KFOR-i “analizon kërkesën e Serbisë” për kthimin e ushtrisë në Kosovë: A duhet të shqetësohemi? - NACIONALE

KFOR-i “analizon kërkesën e Serbisë” për kthimin e ushtrisë në Kosovë: A duhet të shqetësohemi?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka lëshuar gjatë ditës së sotme një komunikatë që në shikim të parë duket mjaft shqetësuese në lidhje me kërkesën e Serbisë që të rikthejë 1000 trupa të saj në Kosovë. Por, a është kjo përnjëmend shqetësuese dhe çka po ndodh në prapavijë?

Serbia kishte tronditur opinionin kosovar por edhe ndërkombëtar me kërkesën e saj që të kthejë në Kosovë trupat e saj të ushtrisë dhe policisë pas tensioneve në veri. Kjo deklaratë ishte luftënxitëse dhe u interpretua si luftënxitëse edhe nga krerët institucionalë të vendit tonë.

Por, kërkesa megjithatë nuk mbeti një nga shumë deklaratat e pamatura të lidershipit të saj. Ajo iu drejtua KFOR-it duke pretenduar se mbështetej në një pikë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

KFOR-i tashmë ka pranuar kërkesën, dhe gjatë ditës shpërndau një komunikatë ku adresohej shkurtimisht ambicia serbe.

“Ne së mbrami po analizojmë kërkesën e fundit të Qeverisë së Serbisë. Do të vazhdojmë në ofrimin e një ambienti të sigurtë dhe liri të lëvizjes që inkurajon dialog produktiv, duke iu dhënë liderëve mundësinë për arritjen e një zgjidjeje të qëndrueshme afat-gjatë, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.

A të shqetësohemi?

Sipas profesorit universitar Donik Sallova, deklarata e KFOR-it është tepër fyese.

“KFOR-i e ofendon rëndë popullin e Kosovës kur deklaron se "po e analizojmë kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë". Çfarë analize, çfarë kërkese, çfarë kthimi? A e di ky KFOR se ushtria serbe në Kosovë ka qenë ushtri pushtuese që ka vra, ka pre e ka dhunu të pafajshëm, gra, fëmijë e pleq? Si mund të shqyrtohet kërkesa e një ushtrie të tillë kur dihen bëmat dhe qëllimet e saj të pandryshuara? Ushtria serbe kurrë s'ka qenë e pranuar nga populli i Kosovës, prandaj termi "kthim - si një e drejtë legjitime e dikujt për t'u kthyer në vendin që i takon" nuk ekziston për ushtrinë serbe në Kosovë. KFOR-i do duhej ta refuzonte edhe pranimin e kësaj "kërkese", e lëre më analizimin dhe shqyrtimin.” – ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Ky status i Sallovës është shpërndarë edhe nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha.

B92 nga Serbia përgatiti artikull për këtë deklaratë të KFOR-it e të cilit i vunë titullin: Më në fund, KFOR-i reagoi për kërkesën e Serbisë që të dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë.”

Deri tash ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga ana e Qeverisë së Kosovës apo edhe nga Presidenca e Serbisë për komentet të KFOR-it.

Çka tha tjetër KFOR-i?

Megjithatë, në komunikatën e KFOR-it ka pasur edhe të tjera fjalë mjaft domethënëse.

Gjatë ditëve të fundit, misioni i KFOR-it ka kryer një varg ushtrimesh në veri të Kosovës për t’i testuar aftësitë e saj që të vazhdojë në sigurimin e një ambienti të sigurtë dhe në lirinë e lëvizjes.” – thuhet mes tjerash nga KFOR-i.

Por, megjithëse kanë kryer ushtrime e kanë shtuar numrin e tyre, KFOR-i nuk ka hequr deri tash barrikadat që po pengojnë rrugët nacionale në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk mund të presin edhe gjatë, derisa KFOR-i është kritikuar për mos-heqjen e deritashme të barrikadave nga deputetët e partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci dhe Artan Abrashi.

Gjasat që KFOR-i të pranojë kërkesën e Serbisë megjithatë janë tejet të ulëta, por "analiza" që po i bëjnë në vetëvete megjithatë është shqetësuese.

Lajme të ngjashme