27 liderë, pjesëmarrja e Osmanit, 'dorëzimi' i Vuçiqit e protesta e PD'së - gjithçka që duhet të dimë për Samitin e Tiranës
Të martën në kryeqendrën shqiptare, Tiranë, mbahet Samiti i radhës i BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Të pranishëm do të jenë 27 liderë evropianë, përfshirë këtu edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Zyra e Presidentes përmes një komunikate ka bërë të ditur se Osmani do të jetë në Shqipëri me 6 dhjetor, teksa atje do të përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave.
“Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u tha ndër të tjerash në njoftim e Presidencës.
Pjesëmarrës në këtë Samit do të jetë edhe njeriu që deri më sot ishte në dyshim nëse do të merrte pjesë apo jo, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit, sot, siç raportuan mediat serbe konfirmoi pjesëmarrjen, duke thënë se pret përfitime nga vizita në Tiranë.
“Për mua është shumë e vështirë të kuptoj gjuhën e të dy palëve, nuk kemi bërë asgjë, po mundohemi të ruajmë jetën e njerëzve tanë, ka shkaktuar zemërim, inat dhe mllef, por përfundimi është si më poshtë. Nuk jam i sigurt, por sigurisht që do të ketë disa përfitime nga prania ime në Tiranë dhe nëse nuk do të shkoja mund të mos kishte asnjë përfitim, por do të kishte dëm të madh për vendin tonë”, ka thënë ndër të tjerash Vuçiq.
Protesta
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Shqipërisë ka thirrur një protestë pikërisht në ditën e nesërme.
Ideja e kësaj proteste është në nder të, siç e kanë quajtur nga kjo parti, mbrojtje të vlerave evropiane.
Por, kjo duket të mos jetë problem për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku.
Balluku në një intervistë për EuroNews Albania shtoi se 430 gazetarë janë akredituar për këtë ngjarje dhe se aty do të jetë vëmendja kryesore, duke mohuar gjasat që të njëjtit të merren me ndonjë protestë nëpër rrugët e Tiranës.
“Unë nuk e di, besoj se është supozim nga ana jote nëse gazetarët do të kenë kohë nesër që të merren me një protestë diku nëpër rrugët e Tiranës, ndërkohë që në Tiranë, nesër është skena më e madhe politike e Evropës. Duke thënë këtë, besoj se e kupton dhe ti, e kuptojnë të gjithë se sa sekonda do të harxhohen. Pastaj, protestat janë një normalitet i plotë. Kujtoj mbledhjet e G-7 apo të G-20 ku ka gjithmonë protesta dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, theksoi ajo.
Progresi
A2 CNN ndërkaq, ka siguruar draftin e deklaratës së përbashkët, me të cilën liderët e Bashkimit Evropian dhe atë të Ballkanit Perëndimor do të dalin në përfundim të Samitit.
Siç shkruan mediumi respektiv, në deklaratën e përbashkët nënvizohet rëndësia e partneritetit strategjik mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së, përballë agresionit rus në Ukrainë si dhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku theksohet mbështetja e plotë për procesin dhe i bëhet thirrje që të ecet përpara, pasi është një pikë kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit.
“Teksa thellojmë bashkëpunimin me partnerët, u bëjmë thirrje që të bëjnë përparime të shpejta dhe të qëndrueshme drejt rreshtimit të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë me BE-në. Vlerësojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar tashmë përkushtimin strategjik dhe i inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë, që të ndjekin të njëjtin shembull”, thuhet në deklaratë, duke u theksuar se BE-ja është partneri më i afërt i rajonit, investitori kryesor si dhe partneri tregtar e donatori më i madh.
Agjenda
Është publikuar tashmë agjenda e plotë e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Liderët evropianë pritet të arrijnë rreth orës 09:30, kurse përgjatë 30 minutave të ardhshme do të nënshkruhet marrëveshja "roaming".
Sesioni i seancës së parë do të fillojë në orën 10:00, kurse ai i dyti në 12:15.
Në fund, Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët.
MBËRRITJA E LIDERËVE 09:30
FIRMOSJA E MARRËVESHJES ROAMING 10:00
VIJON MBËRRITJA E LIDERËVE TË TJERË 10:15
11:00 SEANCA PLENARE (I)
11:45 FOTO FAMILJARE
12:15 SEANCA PLENARE
(II) KONFERENCA E LIDERËVE (Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel; Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama).
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tanimë veçse ka udhëtuar drejt Tiranës për të përfaqësuar Kosovën në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Tiranë, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë ndër të tjera do të diskutojnë për sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, për përforcimin e sigurisë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja, sfidat e paraqitura nga migrimi si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.