Albin Kurti për barrikadat në veri: Po e presim KFOR-in, le të quhet zbutja nëse është kjo është zbutje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për largimin e barrikadave në rrugët në veri të Kosovës, ka thënë se po presin nga misioni i KFOR-it që t’i largojnë ato.
Kurti të dielën në konferencë për media ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë që t’i largojë barrikadat dhe se po i presin ata duke e pranuar se ka 'zbutur qëndrimet'.
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Më tej, Kurti ka thënë se KFOR-i ka për mision grantimin e lirisë së lëvizjes pa dallim.
“Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes. KFOR’i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX’it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër në komunat veriore është konfrimuar se janë vendosur gjashtë barrikada teksa janë mbyllur dy pika kuftiare, ajo në Jarinje dhe Bërnjak.