Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të shpërbëhet - NACIONALE

Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të shpërbëhet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas më shumë se dy dekadash që nga hyrja e NATO-s në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit është sërish në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftimeve që mund të tërheqin Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s që gjenden ende në Kosovë.

Bordi editorial i "Bloomberg"

Me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim. ShBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se të fillojë.

Shtëpia e rreth 1.8 milionë njerëzve, kryesisht shqiptarë etnikë, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Serbia refuzon ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe ka mbështetur përpjekjet e serbëve etnikë që jetojnë në veri të vendit për t'i rezistuar autoritetit të qeverisë qendrore në Prishtinë.

Një marrëveshje e vitit 2013 e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian kërkon që Kosova të lejojë një shkallë të vetëqeverisjes për komunitetet etnike serbe. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti kundërshton një gjë të tillë, për sa kohë që qeveria serbe në Beograd mohon të drejtën e Kosovës për të ekzistuar.

Përplasja u intensifikua vjeshtën e kaluar, kur qeveria e Kurtit zbatoi rregullat që kërkonin që serbët etnikë të përdorin targa të lëshuara nga qeveria e Kosovës, e jo nga e Serbisë. Politika shkaktoi dorëheqjen masive të serbëve etnikë që shërbenin në qeverisjen lokale, duke përfshirë rreth 600 oficerë policie. Banorët në zonat me shumicë serbe të Kosovës ngritën barrikada për të bllokuar hyrjen e forcave qeveritare; kur autoritetet filluan arrestimin e protestuesve, Serbia ngriti alarmin luftarak për forcat e saj ushtarake dhe kërcënoi se do të ndërhynte. Nën presionin e zyrtarëve perëndimorë muajin e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i bindi protestuesit të hiqnin barrikadat, por tensionet kanë vazhduar.

Për normalizimin e marrëdhënieve, BE-ja ka caktuar një afat kohor deri në mars për Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje. Edhe pse perspektivat për sukses duken të zbehta, e kundërta do të ishte më keq. Negociatat e dështuara do të inkurajonin oportunistët nga të dyja palët për të nxitur pasionet sektare për përfitime politike. Siç ndodhi gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, edhe përleshjet e nivelit të ulët mund të përshkallëzohesn me shpejtësi në konflikt etnik në shkallë të plotë, këtë herë me mijëra trupa të NATO-s të kapur në mes. Armiqësi të tilla do të përkeqësonin më tej marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë, e cila po kërkon të rrisë ndikimin e saj mbi Serbinë dhe të pengojë integrimin e saj në BE.

Evropa nuk mund të përballojë një luftë tjetër. Parandalimi i një të tille do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rinisur dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t'i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet ndaj policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim derisa Beogradi t’i qëndrojë një afati kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Nga ana e saj, ShBA-ja duhet t'ua bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përhershme.

Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që garanton një vetëqeverisje më të madhe për komunitetet serbe.

Kombet ballkanike për dekada kanë qenë duke u munduaar që t’i shpëtojnë një historie ndarjesh e grindjesh. Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon - dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popullin e tij.

Lajme të ngjashme