‘Kur ambasadori rus vjen me avionë luftarakë...’: Kurti sërish kërkon më shumë trupa të KFOR-it në Kosovë - NACIONALE

‘Kur ambasadori rus vjen me avionë luftarakë...’: Kurti sërish kërkon më shumë trupa të KFOR-it në Kosovë

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se do të dëshironte më shumë trupa usharake të NATO-s në misionin e KFOR-it. Krejt këtë, ai e ka thënë në një intervistë për “Der Standard” kur u pyet rreth bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Si e ndërlidhi këtë deklaratë me ambasadorin rus në Beograd?

Ishte pikërisht data një janar e këtij viti, kur kryeministri Kurti do të mbulonte ballinat e mediave vendore me një deklaratë të tij, të cilën e kishte dhënë, po ashtu për mediumin gjerman “Welt”.

Kurti, pas një krize në veri dhe barrikadave që qëndruan të vendosura për 20 ditë, kërkoi më shumë trupa ushtarake të KFOR-it në vend.

“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – kishte thënë kryeministri i vendit.

E thotë sërish

Në një intervistë për “Der Standard”, e cila është publikuar të mërkurën, Kurtit i është përmendur edhe presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa.

Në vazhdim, iu shtrua pyetja: “Çfarë bashkëpunimi dëshironi të keni me fuqitë perëndimore?”

Përgjigja e kryeministrit, do të kalonte nga bashkëpunimi me partnerët, te ambasadori rus në Beograd, dhe në fund, te ripërsëritja e kërkesës.

“Unë bashkëpunoj shumë ngushtë me ShBA-të, Gjermaninë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Kemi më shumë bashkëpunim me administratën amerikane aktuale, se sa me të kaluarën. Por që nga fundi i shtatorit 2021, MiG-29 (avionë luftarakë) zbritën në kufirin tonë dhe trupat serbe iu afruan kufirit, situate ka ndryshuar. Unë mund të debatoj me Serbinë, por kur ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Bocan-Kharchenko vjen me avionë luftarakë, atëherë është diçka tjetër. Për këtë arsye, do të doja të shihja më shumë ushtarë të NATO-s këtu në Kosovë. – ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës.

Kurti mes tjerash, i ka thënë gazetës se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon formimin e Asociaconit duke u bazuar në kritere etnike.

Pyetja e radhës që iu shtrua ishte kjo: “Pra ju po përjashtoni një Asociacion me komunitet serb?”.

Këtu, erdhi një përgjigje interesante e Kurtit ku përmendi serb, Aleksandër Vuçiq.

“I kam thënë Vuçiqit që e kam përshtypjen se ai nuk dëshiron asociacion të komunave, sepse nuk mund të kërkosh asociacion dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Nuk mund të servosh një makiato pa një filxhan kafe.” – tha kryeministri i Kosovës.

“Nuk kam qëllim t’i zëvendësoj serbët me shqiptarë”

Kurti ka folur edhe për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, duke përmendur se kanë hapur konkurs për pozitat në Policinë e Kosovës.

“Nuk kam qëllim që t’i zëvendësoj serbët me shqiptar. Një komision do të vendos se kush do të pranohet.” – tha fillimisht ai.

Kryeministri shtoi se nuk dëshiron t’i përjashtojë zyrtarët që dhanë dorëheqje, “por se nuk do t’i ftonte ata për rikthim sepse dëshiron që edhe të tjerët aplikojnë”.

Ndërkohë, në nëntor të vitit që lam pas, serbët vendosën që të largoheshin nga institucionet e Kosovës si shenjë pakënaqësie për vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth regjistrimit të veturave që kishin “targa ilegale”.

Në mesin e zyrtarëve të dorëhequr, kishte edhe policë. Kështu, para ditësh Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë në veri.

Në njoftim theksohet se zyrtarët policorë do të pranohen sipas kushteve të parapara të konkurimit për të gjitha komunitetet pakicë.

Lajme të ngjashme