Tamahqarllëku qesharak i Albin Kurtit - NACIONALE

Tamahqarllëku qesharak i Albin Kurtit

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik do të jetë vetëm 105 euro. Marrë parasysh edhe ato që ndodhën në vitin 2022, ma merr mendja që është koha ta shtrojmë një pyetje: A është kryeministri ynë, Albin Kurti, tamahqar?

Tamahun, fjalori i gjuhës shqipe e përkufizon si “lakmi e pangopësi”. Në përdorimin e gjerë të fjalës, tamahqari është ai që kursen paratë e tij në dëm të të tjerëve. Kursimi nëse nuk është mjet që çon drejt realizimit të ndonjë projekti, nëse është qëllim në vetëvete, atëherë natyrshëm lidhet me lakminë e pangopësinë.

Kryeministri i Kosovës e ka dëshmuar veten si kursimtar. I ka ruajtur mbi 700 milionë euro në vitin 2022 përkundër rrethanave rënduese që i prodhoi inflacioni dhe përkundër nevojës që ato të futeshin në qarkullim për ta forcuar kërkesën agregate. Fundja, edhe ashtu u humbën dhjetëra-milionë nëse jo edhe qindra për shkak të humbjes së vlerës së parave. Asnjë shpjegim i vetëm serioz për një veprim kaq drastik.

Në nivel personal, Kurti po ashtu është kursimtar. I paguan vetëm 250 euro qira për një shtëpi me 230-metra katrorë në lagjen Taslixhe te një familje përkrahësish të tij. Përkundër që vlera e tregut për qiratë e atyre shtëpive në atë vend shkon deri në trefish e katërfish më shumë. Nuk është pra thjesht qira më e lirë. Është qira korruptive. Prandaj, kursimi për të nuk është politikë, sepse paga ia mundëson ta paguajë qiranë me vlerë reale. Kursimi për të është ves.

E se kursimi i tij është thjesht lakmi e pangopësi e shohim te ajo që ka bërë me pagat e majme që ka marrë deri në vitin 2021. Janë gjithsej 178 mijë e 699 euro që i mori në rroga. Pra, për diku dhjetë vjet i mori gati 200 mijë euro. Dhe, i lajmëroi vetëm 401 euro në vitin 2022 në bankë. Asnjë investim për të blerë diçka – dhe këtu s’e kam fjalën për gjëra luksi, por për gjëra të nevojshme siç është ta zëmë banimi (tokë, shtëpi) apo edhe shkollimi. Tamam si në pushtet, ku po ashtu mungojnë investimet. Në shikim të parë, dikujt mund t’i duket se harxhimi i parave personale dhe ruajtja e parave të shtetit janë të kundërta. Por jo. Ai thjesht paratë që s’i takojnë nuk i ka kthyer te ata që i takojnë. Ndërsa paratë që i takojnë, i ka harxhuar menjëherë pa e pasur gajlen për të ardhmen vetjake. Që të dyja, në fund të fundit i shërbejnë imazhit të tij.

Natyrisht, në këtë mes rol të madh luan edhe shkëputja e tij prej perspektivës së punëtorit. Përveç si politikan, ai nuk ka kryer kurrfarë pune tjetër. Nuk është përlyer asnjëherë me ankthet e zakonta e të përmuajshme të secilit prej nesh. Ka pasur stil krejt tjetër jetese. Prandaj, s’i ra ndërmend të mendonte për kursimet e tij personale e s’i ra ndërmend të mendonte për kursimet e zvogëluara të popullit gjatë vitit 2022 e 2021.

Çka do të bëjë kryeministri i Kosovës me paratë e kursyera të të tjerëve? Po atë që e ka bërë me paratë e harxhuara të tij: do t’i përdor për ta rritur pushtetin e imazhit të tij, te i cili qëndron edhe thelbi i tamahqarllëkut në fjalë. Nuk ka asnjë projekt të madh në horizont që potencialisht edhe mund ta njolloste atë imazh. Nuk ka as ndonjë ide progresive që po çohet përpara, si për shembull banimi social apo të ardhurat bazike univerzale, nuk ka as bile ndonjë eksperiment. Ka thjesht dhe vetëm shifra që përforcojnë fjalët, dhe fjalë që përforcojnë imazhin e tij.

Kosova po përballet me një situatë kritike. Dikur largohej fuqia e pakualifikuar nga vendi, por tash ka largime masive edhe të fuqisë së kualifikuar punëtore. Për fat të keq, Kosova si një somnambul po hapëron drejt humnerës, me tregjet e mëdha evropiane që po i mbushin mungesat e tyre edhe me fuqinë tonë. Gjendja është përnjëmend alarmante, madje edhe te ato kategori që Kurti i cilësoi si ‘jetike për funksionimin e shoqërisë’: mjekët, arsimtarët, policët dhe ushtarakët.

Ligji i Pagave parashihej të ishte një armë e fortë për luftimin e ikjeve masive nga këto kategori. Ishte pritur për më shumë se një dekadë. Në anën tjetër, dinamikat në tregun e punës po ashtu ishin negative me një forcim të çuditshëm financiar të sektorit privat. Duke e ditur pozicionin ideologjik, kisha pritjen që Kurti do ta bënte një koeficient të dinjitetshëm që përfundimisht do t’i bënte konkurrese profesionet e kategorive të lartpërmendura të paktën në nivel pagash. Kjo nuk ndodhi! Cila do të jetë shtysa te një i riu ose të reje që të shkollohet për t’u bërë arsimtar/e e polic/e e jo për t’u futur në tregun privat për të marrë krejt tjetër profesion? Qysh do të rritet cilësia në arsim nëse arsimtarët e rinj do të jenë potencialisht edhe më të dobët se aktualët?

Fatkeqësisht, për Kurtin shifrat janë më të rëndësishme se sa realiteti. Shumë më të rëndësishme. Ai i përmendi qindra herë 25 mijë persona të punësuar (tani s’po e përmend më) edhe pse askush nuk ia besonte. Përmendi 10 përqindëshin e zhvillimit ekonomik më 2021, përkundër bumit pas-pandemik në mbarë rajonin dhe uljes që pritej e që ndodhi në vitin pasues . E futi Agjencinë e Statistikave në Zyren e tij, ku së fundi ndodhi një gjë e çuditshme: doli një raport ku rritja për tremujorin e tretë 2022 ishte 2.07 për qind, e i cili u demantua nga një raport tjetër për të njëjtën periudhë ku rritja raportohej 3.26 për qind.

E kjo lidhje e tij me shifrat - në një vend ku institucionet që prodhojnë këto shifra janë të brishta e të politizuara dhe ekonomia informale është tepër e madhe - i ofron mundësinë për manipulime me implikime serioze. Aq serioze sa realiteti i vërtetë do të përmbyset e ndrydhet nga ‘realiteti’ i shpikur prej tij. Por, në tjetrën anë, tamahqarllëku i tij, veçanërisht në këtë rrethanë, do ta bëjë të duket joserioz e qesharak.

Lajme të ngjashme