KFOR-i refuzon kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë - NACIONALE

KFOR-i refuzon kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

KFOR-i i ka kthyer përgjigje negative Serbisë për kërkesën e saj për kthimin e një mijë trupave në Kosovë. Kjo është konfirmuar nga presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë ditës së sotme.

Vuçiqi duke e zbutur përgjigjen ka thënë se KFOR-i beson që nuk ka nevojë për kthimin e trupave serbe në Kosovë. Më tej ai shtoi se KFOR-i nuk ishte bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit sa i përket rolit të saj - në bazë të të cilës (siç pretendonte Serbia) ishte përpiluar edhe kërkesa).

Ai ka thënë se të gjithë e dinim dhe e prisnim atë përgjigje.

“Nuk mendoj se shumë njerëz pyesin për përgjigjen, më duket se të gjithë e dinim dhe e prisnim atë përgjigje. Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, e më pas përmes kabinetit ushtarak edhe me të cilin jam njohur, janë përgjigjur se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Serbisë në territorin e Republikës. të Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244 ku theksojnë rolin e tyre, por nuk kanë bërë thirrje për pjesën e Rezolutës ku lejohet,” - shtoi Vuçiq në deklaratën e tij.

KFOR-i

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë megjithatë kishte prodhuar pa dashje një farë drame me kohën e gjatë që i mori për përpilimin e kësaj përgjigjeje.

Për më keq, KFOR-i disa javë më parë ishte shprehur se "po analizonte kërkesën e Serbisë" në disa raste duke ngritur edhe shqetësime në vend. Megjithatë, askush nuk ka pritur që misioni paqeruajtës që efektivisht dëboi trupat serbe nga Kosova të lejonte rikthimin e tyre.

Në anën tjetër, kërkesa e Serbisë është parë si luftë-nxitëse dhe ishte bërë në mes të tensioneve që u shkaktuan shkaku i barrikadave në komunat veriore me shumicë serbe.

KFOR-i ishte kritikuar edhe për mos-heqjen e këtyre barrikadave, e ndërkohë pikërisht ata kishin kërkuar kohë nga kryeministri i Kosovës (sipas këtij të fundit) që ta bënin një gjë të tillë. Barrikadat ishin hequr vetëm pasi i ishte ndryshuar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq.

Për më keq, komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia kishte dhënë një deklaratë që ishte konsideruar si mjaft problematike nga ana e pushtetit në Kosovë.

“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut,” – thuhej në këtë përgjigje.

Kurti dhe vartësit e tij kishin thënë që nuk do të dialogonin me bandat kriminale serbe.

Lajme të ngjashme