Intervistë | Çitaku: Pa përfshirjen direkte të ShBA-së, dialogu s`do të ketë sukses - NACIONALE

Intervistë | Çitaku: Pa përfshirjen direkte të ShBA-së, dialogu s`do të ketë sukses

2 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar përfshirje të drejtpërdrejtë të ShBA-së në procesin e dialogut Kosovë - Serbi.

Ajo ka vlerësuar se pa këtë përfshirje, procesi i Brukselit nuk mund të këtë sukses.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çitaku ka thënë se çështja e targave ka vërtetuar një gjë të tillë.

Unë e shoh shumë të vështirë pranverën e vitit të ardhshëm pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së. U pa edhe në rastin e fundit, për një çështje shumë më të vogël, siç ishin targat, u desh që ShBA-ja të përfshihej drejtpërdrejt. Janë dy mendësi të ndryshme, ShBA-ja është e orientuar drejt rezultatit, BE-ja është e orientuar drejt procesit. Ndërsa neve na duhen edhe procesi, edhe rezultati” - ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se nuk e di nëse kryeministri i ka bërë një kërkesë të tillë ShBA-së.

Unë pres që kryeministri të ketë kuptuar që pa përfshirjen e ShBA-së, është shumë vështirë që procesi të lëvizë përpara dhe suksesi në këtë proces varet edhe nga serioziteti ynë si institucione”- është shprehur ajo.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington ka kërkuar që Kosova të tregohet palë serioze në këtë proces.

ShBA-ja nuk na e ka borxh mbështetjen e përhershme dhe të pakusht. Aleanca dhe partneriteti kërkojnë dy palë. Ne duhet të tregohemi aleatë dhe partnerë seriozë dhe jo të paparashikueshëm”- ka thënë ajo.

Sipas Çitakut, përfshirja amerikane në këtë proces do të varet nga serioziteti i palës kosovare.

Intensiteti i përfshirjes amerikane në procesin e dialogut varet nga serioziteti dhe përkushtimi ynë. Vetëm para pak muajve, kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu është prioritet i 7-të. Nëse nuk është për ne prioritet, pse duhet të jetë prioritet për ShBA-në”- ka theksuar zyrtarja e PDK-së.

Planit franko-gjerman i mungon qartësia

Numri dy i PDK-së e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për çështjen e targave. Ajo ka thënë se gjithë drama e krijuar ishte e panevojshme, duke shtuar se ajo sjellje do të shkaktojë pasoja për Kosovën.

Sipas saj, propozimi që e refuzoi Kurti në fillim të javës ishte më i favorshëm për Kosovën.

Nga kontaktet tona në Bruksel, del që marrëveshja e para disa ditëve ka qenë ndoshta edhe më pozitive për ne, sepse pjesë e atij teksti paraprak ka qenë edhe kthimi i serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, element që mungon në dakordimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë” - ka thënë ajo.

Duke folur për qëndrimin e PDK-së karshi dialogut, ajo ka thënë se kjo parti nuk do të jetë opozitë e qeverisë për dialogun.

Ne si PDK kemi shumë pika dhe tema rreth të cilave ne duam betejë të hapur me kryeministrin Kurti, por dialogu me Serbinë nuk është njëra nga këto. Ne duam që kryeministri i Kosovës të dalë fitimtar në procesin e dialogut, sepse në atë rast fiton Kosova”- ka thënë ajo.

Duke e komentuar planin franko-gjerman për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ajo ka thënë se këtij propozimi i mungon qartësia.

Unë nuk e kam parë planin franko-gjerman. E di që kryeministri i Kosovës e ka ndarë planin me kryetarin e PDK-së dhe me liderë të tjerë të opozitës. Nga ne është kërkuar diskrecion. Dhe ne do të përpiqemi të jemi të kujdesshëm në deklarime në mënyrë që të mos e dëmtojmë procesin” - ka thënë Çitaku.

Sipas saj, duhen hapa konkretë për t’u qartësuar ky plan.

Çka mund të them tani, pa e dëmtuar procesin, është se marrëveshjes i mungon qartësia. Teksti i tanishëm ka shumë dykuptimësi konstruktive, ka shumë pak hapa konkretë. Pra është më shumë në nivelin vleror dhe të parimeve sesa të hapave konkretë, që duhet të marrë njëri apo shteti tjetër për t’i rregulluar raportet si dy vende fqinje”, ka thënë ajo, duke e ftuar kryeministrin që tërë energjinë ta përqendrojë këtu.

Pra kryeministri, në vend se të harxhojë kohë, të krijojë tensione dhe animozitete me aleatët tanë për targat, duhet të insistojë që ta përmirësojë draft-propozimin që më herët është quajtur franko-gjerman e tash po quhet evropian”- ka thënë Çitaku.

