Rrëfimi i Avni Deharit për Ali Aliun: “Po tregove ku ke qenë të shkon koka!”
Ali Aliu ishte arrestuar në vitin 1952, fillimisht ishte dërguar në Beograd e nga aty në Goli Otok. Rrëfimi i Avni Deharit për Ali Aliun, shpalos ndër të tjera pasojat me të cilat janë ballafaquar ish të burgosurit politikë edhe shumë kohë pas kthimit nga Goli Otoku. Njëri nga miqtë e Ali Aliut, pas dërgimit në Goli Otok në vitet e ’50-ta, ishte fshirë nga të gjithë regjistrat administrativë, sepse shkuarja në Goli Otok, nuk paramendohej të kishte kthim! Sipas kujtimeve të bartura tek Avni Dehari, Ali Aliu kishte një trajtim të veçantë të torturave gjatë qëndrimit në Goli Otok, ndërkohë që të gjithë të burgosurit detyroheshin të punonin punë të rënda, Ali Aliu u detyrua të bartë gurë këmbëzbathur, në mbrëmje kur kthehej në çeli, i largonte copëzat e gurëve nga lëkura e këmbëve.
Ali Aliu në radhë të parë mund të them se rrjedhë nga një familje shumë e pasur preshevare, babai i tij Ymer Efendiu, e kanë quajtur Efendi për shkak se në atë kohë ka mbaruar mësimet për gjykatës, në kohën e Perandorisë Osmane dhe atëherë intelektualet janë quajtur Efendi po edhe gjykatësit një farë forme janë quajtur asi soji, ka qenë në kontakt me Lëvizjen Kombëtare me Isa Boletinin, me Idriz Seferin, me shumë personalitete të asaj kohe që kanë vepruar....nëpërmjet çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Si fëmijë mësimet e para i ka marrë në Preshevë, mësimet fetare siç ka qenë atëhere në atë kohë, pas mësimeve fetare meqë mundësitë ekonomike i ka pasur të mira, babai e ka regjistruar në Medresenë e madhe të Shkupit.
Natyrisht në atë Medrese ka pasur nxanës nga anë të ndryshme të Jugosllavisë së Kralit në atë kohë edhe aty kanë depërtu idetë e kohës anti-fashiste, komuniste t’i quajmë se të tilla kanë qenë edhe janë përfshirë në ato organizime e kanë kundërshtuar shtypin, e kanë kundërshtuar pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste me protesta, me demonstrata dhe janë anëtarësuar në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare anti-fashiste të kohës, gjithmonë me shpresë se është e vetmja parti e kohës që do ta zgjidhë drejt çështjen kombëtare. Shpeshherë ne gabojmë kur thojmë, “Ata kanë qenë komunista, kanë qenë me sllavët, kanë qenë me rusët”.
Natyrisht aty ka pasë prani edhe të sllavëve edhe të rusëve po qëllimi i gjithë ktyre ka qenë bashkarisht të luftohet fashizimi, të rrëzohet regjimi anti-popullor i kohës dhe të zgjidhet drejt çështja kombëtare për atë arsye pastaj pasojnë edhe burgosjet, se po mos të ishin këta të këtillë do t’i gëzonin postet në pushtetin e ri jugosllav edhe do t’i gëzonin gjitha të mirat politike, ekonomike, po përkundrazi kanë kaluar nëpër burgje edhe nëpër tortura të hatashme. Pasi ka mbaruar këtë Medresenë, është regjistruar në gjimnazin e Prishtinës në atë kohë, në kohën e pushtimit fashist për herë të parë janë hapur shkollat shqipe në Kosovë. Në atë kohë disa herë për pushime i kanë dërguar në Shqipëri, i kanë dërguar në Durrës, Golem, ku ka qenë shkolla e bujqësisë aty, e themeluar nga amerikanët edhe i kanë larguar edhe në Tiranë edhe gjatë qëndrimit atje ka ra në kontakt me pjesëtarët e Lëvizjes NacionalÇlirimtare në Durrës e në Tiranë edhe aty-këtu është përfshirë në aksion, përpos tjerash është përfshirë edhe në aksionin ma të madh që është ba në atë kohë në Evropë kundër fashizimit për prerjen e telave të telefonit, ka qenë një nga aksionet ma të mëdhaja në krejt Evropën. Do të thotë gjithë telat e telefonit në Shqipëri janë prerë edhe fashistët italianë e kanë pasë shumë të vshtirë të komunikojnë mes vete për me ditë se kush po e bënë këtë aksion kundër tyre. Pasi ka mbaruar studimet, gjimnazin, pastaj është angazhuar natyrisht në luftën nacional-çlirimtare këndej kufirit, ndër shoktë kryesorë, bashkëpuntorë kryesorë e ka pasur Avdullah Krasniqin, i njohur në atë anë si Avdullah Presheva, Skender Kadriun, të cilët kanë qenë organizatorët kryesorë për përfshirjen e shqiptarëve në luftën nacional-çlirimtare të asaj ane, të Preshevës edhe të Kumanovës.
