Uzurpimi i institucioneve, PDK-ja dhe Aleanca sërish ia kujtojnë Kurtit se askush nuk është mbi Kushtetutën
Protesta e PDK-së dhe Aleancës para objektit të Qeverisë ka vazhduar edhe sot.
Bashkë me deputetët e këtyre partive, sot të hyrja e Kryeministrisë kanë dalë edhe asamblistët, drejtorët e aktivistët nga komuna e Mitrovicës.
Deputetët e këtyre partive opozitare edhe një herë ia kanë rikujtuar deputetit Albin Kurti se askush nuk është mbi Kushtetutën e Kosovës.
Ata kanë bërë me dije se nuk do të ndalin protestat e tyre deri në rikthimin e rendit kushtetues.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i ka kërkuar liderit të VV-së konstituimin e Kuvendit.
“Edhe sot jemi këtu para dyerve të qeverisë bashkë me kolegë nga Partia Demokratike, Aleanca dhe struktura të tjera të dy partive, për të vetmin qëllim. Që ti tregojmë Albin Kurtit t’ia rikujtojmë që askush nuk është mbi kushtetutën. Deputeti Kurti mundet me ik nga përgjegjësia që të dal dhe të jap llogaridhënie para nesh, mirëpo nuk mund asnjëherë të ik para përgjegjësisë ndaj respektimit të rendit dhe ligjit dhe ndaj respektimit të vullnetit të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka pasur të njëjtën thirrje për deputetin Albin Kurti.
Ai ka vlerësuar se funksionalizimin e institucioneve duhet ta marrin personat që kanë marrë mandat nga zgjedhjet e fundit.
“Jemi para objektit të qeverisë, në fund të fundit si objekti i qeverisë si ai i kuvendit janë vetëm objekte, por në fakt kërkojnë që të marrin përgjegjësi njerëz që kanë marrë obligime nga zgjedhjet e fundit. Njerëz që kanë marrë obligime dhe nuk e çojnë mesazhin në vend duke marrë përgjegjësitë e veta, sikurse është deputeti Kurti që ka uzurpuar pozitën e kryeministrit, duke qenë njëkohësisht deputet bashkë me vartësit e tij, ka uzurpuar institucionin edhe të kuvendit, pra si institucionin më të lartë ligjvënës, duke bllokuar jetën e qytetarit që nga niveli lokal”, ka thënë ajo.