Të dhënat e punëtorëve në Edi: A po shkon ATK më larg se ligji?
Shkruan: Florin Lata
Dua të ndaj një vërejtje lidhur me njoftimin e ATK-së për regjistrimin e punëtorëve në sistemin EDI.
Njoftimi po shpërndahet gjerësisht si një detyrim që punëdhënësit duhet ta zbatojnë. Mirëpo, sipas meje, përtej detyrimit për regjistrim ekziston një çështje juridike që meriton vëmendje: formulari përmes të cilit po zbatohet ky detyrim kërkon më shumë të dhëna personale sesa duket se e arsyeton qëllimi i ligjit.
Neni 43, paragrafi 5 i Ligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore e obligon punëdhënësin që ta informojë ATK-në për lidhjen e kontratës së punës, një ditë para fillimit të punës, në formën e përcaktuar nga ATK.
Detyrimi për ta regjistruar punëtorin nuk është në vetvete problematik. Është e kuptueshme që ATK-së i duhen të dhënat për identifikimin e punëtorit, datën e fillimit të punës, pagën dhe informata të tjera që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me administrimin e tatimit në paga dhe kontributeve.
Megjithatë, formulari shkon dukshëm më tej. Përmes tij kërkohen edhe niveli i shkollimit, profesioni, pozita e punës, telefoni, emaili, si dhe ngarkimi i kontratës së plotë të punës.
Po ashtu, nuk e shoh të qartë bazën ligjore për kërkesën që përmes këtij formulari të regjistrohen edhe të gjithë të punësuarit aktualë. Neni 43 paragrafi 5 rregullon njoftimin për lidhjen e kontratës së punës dhe kërkon që ai të bëhet një ditë para fillimit të punës. Kjo është ndryshe nga krijimi, përmes formularit, i një detyrimi të përgjithshëm për regjistrimin e të gjitha marrëdhënieve të punës që tashmë ekzistojnë.
Në aspektin juridik, pyetja është nëse autorizimi i ATK-së për ta përcaktuar formën e informimit mund të interpretohet edhe si autorizim për ta përcaktuar përmbajtjen dhe vëllimin e të dhënave personale që duhet të dorëzohen.
Sipas meje, formulari në formën aktuale tejkalon autorizimin ligjor.
Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kërkon që të dhënat të mblidhen për qëllime të caktuara, të qarta dhe legjitime. Po ashtu, zbatohet parimi i minimizimit të të dhënave, sipas të cilit të dhënat duhet të jenë adekuate, relevante dhe të mos tejkalojnë atë që është e nevojshme për qëllimin për të cilin mblidhen.
Në këtë kuptim, për disa prej të dhënave që po kërkon ATK nuk është e qartë lidhja me administrimin tatimor.
Pse i duhet ATK-së niveli i shkollimit të punëtorit? Çfarë ndikimi ka në tatimin në paga profesioni apo pozita e tij? Pse i duhet telefoni apo emaili personal?
Edhe më e diskutueshme është kërkesa për ngarkimin e kontratës së plotë të punës. Nëse për qëllime tatimore janë relevante vetëm disa elemente të saj, nuk shoh arsye pse kontrata duhet të dorëzohet në tërësi.
Kontrata e punës mund të përmbajë klauzola për konfidencialitetin, pronësinë intelektuale, bonuset, kufizimet pas përfundimit të marrëdhënies së punës dhe çështje të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me administrimin tatimor. ATK mund ta kërkojë kontratën kur ajo është e nevojshme për verifikimin e një çështjeje konkrete gjatë kontrollit. Por kjo është tjetër gjë nga mbledhja paraprake dhe sistematike e kontratave të plota të të gjithë punëtorëve.
Kjo çështje ndërlidhet drejtpërdrejt edhe me Aktgjykimin KO159/24 të Gjykatës Kushtetuese. Në atë rast, duke shqyrtuar dispozita të po këtij ligji, Gjykata trajtoi kufijtë e mbledhjes sistematike të të dhënave nga ATK dhe kërkoi që mbledhja të jetë e kufizuar në atë që është e nevojshme, proporcionale dhe e shoqëruar me garanci të mjaftueshme.
Veçanërisht interesante për këtë diskutim është se Gjykata e konsideroi problematik edhe detyrimin e noterëve për dorëzimin e të gjitha kontratave të shitblerjes në ATK, pa kufizime dhe kritere të mjaftueshme që do ta arsyetonin një qasje kaq të gjerë në të dhëna.
Prandaj, çështja nuk është nëse punëdhënësit duhet t’i regjistrojnë punëtorët. Ky detyrim ekziston dhe ka një qëllim të qartë.
Çështja është nëse, duke u thirrur në kompetencën për ta përcaktuar formën e regjistrimit, ATK mund të kërkojë edhe të dhëna dhe dokumente që shkojnë përtej asaj që është e nevojshme për administrimin tatimor.
Sipas meje, formulari duhet të rishikohet dhe të kufizohet në të dhënat që kanë ndikim ose lidhje të drejtpërdrejtë me tatimin në paga dhe kontributet. Të dhënat e tjera, si dhe kontrata e plotë e punës, duhet të kërkohen vetëm kur ekziston një nevojë konkrete për verifikim.
Në këtë mënyrë do të zbatohej detyrimi për regjistrimin e punëtorëve, pa e shndërruar atë në një bazë për mbledhjen e të dhënave që nuk janë të nevojshme për funksionin tatimor të ATK-së.