Studimet mas Luftës së Dytë Botërore i ka mbaruar në Beograd, ka studiuar ekonominë edhe ka qenë ekonomisti i parë në bankë, mirëpo gjithnjë i ka interesuar, ka pasur edhe një edukatë familjare që të interesohej për çështjen kombëtare edhe i ka interesuar gjithmonë zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare. Natyrisht në luftën nacional-çlirimtare ka marrë pjesë me shpresë se problemi i shqiptarëve do zgjidhet drejt dhe mos-zgjidhja e problemit e ka prekur atë siç i ka prekur edhe shokët e tij, të cilët pastaj për shkak të kundërshtimeve që i kanë bërë janë përndjekur, janë burgosur, janë maltretuar, janë lanë pa punë. Edhe Ali Aliu edhe në Beograd kur ka qenë ka ra në kontakt me Kadri Halimin e Cërnicës të Gjilanit me të cilin pastaj kur kthehen, me porosi të tij, se kanë pasur mundësi të angazhohen në Beograd me punë, se ky ka qenë ekonomist, në atë kohë kuadrat e tillë kanë pasur vende pune sa të duan, mirëpo porosia e tyre, qëllimi i tyre ka qenë të kthehen në Kosovë edhe të jenë afër popullit edhe ta organizojnë popullin, ta kundërshtojnë pushtuesin, Jugosllavinë e Titos. Kthehet në Prishtinë mas studimeve, punësohet në Këshillin Krahinor të asaj kohe si ekonomist, ka qenë një zyrë për projekte edhe një resort për miniera e për tjera aty edhe ka dhanë kontribut të madh, mirëpo për shkak se i kanë përndjekur shqiptarët ka qenë sidomos ajo afera për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, këta e kanë kundërshtuar një fushatë të tillë anti-shqiptare edhe kanë kundërshtuar edhe shumë padrejtësi të tjera që ju janë ba shqiptarëve edhe për ata vihen në shënjestër të UDB-së, sigurimit shtetëror të asaj kohe, edhe përndiqen. Fillojnë të burgosen shokët e tij nga Kumanova po edhe disa shokë të tjerë me të cilët ka qenë, e disa të tjerë nga Mali i Zi e plot të tjerë që kanë qenë në studime edhe këtë e vë në shënjestër edhe fillojnë ta provokojnë edhe dikun aty nga viti 1952, nga zyra e marrin edhe e dërgojnë drejt në burg, prej aty masi kalon një natë e dërgojnë në burgun e Beogradit, prej burgit të Beogradit e nisin pastaj me tren, e dikun me anije për Goli Otok.
Në Goli Otok ka mbetur deri në vitin 1954. Rrëfimet për Goli Otokun janë të hatashme, aty ka takuar shumë shokë të tij edhe që i ka njohur pastaj ka takuar edhe njerëz që nuk i ka njohur, ndër të tjerat e ka takuar edhe Omer Qerkezin nga Mitrovica, një patriot i madh i cili edhe përfundon jetën në Goli Otok se e kanë vrarë në Goli Otok sepse ka qenë pjesëmarrës i luftës nacional-çlirimtare edhe nuk ka heçur prapë por e ka thanë, “Na keni tradhtuar edhe nuk heç dorë nga çlirimi dhe bashkimi kombëtar!” Ka takuar aty jo vetëm shqiptarë, ka takuar edhe serbë e kroatë e njerëz që nuk janë pajtuar me politikën e Titos edhe i kanë dërguar aty për qëllimet e tjera, kurse shqiptarët për qëllime të tjera i kanë burgosë aty. Po jeta në Goli Otok ka qenë jetë ferri, aty tërë ditën e lume i kanë dërguar të thyejnë gurë se Goli Otoku ka qenë një vend afër bregdetit, ishull, vend i thatë! Ushqimi ka qenë tepër i dobët, trajtimi ka qenë shumë i keq edhe thjesht aty i kanë dërguar që jo të kthehen ma, po mos të kthehen kurrë në shtëpi.
