Bloombergu kërkoi t'i bëhej presion Kurtit me heqjen e KFOR-it, kryeministri kërkonte shtim të numrit të trupave
Dy herë brenda pak ditëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi më shumë trupa ushtarake të NATO-s në Kosovë. Njëra prej këtyre deklaratave, u bë pikërisht mbrëmë. Por sot, një prej mediumeve më të njohura në Amerikë do të dilte me një shkrim, ku mes tjerash, thuhej se atij duhet t’i bëhet e ditur se misioni i KFOR-it, nuk do të qëndrojë përjetësisht në Kosovë. Çka deklaroi Kurti, e çka shkroi Bloomberg?
Me rritjen e tensioneve në veri, kryeministri Kurti duket se i ka shpeshtuar thirrjet e tij për shtim të trupave të KFOR-it në Kosovë.
Çka tha më 1 janar?
Mediumi gjerman “Welt” me një janar të vitit 2023 do të publikonte një deklaratë të Kurtit, ku ky kërkonte shtim të këtyre trupave.
Kjo kërkesë erdhi pak ditë pas heqjes së barrikadave që qëndruan të vendosura në disa lokacione në veri për rreth 20 ditë.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – kishte thënë kryeministri i vendit.
Çka tha më 11 janar?
Në një intervistë për “Der Standard”, e cila është publikuar të mërkurën, Kurtit i është përmendur edhe presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa.
Në vazhdim, iu shtrua pyetja: “Çfarë bashkëpunimi dëshironi të keni me fuqitë perëndimore?”
Përgjigja e kryeministrit, do të kalonte nga bashkëpunimi me partnerët, te ambasadori rus në Beograd, dhe në fund, te ripërsëritja e kërkesës.
“Unë bashkëpunoj shumë ngushtë me ShBA-të, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Kemi më shumë bashkëpunim me administratën amerikane aktuale, se sa me të kaluarën. Por që nga fundi i shtatorit 2021, MiG-29 (avionë luftarakë) zbritën në kufirin tonë dhe trupat serbe iu afruan kufirit, situate ka ndryshuar. Unë mund të debatoj me Serbinë, por kur ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Bocan-Kharchenko vjen me avionë luftarakë, atëherë është diçka tjetër. Për këtë arsye, do të doja të shihja më shumë ushtarë të NATO-s këtu në Kosovë.” – ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës.
Bloombergu godet
Bordi editorial i Bloomberg, medium prestigjioz amerikan i afërt me Partinë Demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar të enjten një opinion të titulluar “Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të shpërbëhet”.
Thuajse gjithë teksti ka një përmbajtje mjaft te ashpër, por një pjesë ku përmendet NATO, duket të bëjë thirrje për më shumë presion ndaj liderëve shtetërore të Kosovës.
jo që është edhe më e ashpër, duket të jetë një kërkesë që i është bërë ShBA-së në këtë shkrim, ku thueht se “gatishmëria e NATO-së për të mbajtur forcat e saj në terren (të Kosovës) nuk është e përjetshme”.
Madje, thuhet se kjo mbështetje “duhet të kushtëzohet” me marrëdhënien e Qeverisë me komunitete serbe.
“Nga ana e saj, SHBA duhet t'u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përjetshme. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe.” – shkruan mes tjerash.
Opinionin e plotë mund ta lexoni më poshtë:



