KFOR-i më në fund refuzoi kërkesën serbe për kthimin e ushtrisë, por pse e rritën kaq shumë dramën?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka treguar sot që KFOR-i i ka kthyer përgjigje negative në kërkesën luftënxitëse që të kthente forcat e saj të sigurisë në Kosovë. Por, pse kjo kërkesë mori kaq shumë kohë për përgjigje?
Ishte 16 dhjetori, ose dita e gjashtë e barrikadave – kulmi i tensioneve në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë, barrikadat, etj – kur Serbia do t’i dorëzonte misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë kërkesën për kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë. Presidenti Vuçiq dhe gjithë vartësit e tij po e konsideronin situatën në veri si kërcënuese për sigurinë e serbëve në mënyrë të padrejtë.
Madje, Vuçiq në një mënyrë edhe do ta merrte ‘me të mirë’ KFOR-in duke thënë se ishte më i kënaqur me ta se sa me shumë qeveri perëndimore. Ai do të përmendte mes tjerash edhe një dokument që gjoja se lejonte përmbushjen e një kërkese të tillë.
Por, KFOR-i... megjithatë nuk do të ishte krejtësisht i prerë!
Fjalët e KFOR-it prej 16 dhjetorit e këndej u bënë shumë të rëndësishme pikërisht shkaku i kërkesës luftënxitëse serbe.
Pesë ditë pas kërkesës, më 21 dhjetor, KFOR-i do të thoshte për herë të parë se “po e analizonte kërkesën e Serbisë”. Pra, po e analizonte kthimin e një ushtrie pasardhëse të asaj që do të kryente mizori të papara në Republikën e Kosovës.
Thjesht kjo ‘analizë’ u konsiderua fyese në Kosovë dhe prodhoi shqetësim. Por, kjo do të nxiste edhe kritika nga Vetëvendosje, megjithëse fillimisht në mënyrë paksa më të rezervuar.
Sipas profesorit universitar Donik Sallova, deklarata e KFOR-it ishte tepër fyese.
“KFOR-i e ofendon rëndë popullin e Kosovës kur deklaron se "po e analizojmë kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë". Çfarë analize, çfarë kërkese, çfarë kthimi? A e di ky KFOR se ushtria serbe në Kosovë ka qenë ushtri pushtuese që ka vra, ka pre e ka dhunu të pafajshëm, gra, fëmijë e pleq? Si mund të shqyrtohet kërkesa e një ushtrie të tillë kur dihen bëmat dhe qëllimet e saj të pandryshuara? Ushtria serbe kurrë s'ka qenë e pranuar nga populli i Kosovës, prandaj termi "kthim - si një e drejtë legjitime e dikujt për t'u kthyer në vendin që i takon" nuk ekziston për ushtrinë serbe në Kosovë. KFOR-i do duhej ta refuzonte edhe pranimin e kësaj "kërkese", e lëre më analizimin dhe shqyrtimin.” – kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Më pas, KFOR-i do të shprehte të tjera qëndrime shqetësuese kur kërkonte që çështja e barrikadave të zgjidhej përmes ‘dialogut mes palëve’. Dialog mes bandave kriminale dhe Qeverisë së Kosovës?
“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut,” – thuhej nga komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia.
Por, këto fjalë të komandantit Angelo Michele Ristuccia nuk ndaleshin këtu. Të çuditshme ishin edhe këto si vijon:
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të mos ndikojnë në procesin e dialogut”.
Duhet të kujtojmë se KFOR-i është kritikuar nga deputetët e partisë në pushtet edhe për mos-heqjen e barrikadave në komunat veriore me shumicë serbe.