Një shok i Ali Aliut, Rexhep Bajra nga Kumanova, ai ka qenë para Aliu Aliut në Goli Otok, ma vonë kur është martuar, ju kanë rritur fëmijët edhe djali i tij ka shkuar në Amerikë edhe ja dërgon garancionin thotë, “Eja vizitom!” Edhe ky ka dashur të shkojë ta shohë të birin, i ka hyrë punës, ka nxjerrë pasaportën se përpara s’ka pasur atë pasaportë, shkon te zyra e vendit i thotë, “Ma jep një çertifikatë të lindjes që të aplikoj për pasaportë”. Edhe ofiçari e hapë atë farë librin e amzës, i thotë, “Ti nuk je këtu i regjistrum!” Ai thotë, “Këtu e kemi bashkësinë lokale...” “Këtu jo, jo,” thotë, “s’je. Po hajt se ti ke qenë në punë nëpër vende të ndryshme...” Edhe pse kjo, kudo që të shkojsh ti, regjistrimin e amzës mbetet, ti mundesh me shku edhe në shtet tjetër edhe me marrë shtetësinë edhe m’u regjistru atje, po gjithmonë aty për herë të parë ku je regjistruar emri të mbetet në libër, po ai i thotë, “Jo këtu s’je!” Shkon pastaj nëpër fshatra të ndryshme ku ka punu atypari, në Kumanovë andej-këndej, askund se gjen veten, edhe kryetarit të komunës së Kumanovës, maqedon ka qenë, se atëherë s’ka pasë kryetarë shqiptarë, i bjen në vesh fjala se, “Një njeri s’po e gjen veten kërkun!” Thotë, “Ma thirrni një ditë ta shof atë njeri kush është!” Shkon ai edhe kur shkon aty bisedojnë thotë, “Mos ke qenë ndonjëherë i përndjekur politikisht, i burgosun?” Thotë, “Po!” “Ku ke qenë?” “Në Goli Otok!” “Aaaa,” thotë, “u kry puna,” thotë, “kur të kanë çu,” thotë, “ty në Goli Otok, të kanë hekë prej listës se e kanë ditë që ma ti s’kthehesh! Po, po,” thotë, “ma s’je! Të kanë fshi. Po fat që ke shpëtu edhe ke mbetë!” Edhe regjistrohet prapë... Do të thotë ata që i kanë dërguar në Goli Otok edhe shumica kanë vdekë atje, i kanë mytë atje, i kanë vrarë e i kanë.. duke i torturuar edhe shumica nuk janë kthyer gjallë, me mijëra, jo pak, po me mijëra nuk janë kthyer gjallë edhe ata që kanë dalë prej Goli Otokut e kanë pasë me porosi mos të tregojnë se ku kanë qenë, se kërcënimi ka qenë, “Po tregove ku ke qenë të shkon koka!” Se Goli Otoku ka qenë një burg famëkeq edhe një farë forme edhe ilegal... S’kanë treguar kurrë për personat që i kanë dërguar në Goli Otok, kanë thanë, “Është në burg i dënuar me burg të randë, me pa të drejtë vizite, letërkëmbimi”.
Atje ai ka pasur, ka punuar punë të randë edhe për shkak të veprimtarisë ma të hershme që e ka zhvilluar, ka pasur tretman të veçantë të torturimit. Nëpër ato gurë që thoshte, “Prenin si thika ka ecshim!” Me lesët në dy vegë që i kanë majtë në dorë, këtë nuk e kanë lanë me mbathë as çorapa se ma këpucë jo se jo, edhe ka bartur gurë edhe në mbramje i ka heçur copat e gurve prej mishit në këmbë, që janë prerë kambët, ose tortura tjetër për shembull ka qenë natën, herë pas here me orë, me mbajtë kokën mbi njëfarë kible, kështu e kanë quajtë njifarë ene ku kanë kry nevojën.. me mbajtë kokën përmbi atë edhe ai polici tuj i nejtë me pendrek përmbi, se vetëm nëse e qon kokën m’i ra! Gjithë natën me thithë erën e të fëlliqtit që kanë kryer ata të burgosurit që kanë qenë aty. Aty ka pa skena të trishtueshme, njerëz që e kanë vrarë vetën, njerëz që janë hedhë në det edhe janë mbytë, ka parë njeriun që ju ka kalbë mishi për një person të Suharekës dikun, a të Rahovecit dikun flet, thotë, “I thyente gishtat e kambëve si të ishin krande!” S’e kanë çu as në spital, as në trajtim mjekësor as kurgja!