Më tej, ajo ka thënë se Kosova ka mundësi që ta ndryshojë këtë plan.

E kemi përvojën e negociatave në Rambuje, ku nuk jemi dakorduar me draftin e parë. Presidenti Thaçi, atëbotë si udhëheqës i delegacionit, ka insistuar për një marrëveshje me znj. Albright, ku është marrë zotimi për referendum pas një periudhe kohore. Edhe pakoja e Ahtisarit është negociuar gjatë dhe drafti i miratuar në fund, nuk ka qenë drafti i parë që është prezantuar. Pra ne kemi mundësi që nëse punojmë mençur dhe me maturi ta plotësojmë draftin në fjalë”- ka thënë ajo, duke treguar se çka duhet të ndryshohet në këtë plan.

Duhet të plotësohet me hapa dhe masa konkrete, të cilat do ta fuqizonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo që e dimë ne deri tani është se as Kosova dhe as Serbia nuk i kanë thënë jo tekstit. E di që të dyja palët i kanë dërguar komentet e tyre, mirëpo ne nuk i kemi parë ato”- ka thënë ajo.

Pakënaqësitë brenda PDK-së

Në këtë intervistë, nënkryetarja e PDK-së ka folur edhe për pakënaqësitë që janë shprehur nga disa zyrtarë të lartë të PDK-së.

Ajo ka thënë se në një parti demokratike, mendimet ndryshe janë gjë normale.

Kjo është shumë normale. Në një parti demokratike, është shumë normale që jo secili vendim, jo secili orientimi të jetë konsensual. Në PDK edhe më herët, sa ka qenë kryetar z. Thaçi, edhe kur ka qenë kryetar z. Veseli, gjithmonë ka pasur zëra të ndryshëm. Ne nuk jemi kult, ne jemi parti politike dhe është normale që të mos pajtohemi të gjithë për gjithçka. Këto unë i shoh të natyrshme dhe të shëndetshme për një parti politike” - ka deklaruar ajo.

Ajo ka bërë me dije se këto pakënaqësi janë diskutuar në strukturat partiake.

Sigurisht se i kemi diskutuar dhe debatuar. Sigurisht se PDK-ja duhet të bëjë më shumë. Mirëpo unë besoj se mënyra më e mirë për ta ndihmuar PDK-në është duke qenë aty, duke dhënë këshilla dhe rekomandime dhe duke dhënë vërejtje” - është shprehur.

Çitaku ka folur edhe për kritikat se kjo parti po largohet nga trashëgimia e saj e UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e ADN-së politike të Partisë Demokratike të Kosovës. Unë në PDK jam që nga themelimi dhe arsyeja pse unë jam aty është pikërisht UÇK-ja. Mirëpo jo secili prej nesh kemi qenë ushtarë të UÇK-së dhe kjo nuk na bën njerëz që e duam më pak UÇK-në. Sepse UÇK-ja është vlerë jo vetëm për ata që kanë luftuar, UÇK-ja është vlerë edhe për fëmijët që do të lindin pas 100 vitesh. Mirëpo PDK-ja nuk e ka monopolin mbi këtë vlerë. UÇK-ja nuk është vetëm e PDK-së, UÇK-ja është e të gjithëve” - ka theksuar ajo.

Çitaku ka treguar për hapat që kjo parti po i ndërmerr drejt zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.

Ajo nuk ka treguar nëse do t`i hyjë garës për kryetar të PDK-së në këto zgjedhje.

Unë kam pasur një shkëputje shumë të gjatë nga jeta aktive politike dhe partiake në Kosovë dhe ende më duhet kohë që të familjarizohem me strukturat e PDK-së. Gara do të jetë e hapur dhe kushdo që e ka guximin politik për t`i hyrë kësaj gare, është i mirëseardhur” - ka thënë ajo, duke shtuar se nuk ka menduar për këtë çështje.

Unë nuk e kam menduar fare, që të jem sinqertë, sepse jemi shumë të zënë me shumë agjenda para nesh” - ka treguar Çitaku.

Sa i përket opozitarizmit, ajo ka thënë se deputetët e kësaj partie po e bëjnë atë që është e mundur në Kuvendin e Kosovës.

Dikujt edhe i duket se ne nuk po bëjmë mjaft, mirëpo deputetët e PDK-së në parlament kanë ndërmarrë disa nisma parlamentare, është themeluar komisioni hetimor për energji dhe hapa të tjerë. Unë i vlerësoj jashtëzakonisht punën dhe angazhimin e tyre, por mos harroni se jemi edhe të paktë në numër”- ka treguar ajo.

Lajme të ngjashme