“Besniku i ha fjalët”: I kundërshtoi Asociacionin e planin franko-gjerman, por Bislimi tash hesht
Besnik Bislimi është dyshi i Qeverisë Kurti. Krahas kësaj, ai është shef i delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë në Bruksel. Afërsia me kryeministrin Albin Kurti dukej se i kishte dhënë guxim ta hidhte në bast funksionin e tij në Qeverinë e Kosovës. Ai ishte i qartë: nëse qeveria e udhëhequr nga Kurti e ndryshon mendimin për Asociacionin, atëherë ai do të largohej nga pozita si kryenegociator.
Pra i vetëvendosuri Bislimi nuk e pranonte as diskutimin për Asociacionin, qoftë edhe nëse ai do të kishte kompetenca joekzekutive.
“Në atë moment, kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për Asociacion edhe thotë: do të krijohet asociacion, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog, ndoshta dikush tjetër vjen, e bën” – deklaronte Bislimi.
Tashmë Kurti e ka pranuar Asociacionin, ndonëse i paraqiti disa kushte dhe disa opinione se si duhej të dukej Asociacioni. Madje edhe dyshi i VV-së, Glauk Konjufca, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka pranuar se duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit. Por z. Bislimi nuk e ka komentuar fare deri më sot deklaratën e Kurtit publikisht. Pra dyshi i Qeverisë Kurti ka mbetur i heshtur rreth qëndrimit të ri të kryeministrit rreth Asociacionit. "Hija" e Kurtit në Qeveri ka publikuar vetëm disa fjalë nga takimi me dy ambasadorë dhe ka shkruar një postim për nismën e re të Qeverisë Kurti të quajtur "Superpuna".
Employment opportunities for young people & support for the businesses.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) February 6, 2023
The Govt's new Jobs Guarantee for Youth platform, supports the private sector in creating new jobs for young people aged 18-25.
264 EUR/month for each hiring, for 6 months in a row.https://t.co/14S6lKaeJ7
Z. Bislimi nuk ka shkruar asnjë shkronjë në lidhje me 6 pikat e Kurtit dhe as me Asociacionin në profilet e tij në Facebook e Twitter, aty ku ai e tregon aktivitetin e tij politik.
Bislimi ka rënë ndesh me Kurtin edhe në një pikë. Kurti dhe Bislimi, së paku në një rast, kanë pasur qëndrime të ndryshe rreth planit franko-gjerman. Përderisa Kurti e quante “bazë e mirë”, z. Bislimi e cilësonte si plan më të afërt me pozicionin e Serbisë. Në një intervistë për "Euronews Serbia", Bislimi vlerësonte se plani franko-gjerman “de jure” e mbështeste qëndrimin e Serbisë se njohja reciproke nuk duhej të ndodhte në këtë moment.
“E përsëris, nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti e mbështet qëndrimin e Serbisë se aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke” - theksonte z. Bislimi.
Por këtë plan, që “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë, e ka pranuar shefi i tij, Albin Kurti. Madje një gjë e tillë ndodhi gjatë një dreke me Miroslav Lajçakun, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, ku i pranishëm ishte edhe Bislimi. Kurti sërish iu referua si bazë e mirë e platformë për të vazhduar tutje planit.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje” – shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter dy ditë më parë.
Të martën, edhe Konjufca u deklarua rreth Asociacionit, duke vlerësuar se duhet të gjendet një formë e re për ta themeluar atë.
“Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt, mund të thuhet implicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit” – theksoi dje Konjufca.
Kujtojmë që LDK-ja tashmë e ka kritikuar kryeministrin Kurti në lidhje me pranimin e planit franko-gjerman, pasi aty nuk përmendet njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.