Pasi i kalon aty tre vjet, në ‘52-shin, s’po e di saktë, në ‘54-shin kthehet në Preshevë, pas një kohe punësohet në fabrikën e duhanit në Gilan, prej aty kthehet punësohet n’Prishtinë në ndërmarrjen, në Këshillin Krahinor në profesion për projektimet, tregon rezultat t’mirë. Mirëpo për shkak të angazhimit politik, e burgosin dhe në ‘62-shin pasi themelojnë organizatën për çlirim dhe për bashkim kombëtar. Përndiqen prej UDB-së, kalojnë në ilegalitet, ka qenë dimër edhe prej një qyteti, prej një vendbanimi, prej një fshati në fshatin tjetër, kanë dashur të arratisen në Shqipëri, nuk ja kanë dalë për shkak të borës së madhe që ka pasë... edhe ma në fund kalojnë rrethin e Preshevës, në një fshat të Malësisë së Preshevës, në Maxherë, te një bashkluftëtar i tyre i kanë hetuar dhe i kanë arrestuar. Mas arrestimit e kanë sjellë në burgje të Kosovës edhe prej atjehit e kanë dërguar në burgje të ndryshme, edhe pastaj ky ka mbetur në burgun e Nishit. Në burgun e Nishit, një kohë të gjatë e ka kaluar në izolim, është quajtur aty Shtëpia e Bardhë, një emër kshtu kur ta dëgjoj njeriu duket simpatik, po vend i torturave, izolim...
“Aty,” thotë, “i dërgonin njerëzit që t’i çmendin, t’i çmendin në çeli, ftohtë, edhe tërë natën,” thotë, “e lshonin një zhurmë errëse, sikurse e sharron metalin,” edhe thotë, “unë detyrohesha m’i mbyllë veshtë me bukën që na bishin, m’i mbyllë veshtë me bukë, pastaj me letra, çkado qoftë që gjejsha diçka, po edhe e visha një shall e pshtjellsha mos të më hetonin se përndryshe do të më dënonin edhe për atë veprim”. Prej aty kthehet në Kosovë, mas një kohe punësohet përmes shokëve natyrisht se ka qenë i përndjekun, punësohet së pari në spitalin e Prishtinës, pas spitalit të Prishtinës pastaj punësohet në ndërmarrjen e rrugëve si ekonomist për me i projektu aty ka treguar një sukses shumë të madh... Pastaj ka ardhë koha e demonstratave të ‘81-shit. Në ‘81-shin e kanë dërguar përsëri në izolim, sikur i kanë dërguar shumë të tjerë. Dikun ka ‘83-shi, ‘84-tën nëse nuk gaboj pensionohet edhe si i tillë tani ai ka kaluar jetën në Prishtinë me familjen e tij, po vazhdimisht duke u interesuar për çështjen kombëtare. Lufta e ka zanë në Prishtinë, në Ulpianë e ka pasë banesën.
