Kurti nervozohet për barrikadat, a do ta lusë KFOR-in si "v'lla" për të ndërhyrë në veri? - NACIONALE

Kurti nervozohet për barrikadat, a do ta lusë KFOR-in si "v'lla" për të ndërhyrë në veri?

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit duket se iu ka mbushur kupa më tensionet që po vazhdojnë në veri të vendit, të shkaktuara nga barrikadat që kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.

Në një konferencë për medie, ai ka bërë me dije se pas Krishtlindjeve do të duhet të këtë një takim me komandantin e KFOR-it për të diskutuar në lidhje me çështjen e barrikadave dhe se më gjatë nuk do ta tolerojë këtë gjendje.

KFOR-i ka kërkuar kohë ne e kemi dhënë atë kohë, por meqë sonte është Krishtlindja ne duhet ta kemi shumë shpejt, pas Krishtlindjeve, një takim me komandantin e KFOR-it e në të cilin besoj se do të sqarojmë gjithçka. Por kjo s’mund të tolerohet pafundësisht. U bënë dy javë e s’mund të lejojmë që edhe javë e javë të kalojnë e të mos kemi lirinë e lëvizjes. Nga ai takim që e presim menjëherë pas Krishtlindjeve besoj se do të sqarohet gjithçka e do të japim përgjigje”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për heqjen e barrikadave, KFOR-i ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se largimi i barrikadave mund të bëhet vetëm më koordinimin me aleatët perëndimor dhe me SHBA-të, duke theksuar se vendosja e barrikadave ka ardhur si pasojë e vendimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës.

Ndihmë nga KFOR-i dhe EULEX-i

Analisti Visar Ymeri thotë se shtrirja e sovranitetit në veri të vendit është e pamundur pa koordinimin me aleatët perëndimor, e veçanërisht pa ShBA-të.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ymeri thotë se tentimi për presion i deputetëve të Vetëvendojes ndaj KFOR-it për heqjen e barrikadave është naivitet.

“Tashmë jemi në një situatë në të cilën e kemi kuptuar të gjithë se shtrirja e funksionit institucional e sovran të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit nuk është i mundur pa bashkërendim me aleatët perëndimor, e veçanërisht pa ShBA-të. Në këtë drejtim nuk mendoj se mund të ketë zgjidhje tjetër përveç bashkërendimit me aleatët edhe kur është puna te barrikadat. Deklarimet e herë pas hershme të përfaqësuesve të qeverisë e të mazhorancës (përherë e më të rralla) se ne i heqim barrikadat vet janë një formë, do të thosha naive, e ushtrimit të presionit për veprim. Por janë megjithatë kërkesa ndaj KFOR-it e jo vendosmëri për veprim institucional”, ka thënë Ymeri.

Me tutje, Ymeri shton se e gjithë kjo situatë është edhe rezultat i moskoordinimit më aleatët perëndimorë për çështjen e targave.

“Në kohën e ‘veprimit institucional’ për zbatimin e ligjshmërisë për targat, opinion public në Kosovë ishte i ndarë në dysh: sovranistët që kërkonin me ngulm që të mos zbrapsemi pavarësisht pasojave, dhe racionalët që kërkonin veprime të bashkërenduara për ta rritur efektin e po këtyre veprimeve dhe për t’u siguruar që vendimet e qeverisë zbatohen. Kampit të parë i printe Kryeministri dhe Qeveria. Në kampin e dytë ishin partitë opozitare me një artikulim më të theksuar nga LDK. Kampi i dytë njihte legjitimitetin e vendimit por ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e zbatimit krye më vehte. Kamp ii dytë doli se e kishte mirë. Kryeministri dhe Qeveria me kalimin e kohës u pajtuan me ato që thoshte LDK dhe opozita. Por me shumë vonesë. Dhe me kogja shumë pasoja. Për këtë arsye, ose më mirë thënë edhe për këtë arsye, jemi sot në një situatë në të cilën, përkundër faktit se të gjitha vendet mike të Kosovës e dënojnë barrikadën si formë proteste, nuk lëvizë asnjë për ta sanuar këtë problem”, theksoi ai.

Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, dy ditë më parë, teksa kishte folur për zhvillimet e fundit në veri, kishte thënë se Kurti nuk mund t’i dërgojë policinë në veri, dhe se vetmja gjë që mund ta bëjë është t’i thotë KFOR-it “a po më ndihmon si vëlla”.

Ndërsa, për politologun Shkodran Ramadani, barrikadat në veri janë një tjetër disfatë e kryeministrit Kurti.

Në një përgjigje për gazeten Nacionale, Ramadani tha se barrikadat mund t’i largojë vetëm KFORi dhe EULEX-i.

Që nga ardhja e tij në pushtet, Albin Kurti ka pësuar disfatë pas disfate:

1) Ka pranuar letërnjoftimet ilegale;

2) Ka pranuar targat ilegale;

3) Ka shtyrë zgjedhjet lokale në Kosovë sipas kërkesave të Serbisë.

Ramadani, me tutje, tha se Kurti ka ra në gjendjen në të cilën duhet t’i lus ish-armiqtë e tij, KFOR-in dhe EULEX-in për t’i larguar barrikadat.

“E gjitha lufta është bartur në brendi të Kosovës, që është strukur kundrejt ofenzivës së ashpër serbe, që fatkeqësisht kësaj here po tolerohet edhe nga ndërkombëtarët, kryesisht për shkak të paaftësisë së qeverisë sonë, që asnjëherë nuk dështon për të dështuar. Në krejt këtë situatë të krijuar, pala më e dobët është Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Albin Kurti. Prandaj, në vend të pyetjes së “çfarë duhet të bëjë Qeveria”, pyetja e duhur është “çfarë mund të bëjë qeveria në këto rrethana ku ajo e futi veten?”Përgjigja është: Kosova nuk ka opsione tjera përpos lutjeve e përgjërimeve ndaj KFOR-it dhe EULEX-it për t’i larguar barrikadat, dikur armiq të partisë në pushtet”, tha ai

Reagimi i KFOR-it

Mbrëmë komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, ka rikonfirmuar se KFOR vazhdon të mbështesë dialogun rreth gjetjes së një marrëveshje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, theksohej në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

“Mbesim vigjilentë dhe plotësisht të aftë për ta përmbushur mandatin që bie nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të gjitha komunitetet në Kosovës. Zgjidhjet duhet të gjenden nëpërmjet dialogut”, përfundonte deklarata e komandantit të KFOR-it.

Lajme të ngjashme