Vlera e koeficientit 105 euro, dëshpërohen mjekët: Kurti s'po interesohet për shëndetësinë - NACIONALE

Vlera e koeficientit 105 euro, dëshpërohen mjekët: Kurti s'po interesohet për shëndetësinë

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Pas shumë pikëpyetjeve Qeveria e Kosovës më në fund e ka bërë të ditur koeficientin. Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt. Ai tha se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe do të jetë 110 euro. Por me këtë vlerë natyrshëm nuk pajtohen mantel bardhët kosovarë. Ata thonë se kanë pritur më shumë nga kryeministri.

E nëse mjekët nuk pajtohen me këtë koeficient, atëherë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë po theksojnë se Ligjin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu i tha Nacionales kryetarja e Sindikatës së mjekëve kosovarë.

"Për mu është goxha zhgënjyese. Nesër në ora 10:00 e kam ftua Këshillin Drejtues të Federatës dhe me ta po shohim se çka. Ne e kemi të gatshëm ankesën për Gjykatën Kushtetuese. Në rast se nesër Këshilli drejtues pajtohen, atëherë do të dërgohet. Ne qysh sot menjëherë iu kemi ba thirrje kryetarëve të Sindikatave që t'i konsultojnë anëtarët dhe të vendosim pastaj."- tha Imeri.

Ajo vlerësoi se me këtë rritje të pagave për mjekët, zor se mund të ndalet ikja e tyre nga Kosova por edhe nga vet institucionet publike.

"Nuk e besoj që ky koeficient mund ta ndalë ikjen e mjekëve jashtë vendit dhe migrimit brenda vendit. Një mjek nëse paguhet 2000-3000 mijë euro në sektorin privat, çka ka leverdi me nejtë në vend. Kjo është shqetësimi. Nëse këtij pushteti apo Qeverisë nuk i duket e rëndësishme, apo nuk është e interesume me e ngjallë shëndetësinë publike, atëherë ne i kemi të drejtat dhe e kemi obligative për me i mbrojte,"- shpjegoi ajo.

E në bazë të koeficientit drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) pagën bruto do ta ketë 1 mijë e 470 euro.

E një Mjek specialist, mjek specialist i Mjekësisë Familjare, Stomatolog Specialist, Farmacist specialist, Farmacist Klinik, Psikolog Klinik Specialist me koeficientin 12, pagën bruto në vlerën e 105 të koeficientit do ta kenë 1 mijë e 260 euro.

Mjekët Specialist, por edhe psikologët Klinik në Specializim koeficientin 8 në vlerën e 105 eurove, pagën bruto do ta kenë 840 euro.

Ndërkohë Mjeku i përgjithshëm, stomatologu, farmacisti, mjeku veterinar, në koeficientin 7.4 për vlerën 105 euro për koeficient, pagën është paraparë që ta kenë 777 euro bruto.

E ndërkohë kryeinfermieri i Klinikës në vlerën e koeficientit 6,4 për 105 euro për koeficient, pagën do ta marrë në vlerën e 672 eurove.

Ndërkohë infermieri, laboranti, mamia, teknikët mjekësor e farmacit me koeficientin 5,1 pagë prej 535 euro.

E Ligji i ri i pagave në Kosovë do të hyjë në fuqi më 6 shkurt të këtij viti.

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.

Çka tha kurti për Koeficientin?

Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se nga Ligji i ri për Paga, do të prekën rreth 82 mijë zyrtarë publikë.

“Në janar të vitit 2024, sipas përllogaritjeve të ministrisë së Financave, punës dhe transfereve, ai do të jetë 110.” tha ai në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Sipas kryeministrit me këtë sistem të ri, është dhënë mbështetje solide për kategoritë si mjekët, arsimtarët, policët dhe ushtarakët.

Ndryshimi i Ligjit është miratuar pro, pa marrë asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Murati lavdërohet

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është lavdëruar në mbledhjen e qeverisë me vlerën e koeficientit e cila u përcaktua 105 euro.

Ai ka pretenduar se buxheti për paga është rritur për 100 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

“Vlera do të jetë 105 euro. Pa shtesa pra. Pasi nëse marrim edhe shtesat, ato përbjën 12% të tërësisë së vlerës së pagave, dhe duke filluar nga shtesa e përvojës së punës, shtesa për kushte specifike e rrezikshmërinë, shtesa të tjera për kategori specifike, dhe ajo tranizitore që ajo mundëson që askujt mos t’i ulet paga."
- tha Murati.

Koeficientët

Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit - 18 - që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.

Pas presidentit, renditet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 17.5.

Koeficienti i kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa e deputetit dhe ministrit është 16.4.

Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e kanë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe ai i Doganës.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14.

Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro . Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.

Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit. Ai u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme