla me Vetëvendosjen por i cili deri në këtë moment nuk ka kthyer përgjigje.
Kujtojmë se menaxhmenti aktual i RTK-së ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në të kaluarën për të denoncuar me të drejtë politizimin e transmetuesit publik.
Mbetet të shihet nëse në bazë të poentimit do të vijohet më tej ose nëse konkursi në fjalë do të anulohet.