Në Goli Otok nuk kanë pasë të drejtë vizite edhe familja nuk e ka ditë se ku është, nuk e kanë ditë se ku është, po edhe të drejtë vizite nuk ka pasë. Ka pasur letërkëmbim po ato letra kur kanë dashtë ua kanë dhanë, kur s’kanë dashtë s’ua kanë dhanë edhe i kanë lexuar, të gjitha... Krejt ua kanë lexuar letrat se çka kanë shkruajtur. Në Goli Otok ka qenë jetë taman jetë ferri siç e përshkrun Dante Aligeri në “Komedinë Hyjnore” te rrathtë e ferrit, edhe aty ka qenë e tillë. Njëherë Ali Aliut i kërcënohet rreziku për me nxjerrë jashtë telave, parulla me nxjerrë jashtë telave ka qenë, me marrë me nxjerrë nga kampi edhe me vra. I kanë shti njerëzit m’u rrëfy para të burgosnve të tjerë, i kanë shti me.. tuj u rrëfy, pastaj me tregu, me sha vetën, me qortu vetën, që ka ba keq, që, “Ma s’do bajmë kësi soji...” Pa marrë parasysh a i ka ba ato, a s’i ka ba, ata ja kanë shpifë atë edhe ky është dashtë me thanë, “Po unë e kam ba këtë edhe kam gabuar randë, e ndijë veten fajtor”, para tjerve, edhe tani me dënu me ato format e tyre që i kanë dënu. Po një torturë tjetër që ka qenë shumë e keqe në Goli Otok, kur i kanë dërguar për herë të parë aty janë rrahur prej vetë të burgosurve politikë, ata i kanë, ata s’kanë dashtë t’i rrahin, po i kanë detyruar... Ditën e parë është dashur të kalojnë aty edhe ju kanë bërtitur kështu, “Bando bando.. bandë, bandë!” Edhe ju kanë sjellë me grushta e me shkelma derisa kanë mbërri në vendin e caktuar, kumeditë sa gjatësia ka qenë aty. Pastaj është një rast tjetër në Goli Otok derisa ka qenë, kish pasë qenë një kthinë aty, “Panmuxhoni” e kishin quajtur. Panmuxhoni ishte një vend mes dy Koreave, ku ishte bërë një marrëveshje historike mes Koresë të Jugut edhe Koresë të Veriut për m’u ndërpre lufta, e atë kthinën e kishin pasë quajtur Panmuxhon, po kë e kishin dërguar aty, e kishin dërguar që ta torturonin tërë natën, me tortura të veçanta.
Edhe një ditë e thërrasin edhe Ali Aliun aty, edhe ky e ka ditur se kush shkon, e kanë ditur krejt aty se kush shkon aty, a del gjallë s’ka ditë a del gjallë, a nuk del gjallë. Edhe thotë, “Aty,” thotë, “ishte një...” Kishte qenë edhe një arbëresh i Zarës, tash saktë emrin nuk ja di emrin dhe mbiemrin saktë, edhe ai kur e sheh këtë, kur e sheh emrin edhe i drejtohet këtij edhe ai ka qenë në mesin e atyne se si i burgosur politik kumeditë qysh ka arritë që me pasë njëfarë statusi ma të mirë edhe me ata që i kanë marrë në pyetje të burgosurit e tjerë... Edhe i drejtohet këtij i thotë, shqip i drejtohet, thotë, “A di të këndosh?” Thotë, “Nuk di!” Thotë, “Ndonji kangë?” Ky i thotë, “Nuk di!” Thotë, “Po a din,” thotë, “kangën ‘Moj e Bukura More’”? Ai arbëreshi... Thotë, “Kur më tha, ‘A e din kangën ‘Moj e Bukura More’?” Thotë, “U trishtova krejt, se e mora për provokim!” Thotë, “Më shtin me këndu edhe tani...” Thotë, “Tani unë u stepa, krejt u trishtova edhe,” thotë, “ai e pa, e pa që u trishtova edhe i tha atyne, ‘lësho! Lëshojeni djalin le të shkojë!’” E tha, “Për fat më lëshun, më lanë me shku atje,” thotë, “dhe shpëtova prej torture, më shpëtoi,” thotë, “ai arbëreshi!”.
Edhe pas disa ditësh një kuzhinier që ishte shqiptar e kishte thirrë atë arbreshin thotë, “Më thirri edhe mu, ‘hajde te unë në kuzhinë’. Kur shkova,” thotë, “e pashë atë edhe po bisedojmë, më tha qysh edhe prej meje,” thotë, “edhe në mu dyshojshe,” thotë, “atë natë,” thotë, “në Panmuxhon”. Thotë, “Po qysh mos me dyshu se ti më pyete a e din kangën ‘Moj e Bukura Shqipëri’?” Ai thotë, “Unë s’të kom thanë ‘Moj e Bukura Shqipëri’ por ‘Moj e Bukura More’”. Thotë, “’Moj e Bukura More’ edhe ‘Moj e Bukura Shqipëri’ është njësoj!” “S’e kish ditë,” thotë, “edhe u trishtu, ma bani, ‘rri mos trego, mos trego se s’e kam ditë,’” thotë, “u trishtua krejt, u trishtua!”.
