VV kërkon 'intervenim' të ri të NATO-s: A po ia merr KFOR-i ‘fytyrën’ Albin Kurtit qëllimisht? - NACIONALE

VV kërkon 'intervenim' të ri të NATO-s: A po ia merr KFOR-i ‘fytyrën’ Albin Kurtit qëllimisht?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një përplasje e re, e papritur dhe shqetësuese ka nisur në Kosovë: Vetëvendosje vs. KFOR-i. Ashtu siç edhe pritej, përplasja duket të jetë e njëanëshme, me KFOR-in që natyrshëm nuk reagon dhe nuk përfshihet në politikë. Por... është përnjëmend kështu?

Vetëvendosje e ka parë me sy kritik intervenimin e NATO-s më 1999. Por, tash më 2022 kjo parti po pret pikërisht një intervenim të ri të NATO-s për të kapërcyer një ngërç politik të paparashikueshëm. Po kërkon heqjen e barrikadave nga rrugët e bllokuara në veri të vendit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri të ditur dje se donte ta takonte komandantin e KFOR-it pas Krishtlindjeve për të sqaruar gjithçka. Ai tha se misioni paqeruajtës i NATO-s i kishte kërkuar “pak kohë” për barrikadat, të cilat s’janë hequr ende.

Sot është dita e gjashtëmbëdhjetë e barrikadave, dhe kryeministri i Kosovës po e rrezikon ‘fytyrën’ e tij para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare me secilën ditë që kalon. Dhe se ‘fytyra’ është në pyetje, ai pak a shumë e kishte thënë edhe vetë.

Por, a janë veprimet e KFOR-it ‘politike’?

Dita III e barrikadave

Ishte vetëm dita e tretë e barrikadave kur kryeministri Albin Kurti do ta përdorte fjalën ‘zbutje’ për ta përshkruar vendimin – nëse mund të quhet vendim – që Qeveria e tij t’i jepte KFOR-it kohë për t’i hequr barrikadat.

“KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje, le të quhet zbutje.”thoshte Kurti më 11 dhjetor.

Me pak kohë, ai mund të ketë menduar dy-tri ditë. Jo pesëmbëdhjetë.

Dita XIII e barrikadave

Barrikaduesit vazhdojnë të mos tërhiqen. Por, në terrenin politik kishte mjaft lëvizje. Serbia i kishte bërë kërkesë KFOR-it që t’i fuste njëmijë trupa të saj në Kosovë. Dhe KFOR-i më 21 dhjetor do të deklaronte se “po e analizonte kërkesën e Serbisë”.

Thjesht kjo ‘analizë’ u konsiderua fyese në Kosovë dhe prodhoi shqetësim. Por, kjo do të nxiste edhe kritika nga Vetëvendosje, megjithëse fillimisht në mënyrë paksa më të rezervuar.

Dita XIV e barrikadave

Në ditën e katërmbëdhjetë të barrikadave, KFOR-i do të tregohej edhe më ‘rëndues’ ndaj Qeverisë Kurti.

Megjithëse Kurti kishte kohë që po priste zhbllokimin e rrugëve, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë përmes komandantit të saj lëshoi disa fjalë të papritura ku kërkonte ‘dialog mes palëve’.

“KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut,” thuhej në këtë komunikatë.

Por, këto fjalë të komandantit Angelo Michele Ristuccia nuk ndaleshin këtu. Të çuditshme ishin edhe këto si vijon:

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të mos ndikojnë në procesin e dialogut”.

Narrativa mashtruese?

Ju kujtojmë se pikërisht Ristuccias i kërkoi takim “për të sqaruar gjithçka” kryeministri i vendit tonë, Albin Kurti.

A po luan KFOR-i me Kurtin?

Fakti që KFOR-i nuk ka reaguar tash e gjashtëmbëdhjetë ditë është në vetëvete poshtërues për kryeministrin e Kosovës i cili vazhdon të pres për intervenimin e tyre. Por, të çuditshme dhe po ashtu poshtëruese ishin edhe deklaratat e mësipërme që nuk mund të quhen ndryshe veçse politike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kishte quajtur sjelljen e KFOR-it si “shumë më të mirë se sa të shumë qeverive perëndimore” në një deklarim të para disa ditëve.

Në anën tjetër, të ashpër ndaj KFOR-it ishin njerëzit e fortë në Vetëvendosje, përfshirë deputetin Dimal Basha por edhe komisaren Dejona Mihali.

“Me kë me dialogu për heqjen e barrikadave? Me Radojiçiqin?”u shpreh kjo e fundit.

“KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre!” u shpreh ndërkohë deputet Dimal Basha.

Historia e VV-së me KFOR-in

Vetëvendosje ka qenë mjaft kritike ndaj KFOR-it në të kaluarën. Në komunikatën “Nga shpëtimtarë në mercenarë” kjo parti hidhte akuza të rënda ndaj këtij misioni paqeruajtës, e të cilat akuza kishin çuar aq shumë pluhur sa kishin detyruar lidershipin që ta hiqte nga faqja e saj në Internet.

Çka thuhej në të?

“Të presësh bashkëpunim efektiv prej këtyre evropianëve është, thjesht, si të presësh nga një tufë hamshorësh të pshurrin njëherit. Kthesa përfundimtare në relatat me KFOR-in ishte marsi i vitit 2004. Prej momentit kur dikush (kush? pse?) dha urdhër që të hapet zjarr veprues kundër civilëve të paarmatosur, mund të thuhet që KFOR-i ia ha paret priftit. Beogradi kishte këtu më shumë se dyfishin e KFOR-it, me përvojë e motivacion, e prapë s’ua ndali dot hovin e rebelimit shqiptarëve kur këtyre u vloi uji.” - thuhej aty.

Por, ka edhe më zi:

“Burimet e OJQ-ve lokale pohojnë se shumica e vrasjeve dhe plagosjeve u shkaktuan jo në grindje ndëretnike, po nga ushtarët e KFOR-it, që të stërvitur e të armatosur për luftë u rreshtuan para tinejxherëve të revoltuar.”

E edhe më zi:

“Tërë procesi mund të përmblidhet me dy fjali. Amerikanët janë zmbrapsur. Evropianët janë sforcuar. Sot prania amerikane në Kosovë (përfshirë atë ushtarake) është simbolike, ndërsa levat kyçe janë në duart e evropianëve. Vendet neutral e, si Suedia, i patrullojnë enklavat serbe. Protektorati i OKB-së është shndërruar de facto në protektorat evropian. E pra, edhe fëmija e rrugës e di se ku shpien kjo. Shumica e evropianëve janë në konfrontim me shqiptarët meqë flirtojnë me Beogradin. Sa më shumë këso evropianësh në KFOR, aq më fort konflikt me shqiptarët.”

Është e vështirë të thuhet se KFOR-i po i hakmirret Kurtit për këto fjalë të shkruara nga partia e tij, por megjithatë mund të thuhet që secila ditë që kalon po e nervozon gjithnjë e më shumë të parin e Ekzekutivit dhe vartësit e tij.

Lajme të ngjashme