Ka edhe shumë momente tjera, po qato që thashë është dobësuar deri në atë shkallë sa që ka qenë buzë vdekjes ka pasur reumë, është ajur, pahavitur trupi prej reumës, i kanë dhimbtë eshtrat. Një rast tregon, ka qenë me një kroat, a nuk e di se çfarë ka qenë ai, ai e ka marrë me një si lokomotivë kanë bajtë gurë, kanë ngarku të burgosurit gurë edhe kanë bartë edhe ai e ka marrë si ndihmës, e thotë një rast ishte tatëpjetë, frenat e asaj lokomotive nuk kanë funksionuar edhe lokomotiva ka marrë hov, ai drejtuesi i lokomotivës ka kërcyer prej lokomotivës kurse ky ka mbetë, ka mbetë ajo shporta, ky s’ka, s’ka pasë përvojë që.. shporta kur ka mrri me një vend ka praptuar edhe e ka hedhë shporta me gurë që ka qenë, bashkë me gurë ka ra, po për fat ka ra një vend ku kanë sharru drutë, e ka qenë pluhuri i sharrës, se me një naltësi shumë të madhe, thotë, “Atje e kam humbë gishtin e dorës, kam ra,” thotë, “kam fluturuar... ka qenë një fluturim fantastik që s’mund ta merrësh me mend, po mbeta për fat gjallë, rashë,” thotë, “në atë grumbullin e pluhurit të sharrës, se përndryshe të kisha ra në tokë, nuk do të më kishte mbetur.. do të kisha vdekur menjëherë.
Fliste pastaj për një, Koutën 101 në Goli Otok. Në Koutën 101 ka qenë të burgosurit që s’kanë pasë kontakt as me këta të Goli Otokut, ata kanë pasë atë... ma të randë... Një profesor i tij i Beogradit që i ka dhanë landën e ekonomisë, e ka takuar kur ka dalë prej koutës, ka qenë disa vjet aty edhe nuk e ka ditë që është, ai ka qenë në atë, këto i kanë pasë ata, për ata kanë ditur vetëm që janë atje, po kush është kurrë s’kanë pasur kontakt, vetëm i kanë parë kur ka ardhë dikush prej atyre që i kanë shërby aty në burgun e Goli Otokut, kur kanë ardhë me marrë bukën edhe i kanë sjellë entë, masi kanë hangër ata drekë, a darkë, përndryshe nuk kanë ditë për asnjë se kush është në atë burgun që është quajtur “Kouta 101”.
Ky burgun e parë e ka bërë në Goli Otok, ja po e kujtoj tash, më ra ndërmend edhe njëherë, thoshte, “Tërë ditën thyenim gurë, natën më turturonin edhe mbi kibël edhe pa gjumë e krejt, edhe,” thotë, “të nesërmen përsëri më duhej zbathë m’u nisë për me thy gurë edhe,” thotë, “aq isha i lodhur sa s’qëndroja në kamë, se pa gjumë gjithë natën,” thotë, “edhe dy shokë, më patën marrë,” thotë, “deri te baraka ku kanë qenë aty...” Deri te vendi ku kanë thyer gurë, thotë, “Unë kam fjetë në kambë tu ecë, e për mos me ra,” thotë, “ata më futnin në mes, që me ba me ra me më kapë. Do të thotë kam ecë tuj fjetë gjumë,” thotë, “vetëm në qat’ kohë kom mujtë me ba, edhe pastaj,” thotë, “prapë kam, ose kam bajtë,” thotë, “gurë në shpinë, me ato farë...” Ku e di unë si shporta ose dy vetë me lese, po leset thotë, “I bajnë në atë formë,” thotë, “se po t’i lëshonte ai i pari gurtë,” thotë, “bishin, të sakatojshin, u derdhshin përmi trup!” Këto kanë qenë, po këto i kanë ba me vetëdije të fortë, kanë pasë karakter shumë të fortë, edhe ajo i ka ba që të mbijetojnë, kanë pasur gjithmonë shpresë që do t’ia dalin, ta zgjidhin drejt çështjen kombëtare.
*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.





